“Më ktheni paratë e sekuestruara”/ U arrestua për lirimin e “të fortëve”, ish-gjyqtarja e Krujës kërkon pafajësinë në Apelin e GJKKO

Sep 26, 2022 | 18:08
SHPËRNDAJE

Këtë të hënë është mbajtur në Gjykatën e Posaçme të Apelit seanca gjyqësore në ngarkim të ish-gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha.

enkelejda-hoxha-770x420

News 24 bën me dije se gjatë seancës pala mbrojtëse ka kërkuar pafajësinë e gjyqtares nën argumentet se vendimi është dhënë nën trysni politike por dhe mediatike.

Vetë gjyqtarja në fjalën përpara trupit gjykues krahas kërkimit të pafajësisë ka kërkuar dhe kthimin e parave të sekuestruara.

Kërkesat janë kundërshtuar nga organi i akuzës me arsyetimin se heqja e sekuestros nuk është kërkuar në ankimimin e çështjes.

Pasi ka bërë dëgjesën e dy të palëve trupi gjykues pritet të shpallë vendimin më 11 tetor.

Kujtojmë se disa muaj më parë, Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme e dënoi ish-gjyqtaren Hoxha me 3 vite, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, përfitoi 1/3 e uljes së dënimit.

Ish-gjyqtarja e Krujës, Enkeleida Hoxha u akuzua për “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

Togat e zeza e dënuan ish-gjyqtaren Hoxha me 3 vite po ashtu edhe dënim plotësues që për 5 vite të mos ushtrojë asnjë funksion publik. Po ashtu shuma prej rreth 10 mijë Eurosh që u gjet në banesën e Enkelejda Hoxhës është konfiskuar.

Ish-gjyqtarja Enkelejda Hoxha dhe 9 të dyshuar të tjerë u arrestuan në Shkurt të vitit 2021 me urdhër të SPAK, pasi u akuzua për korrupsion dhe lirim të disa “të fortëve” të dënuar me burgim përjetë.

Hoxha vazhdon që të jetë në qeli që nga Shkurti edhe pse ka kërkuar nga ish-kolegët e saj një masë më të butë sigurie. Ajo ka argumentuar në vijimësi se nuk ka kush të kujdeset për fëmijët e saj.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura