“Me koncesionet do të vazhdojmë, rrisin investimet”

Jan 31, 2016 | 9:00
SHPËRNDAJE

Qeveria do të vazhdojë dhënien me koncesion të shërbimeve publike në rastet kur ajo s’ka mundësi t’i financojë vetë. Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, në intervistën dhënë gazetës, tha se partneritetet publike private janë mënyra më e mirë për të tërhequr investimet dhe se qeveria do të vazhdojë zbatimin për ato shërbime që nuk i mbulon dot financiarisht.

Ahmetaj foli edhe për rënien në vlerë të eksporteve, sipas tij, shkak është ulja e çmimit të naftës në tregjet e huaja. Por, nga ana tjetër, ministri tha se qytetarët përfituan nga ulja e çmimit 200 milionë dollarë për blerje të mallrave të tjera të konsumit.

Ministri i Ekonomise, Arben Ahmetaj
Ministri i Ekonomise, Arben Ahmetaj

Ka një debat të shtuar kohët e fundit lidhur me koncesionet. Janë të paktën dy që po debatohen fort. Ju keni ndërmarrë një fushatë të fortë ndaj evazionit, ndërsa tani po jepni me koncesion apo partneritet publik privat TVSH-në. A nuk do të duhej pak më shumë kohë që të provohej administrata e tatimeve, pra shtrëngimi ligjor ndaj evazionit para një hapi të tillë?

Koncesionet janë një nga debatet publike që opozita ka ndërmarrë në përpjekje për të hedhur baltë mbi procese shumë të hapura konkurruese në të gjithë sektorët. Dua t’ju bëj një krahasim që qeveria e vjetër ka dhënë mbi 170 koncesioni, ndërsa ne, në dy e vjet e gjysmë kemi dhënë vetëm 14 koncesione. Mund t’ju sjell këtu koncesione siç është “Rapiscani” me skanimin në dogana, që është një ngarkesë shumë e madhe për biznesin dhe po të ecej me atë logjikë, biznesi duhet të paguante 39 euro për deklaratë, ndërkohë që ne e ulëm, e bëmë 22 euro. Hoqëm komplet ngarkesën ndaj industrisë fason dhe nëse do ta kishim lënë ngarkesën mbi këtë industri, praktikisht ajo do të kishte falimentuar. Ju kujtoj koncesionet e dhëna në muajin shtator të 2013-ës, para se të iknin, të Portit të Durrësit, që janë kriminale, skandaloze dhe që kanë fragmentuar këtë port në terminale. Një histori qesharake dhe totale antikombëtare. Mos harroni koncesionin e pullave fiskale, u vinin dhe pullë fiskale, ndërkohë që i kishin vënë edhe taksë sëmundjeje dhe aspirinës, përveç asaj, edhe një kosto e pullës fiskale, për të mos zënë në gojë pastaj qindra e qindra koncesione hidrocentralesh që kanë shkatërruar mjedisin dhe kanë sjellë ngarkesë të drejtpërdrejtë dhe indirekte në buxhet të shtetit për shkak të çmimeve të fiksuara në nivel shumë të lartë. Ne këtë gjë e kemi korrigjuar totalisht.

Ne kemi prezantuar një formulë, e cila është e lidhur me çmimin ndërkombëtar të bursës të energjisë dhe lejon që kompania publike që blen energji nga hidrocentralet private të ketë një referencë jashtëzakonisht fleksibël dhe shpesh në favor të saj dhe, në një kohë, kompanive private t’u garantohet kthimi i investimit. Për sa i përket koncesionit të TVSHsë, nuk është një koncesion i mbledhjes të TVSH-së, është një partneritet publik privat në potencë, sepse është në fazën e procesit të vlerësimit. Më tepër është një instrument IT që monitoron që në origjinë transaksionet e TVSH-së, pra që nga dogana deri te konsumatori i fundit, bazuar në atë çka quhet “success fee”. Në dijeninë time, Ministria e Financave është akoma në proces të thellë vlerësimi dhe evidentimi të detajuar të termave të referencës.

Opozita ju akuzon se keni lidhje me kompaninë që po ndërton HEC-in e Skavicës apo Katundi i Ri. Si është e vërteta, e penalizon licenca e re ndërtimin e projektit të madh të Skavicës?

Për sa i përket akuzës për kompaninë që po ndërton në HEC-in e Skavicës, nuk është fare kështu. E para bëhet fjalë për Katundin e Ri, është diga e vogël, le të themi, e kompleksit hidroenergjetik të mundshëm në të ardhmen. Është garë e hapur dhe konsurciumi turk është shumë dinjitoz. Lidhja ime e vetme me konsorciumin është që unë jam një shqiptar dhe një ministër, që mezi pres të shoh investime të huaja. Lidhja tjetër është që e vlerësoj konsorciumin, sepse është një konsorcium me zë, si në fushën e ndërtimeve, infrastrukturës, industrisë, turizmit dhe energjisë. Nuk bëhet fjalë për një projekt mega, por është pjesa e vogël e gjithë kompleksit energjetik të mundshëm. Në dijeni time, Ministria e Energjisë është e pajisur shumë më mirë se çdo institucion dhe ministri tjetër për të gjykuar teknikisht dhe financiarisht për ofertat e mundshme të pakërkuara.

Pse keni zgjedhur koncesionet si zgjidhje? Kam parasysh që jeni një qeveri e majtë që keni ndjekur një politikë fiskale që i përshtatet së majtës. Keni vendosur taksë progresive mbi të ardhurat, keni rritur përgjithësisht të gjitha taksat, dhe tani po i mëshoni zgjidhjes me koncesione. Mos është më e mirë rruga tjetër, taksa të ulëta dhe shërbime me koncesion?

Nuk është e re. Koncesionet janë prezente që nga shpikja e kapitalizmit në ekonomi të ndryshme të botës. Në kuadrin e Shqipërisë, kur ne jemi në një monitorim të detajuar të balancave makroekonomike dhe fiskale, ku kemi ndërmarrë trajtën ulëse të borxhit, për herë të parë kemi kaluar në një balancë pozitive primare fiskale në kontroll të deficitit, mënyra më e mirë për të tërhequr investime është edhe partneriteti publik privat. Dua të theksoj se ne akoma jemi në fillesë të evidentimit dhe inicimit të mundësive për partneritete publike private, sidomos të atyre shërbimeve dhe të drejtave që shteti nuk ka mundësi t’i zhvillojë me paratë e veta, për shkak të mungesës financiare apo mungesës të dijes.

Ju nisët një aksion kundër informalitetit dhe përse nuk ndërmori administrata tatimore vendosjen e platformës teknologjike të TVSH-së, por po përzgjidhni nëpërmjet një tenderi një kompani?

Është e gjitha në përputhje me atë aksion. Kush mendon se një koncesion është kundër një aksioni? Përkundrazi, asnjë përputhje nuk shkon në kundërshti të tyre. Një shërbim i koncesionuar apo një instrument që ndihmon uljen e informalitetit, nuk ka asnjë kundërshti në objektivin tonë për të ulur informalitetin. Më thoni një koncesion që rrit informalitetin. Përkundrazi, unë dua t’ju them se të gjitha koncesionet për shkak se janë partneritete publike private e ulin informalitetin. Edhe platforma e monitorimit të TVSh-së të jeni të bindur se nëse do të shkojë drejt realizimit, do të jetë një platformë e menduar mirë dhe në ulje të informalitetit. Dua ta theksoj se ky nuk është një koncesion i mbledhjes të taksës ashtu siç tenton të shitet nga opozita. Nuk zëvendëson punën e asnjë institucioni, përkundrazi ndihmon punën e institucioneve shtetërore. Instrumenti do të ngrihet dhe do të mirëmbahet nga një kompani për punë vitesh dhe më pas ajo i transferohet administratës tatimore dhe ky është një nga elementët e partneritetit publik privat.

INSTAT raportoi se kanë rënë edhe eksportet dhe importet. Mund të themi se ekonomia po vuan?

Ekonomia ka trend rritës, ne e gjetëm në 2013 me një nivel 1 për qind rritjen ekonomike dhe statistikisht në 2014, rritja ekonomike shkoi 2,4 për qind, në vitin 2015 u rrit 2,75 për qind dhe tani po kalojmë në fazën tjetër të rritjes ekonomike mbi 3 për qind. Pra, kemi një rritje të ekonomisë. Të gjitha këto transferohen sigurisht te rritja e konsumit, te besimi i qytetarit në ekonomi dhe te besimi i sipërmarrjes në ekonomi. Shifrat e importit dhe eksportit, është shumë e rëndësishme që t’i shohim në detaje. INSTAT-i thotë që është ulur në sasi eksporti i naftës me 2,2% dhe është ulur në vlerë 30%. Pra, situata e jashtme globale ka ndikuar drejtpërsëdrejti në bilancin tregtar. Po pse të mos marrim anën tjetër? Në qoftë se ne kemi humbur nga renta dhe nga eksporti, pse të mos themi që ne kemi fituar nga ulja e çmimit të naftës, e cila është rekord në krahasim me një periudhë gati 7-vjeçare dhe janë 200 milionë dollarë çdo vit që shkonin për konsumin e naftës dikur. Në dy vitet e fundit, nga 180-200 milionë dollarë shkojnë në konsum të mallrave të tjerë. Në finale, për të gjithë ne, shifra që është spiranca mbi të cilën gjykojmë është rritja ekonomike dhe rritja ekonomike është e lidhur drejtpërsëdrejti me uljen e varfërisë.

Ju jeni ministër përgjegjës për ekonominë, mendoni se klima e biznesit në Shqipëri është e tillë që të nxisë investimet e huaja? Pse sot nuk ka kompani të mëdha që duan të investojnë këtu?

Duke iu referuar të dhënave të Bankës të Shqipërisë, tregojnë se investimet e huaja kanë njohur rritje serioze. Shifrat tregojnë që investimet e huaja direkte në 9-mujorin e vitit 2014 kanë qenë 621 milionë euro, ndërsa në 9-mujorin e vitit 2015 janë 714 milionë euro. Pra, kemi një rritje të investimeve direkte të huaja në 100 milionë euro. Nëse do të marrim një trajektore mesatare të rritjes ose të hyrjes së investimeve në çdo tremujor, do të kalojë investimet e huaja gati 950 milionë euro, që shënon sërish rekord në shumë e shumë vite. Pra, këto shifra tregojnë se kompanitë e huaja janë prezente në vend, investojnë dhe gjenerojnë të ardhura dhe punësim. Dhe kjo ka ndodhur pasi klima e të bërit biznes është përmirësuar, kemi nxitje dhe mbështetje të investimeve të huaja.

Ka një mungesë investimesh nga buxheti i shtetit, janë rreth 150 milionë dollarë para të pashpenzuara…

Më vjen keq që ta them, por pyetja që ju bëni nuk qëndron. Nuk është e vërtetë që kemi 150 milionë dollarë të pashpenzuara. Ne ndryshuam buxhetin e vitit të kaluar për të transferuar fondet e projekteve të cilat nuk kishin ecuri të mirë, drejt atyre që kishin performancë të lartë. Pra, nuk kemi shpenzime të parealizuara. Me buxhetin e vitit 2016, ne kemi parashikuar investime me impakt në ekonominë e vendit. Investimet do të përqendrohen në ujësjellës, në bujqësi, në teknologji në energji dhe patjetër transporti janë disa nga sektorët ku është fokusuar qeveria për investimet publike

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura