Me libër në klub fitnesi

Oct 22, 2018 | 11:45
SHPËRNDAJE

ADRIATIK KELMENDI/ adriatik kelmendiI PYETA STUDENTËT: Sa euro i shpenzoni në ditë për ushqime? Dikush përgjigjej rreth 5 e dikush tjetër shkonte deri në 20. Kështu që vendosëm bashkë se një mesatare e pranueshme do të ishte 12.5 euro në ditë për ta mbushur barkun. E shumëzuam me 365 ditë dhe doli shuma prej 4.562.5 eurosh për një vit. Pastaj i pyeta se sa libra i blejnë për t’i lexuar për qejf (jo libra shkollorë) gjatë një viti. Meqë sërish kishte përgjigje të ndryshme, u arrit pajtueshmëria që në mesatare i blejnë nga 3 libra. Me një çmim prej 7 eurosh për libër del se shpenzojnë 21 euro në vit për libra.

A i bie kjo se mbi 4.500 euro në vit një student shpenzon për ushqim të stomakut, kurse vetëm rreth 20 euro për ushqim të trurit? Gati 220 herë më tepër e ushqejmë barkun se trurin gjatë një viti.

Natyrisht, nuk u pajtuam se është gjithaq e thjeshtë. Ushqim për trurin mund të jenë edhe leximet që i bëjmë online, gazetat e revistat, shikimi i filmave dhe i dokumentarëve, intervistat cilësore, dëgjimi i muzikës dhe shijimi i veprave të artit pamor. Dakord! Kur e kalkuluam, i ra se të gjitha këto të kombinuara mund t’i kushtojnë një studenti kosovar rreth 80 euro në vit. Që sërish, bashkë me 21 eurot për libra, i bie 45 herë më shumë ushqehet barku se truri.

Dhe të mos harrojmë, këtu bëhej fjalë jo për një statistikë analitike shkencore, e cila mund të merret si e mirëqenë, por, sidoqoftë, është fjala për studentë të gazetarisë të vitit të dytë. Pra, për studentë, të cilët natyrshëm do të duhej të pritej të lexonin ose ta ushqenin trurin më shumë sesa qytetarët e tjerë.

Nuk e lashë me kaq, i pyeta pastaj sa prej tyre e kanë një klub fitnesi në largësi deri në 500 metra prej vendit të banimit. Thuajse të gjithë pohuan se kjo qëndron. Kurse të pyetur se sa prej tyre e kanë një bibliotekë ose librari deri në 500 metra larg, përgjigje pozitive kthyen rreth 25 për qind syresh.

Kemi vendosur ta hollojmë trupin dhe të trashemi në kokë, kishte thënë në një rast shkrimtari Kim Mehmeti, duke folur për fenomenin e popullarizimit të fitnesit në një eveniment librash.

NUK KA STATISTIKA të sakta, fatkeqësisht, për nivelin e leximit të librave në Kosovë. Mirëpo, ka statistika dhe studime të ndërlidhura me leximin, të cilat flasin për rezultate të përmasave alarmante.

I tillë është edhe raporti i ri krahasues i Bankës Botërore për Indeksin e Kapitalit Njerëzor.

I publikuar javën e kaluar, ky raport nënvizon se një fëmijë i lindur sot në Kosovë do të jetë vetëm 56 për qind produktiv në punë kur të rritet në krahasim me një fëmijë që do të kishte arsimim komplet dhe shëndet të plotë. Kjo për shkak se, siç ceket aty, fëmijët në Kosovë deri në moshën 18-vjeçare ndjekin 12.8 vjet të shkollimit parafillor, fillor dhe të mesëm, mirëpo, kur vitet e tyre të shkollimit nivelohen për nga cilësia e arsimit, atëherë shkollimi i tyre është i barabartë vetëm me 7.7 vjet, që do të thotë se ata kanë një mungesë prej 5.1 vjetëve të arsimit.

Me fjalë të tjera, mund të nënkuptojmë se përgatitja për punë e një fëmije në Kosovë, i cili e përfundon shkollën e mesme, është e barabartë me atë të një fëmije që ka kryer vetëm filloren, ose 8 vjet shkollë në shtetet me arsim cilësor. Ose, edhe më drejtpërdrejt, një finlandez që kryen filloren është më i avancuar sesa një kosovar që kryen shkollën e mesme.

Ngjashëm zhgënjyeshëm doli Kosova edhe te PISA. Programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve kishte radhitur Kosovën në vendin e 68-të në mesin e 72 shteteve, të cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi për njohuritë e nxënësve 15-vjeçarë në lexim, matematikë dhe shkencë. Me këtë u kumtua se numri më i madh i nxënësve kosovarë kanë vështirësi të kuptojnë ato që lexojnë. Gjë që konfirmon pastaj atë që na e tregoi raporti i Bankës Botërore, se si pasojë e mungesës së arsimimit cilësor ne nuk jemi të barabartë për të qenë produktivë në punë krahasuar me mesataren e shteteve me arsim cilësor.

E NËSE KTHEHEMI te leximi, përsëri statistikat analitike nuk na befasojnë. Në shumicën e studimeve që kanë për bazë edhe faktorët që mund të ndikojnë në shprehitë e leximit – siç është numri i bibliotekave, i gazetave, i viteve të shkollimit dhe i qasjes në kompjuterë dhe internet – del se shtetet ku lexohet më së shumti janë: Finlanda, Norvegjia dhe Islanda. Gjithashtu, nuk është befasi se këto shtete renditen ndër të parat në listat e cilësisë së përgjithshme të jetesës. Pra, sa më shumë lexim, sa më shumë arsimim, aq më shumë dije, aq më tepër zhvillim.

Thënë këtë, të shohim edhe disa të dhëna të tjera interesante për librat:

Një amerikan i moshës madhore lexon mesatarisht 12 libra në vit ose një libër për çdo muaj. SHBA-ja është shteti ku botohet numri më i madh i librave në botë, në vlerë prej 151 miliardë dollarësh, gjë që nënkupton një industri më të madhe sesa filmat, muzika, revistat dhe videolojërat.

Në anën tjetër, Mbretëria e Bashkuar është shteti që boton më së shumti libra për kokë banori. Sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Botuesve (IPA), në këtë shtet janë botuar nga 20 libra në orë gjatë vitit 2014.

“Don Kishoti” i Servantesit është libri më i popullarizuar në botë, i shitur në mbi 500 milionë kopje. Librat nga seria e Harry Potter, po ashtu, kanë kaluar shifrën prej mbi 500 milionë librash të shitur.

Të hyrat nga shitja e librave elektronikë kanë shënuar gati 20-fishim për vetëm 7 vjet, nga 270 milionë dollarë në vitin 2008, në 5 miliardë në vitin 2015. Sakaq, ka një rënie të lehtë të shitjes së librave elektronikë nga viti 2016, e cila vlerësohet në 18.7 për qind për tregjet amerikane dhe britanike. Mirëpo, nuk flet kjo për zbehje të interesimit të librit, jo, meqë në të njëjtën kohë ka rritje prej 7.5 për qind të librave në letër.

Të gjitha këto për të na thënë se, po, librat janë këtu dhe do të mbesin me ne edhe për shumë e shumë kohë në të ardhmen.

NDËRKOHË, sigurisht se do të ishte interesante t’i dinim edhe statistikat e hapjes dhe mbylljes së klubeve të fitnesit. Ose se sa prej atyre që kanë ushtruar në fitnes kanë filluar të dalin tash për të vrapuar në natyrë… Të mos keqkuptohemi, s’ka gjë të keqe. Përkundrazi. Mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë, thonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura