Me lugë floriri dhe me biftek të artë

Jan 11, 2021 | 9:59
SHPËRNDAJE

2017-08-06-08_47_14-Luciano-Boci-Windows-Photo-Viewer

NGA LUÇIANO BOÇI

Populli do hajë me lugë floriri! Shprehja e famshme u bë parrulla e dy regjimeve të majta në Shqipëri në harkun e pothuaj një shekulli.

Parajsa komuniste dhe parajsa rilindase ngjasojnë jo pak me njëra tjetrën në këtë pikë. Filli që i bashkon më shumë se çdo gjë tjetër është mashtrimi.

Pas 1945, komunistët e ardhur në pushtet, lugën e floririt Ia rezervuan vetes së tyre, duke grabitur çdo bulëz djerse e mundi të njerëzve të thjeshtë. Popullit i lanë lugën e drurit dhe i dhanë hurin e drurit prapa koke.

Pas pothuaj 80 vitesh e njëjta histori. Ne 2013 “luga e floririt” u rishfaq me përmasa moderne.

Shëndetësia u premtua të ishte një lugë floriri, por rezultoi të ishte e florinjtë vetëm për Ramën bashkë me “shitësit e duhanit” dhe pronarët e kioskave që përlanë koncesionet e florinjta të checkup-it dhe të sterilizimit.

Ekonomia me sistemet e reja taksuese, u shit se do pillte lugë pa fund floriri. Në realitet prodhoi faliment, skamje, rrjepje kapilare, abuzivizëm miliarder për biznesin, qytetarët, fermerët. “Lugët e floririt” ose më saktë eurot e florinjta, në këtë sektor u prodhuan të personalizuara, me logo kryeministrie e disa ministrie. Disa u stampuan me “Skënderbeun” në variantin kalorës i Rilindjes së vrerosur.  Ndonjë me “Majmuni”, “Hijena”, “Hardhuca” etj. Hajdutëria fitoi jo vetëm status nderi, por dhe u florinjëzua.

Tenderat u bënë të florinjta dhe ishin të dedikuara. Rrugët u bënë po të florinjta, aq sa nji km në Shqipëri ngjason në kosto me një km në planetin Mars.  Tani s’ka mbetur gjë tjetër veçse të na dalë Rama e të na deklarojë se këto rrugë të florinjta kanë vlerë numizmatike. Dhe plehrat me inceneratorët u bënë të florinjta.

Digj plehra e prodho florinj për xhepat e mbushura të panginjurve pushtetarë. Nuk ngeli pas askush në rrëmbim, grabitje dhe hajdutëri. Arritën deri aty sa dhe kapelet e policëve na i nxorrën me kosto të florinjta.

Arsimi u bërtit se do prodhonte mendje të florinjta e diploma të florinjta që do verbonin me cilësinë e tyre tregun ndërkombëtar e kombëtar të punës. Ndërsa arritja më e madhe e tij sot është hapja e kurseve dy vjeçare diskriminuese e tallëse për studentët për bakraxhij dhe teneqexhij. Analfabetizmi funksional feks më shumë se çdo gjë dhe “luga e floririt” u fut në çantat e ministreshave që i dhanë arsimit fytyrën e vet, po jo pamjen e dijes dhe progresit. Fëmijëve tanë u lanë dërrasat e drurit, shkumsat gëlqerore, dijen e deformuar prej alumini, librat e përdorur dhe ca copa letrash e kartonash pa vlerë.

Dhe gjithë këtë garrumbull vjetërsirash, mundohen sot ta shesin tek njerëzit si të florinjtë, ndërkohë që s’kanë lënë gjë në këmbë.

Por nuk u mjaftuan me kaq. E gjithë kjo “lugë-tortë floriri” që u ra për pjesë e donte “një qershi” të artë mbi, si fund orgjie hajdutërie pas tetë vitesh grabitjesh të florinjta.

Dhe shpura për t’i bërë dhuratën e artë vetes, u zhvendos me çarter drej vendit të diellit, Dubait mahnitës, aty ku ndoshta bënin dhe ndonjë pazar për vetë diellin që në atë kënd të botës duket si i bërë prej floriri. Me lugë (të florinjtë) në brez, u turrën tek pilafi i artë me biftek të artë.

Më në fund ia kanë arritur ditës. Ia kaluan dhe paraardhësve. Po hanë jo vetëm me lugë të florinjtë. Por po shqyejnë dhe biftek të artë. Shqiptarëve, Rama dhe kompania e tij i ka lënë po lugën e drurit, zbrazëtinë e sofrave, shkretimin e shtëpisë, përmbytjet, tërmetet, pandemitë. Vetë vazhdon të zdërhallet mes lukseve të florinjta. Ata që paguajnë për të prej 8 vitesh janë njerëzit e thjeshtë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura