Me kokë të qethur, i mbështetur pas murit. Fotoja e Visar Zhitit pas arrestimit: Thashë se do më pushkatonin. Përpjekja e rrallë e malësorëve: Na lironin mësuesin

Sep 18, 2019 | 12:12
SHPËRNDAJE

visar-zhiti-750x983

Dashnor Kaloçi/ Dëshmia e rrallë e shkrimtarit, poetit, publicistit dhe diplomatit Visar Zhiti në emisionin e njohur RREFIM në Tv Scan, lidhur me arrestimin e tij më 8 nëntor të vitit 1978 pas një shënimi që kishte bërë Ramiz Alia mbi një raport-informacion të Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” ku Zhti kishte dërguar për botim një vëllim poetik. Si u ngritën një grup fshatarësh nga fshati Vilë në atë dimër të ftohtë duke bërë disa orë rrugë në këmbë në ngrica e acar dhe shkuan në degën e Brendëshme ku i kërkuan kryetarit Agron Kokona që ta lironte mësuesin, pasi fshati i tyre që kur ishte krijuar, nuk kishte bërë vaki me e pre mikun në besë….?!

“Në mesditën e 8 nëntorit të vitit 1978 teksa isha duke shëtitur me mikun tim, drejtorin e Teatrit të Kukllave, më hodhën hekurat dhe më arrestuan në mes të qytetit të Kukësit ku shërbeja si mësues prej disa vitesh pas diplomimit në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës. Pas kësaj ashtu të lidhur më çuan në Degën e Punëve të Brendëshme të Kukësit ku pasi më qethën kokën zero, më mbyllën në qeli.

Pas disa ditësh më nxorrën nga qelia dhe më thanë të mbështetesha pas një muri pa lëvizur. Fillimisht u friksova se thashë kushedi çdo bëjnë me mua, ndoshta do më pushkatojnë….ashtu siç kishim parë nëpër filma….?! Por ajo ndjesi e tmerrshme më kaloi shpejt, kur para meje u shfaq një njeri që mbante një aparat fotografik në dorë dhe më tregoi se si duhej të pozoja para tij…”.

Kështu e kujton shkrimtari, poeti, publicisti, përkthyesi dhe diplomati Visar Zhiti, momentin e arrestimit të tij, pikërisht në atë ditë feste, (8-nëntor) ku ata që kishin kurdisur arrestimin e tij, donin “ta gëzonin Partinë” se kishin zbuluar “një armik të popullit”. Kështu pas disa ditësh ku e lanë të mbyllur në një nga qelitë e hetuesisë së Degës së Brendëshme të Kukësit, pasi i bënë dhe foton që duhej për kartelën që hapej për të burgosurin, ndaj tij filloi menjëherë procesi hetimor.

Visari kujton se ishte ai i pari që iu drejtua hetuesit duke i thënë: “Po, pse po më arrestoni”?! “Po… se ke bërë agjitacion e propagandë”, iu kthye hetuesi me një ton të lartë dhe të prerë, gjë e cila nënkuptonte se ai kishte ardhur aty të jepte llogari dhe jo të kërkonte. Por pa mbaruar mire fjalën hetuesi, Visari ia ktheu përsëri po me të nëjten qetesi si me pyetjen e parë: “Po ajo është detyra ime, të bëj agjitacion e propagandë, pasi jam mësues…” “Po, por agjitacionin e propagandën e ke bërë kundra Partisë dhe pushtetit popullor”, ia ktheu hetuesi me një ton brutal, gjë të cilën ai dhe kolegët e tij e vazhduan deri në fund të hetimeve në muajin prill të vitit 1979 kur dhe u zhvillua gjyqi ndaj tij dhe e dënuan me 13 vjet burg politik me akuzën e agjitacion-propagandës.

Por para se të dilte në gjyq, madje që në ditët e para pas arrestimit, ndodhi një gjë që rrallë ndodhte asokohe me të arrestuarit politik që akuzoheshin për krime kundër shtetit: Një grup fshatarësh, një ditë të ftohtë dimri zbritën nga fshati Vilë duke bërë disa orë rrugë në këmbë në ngricë dhe në acar dhe shkuan para Degës së Punëve të Brendëshme të Kukësit?! Po çfarë kërkonin ata fshatarë aty pranë asaj godine që ndillte vetëm frikë e ankth dhe të kallte tmerrin me hijen e saj?!

Këtë gjë e kujton fare mirë një nga nxënësit e Visarit, Selman Billa, i cili midis të tjerash shkruan: “Nga katundi Vilë i Kukësit ku Visari ishte mësues, u ngritën nëntë malsorë me qeleshe të bardhë në dimrin e ftohtë me borë dhe acar dhe kërkuan takim me Kryetarin e Degës së Punëve të Brendëshme, Agron Kokona, për të liruar Visarin. Pasi i priti, Kryetari i Dëgës lejoi të flsinin vetëm Feriz Dragjoshin dhe Ismail Latif Billën.

Islami i thotë Kryetarit të Degës se: “Unë kam djalin e madh sakat qysh se ka le tash 30 vjet. Prej ditës që ju e keni shti në burg mësuesin, atij nuk jan tuj u tha lotët prej së keqit që i vjen për të. I lexojke libra dhe i kallxojke histori që ja ndryshoi gjëndjen djalit, për hatër të vocit tem dhe të popullit të Vilës, na e falni msuesin se na e njohim për ma të mirin deri më ditë të sodit.

Ndërsa Ismail Latifi i thotë Kryetarit të Degës: “Na e ndiem veten shumë ngusht me arrestimin e msuesit, me na pas ndalue nji djal tonin, noshta nuk do kishim ardh, porse qysh asht kurdis katuni ynë, nuk na ka ba vaki mos me i dal zot mikut kur asht me bukën tonë, kurrë nuk jena kanë mikpremë e me dasht ti o Kryetar, na e liron prej ktuhit e na do ta dina për nere sa t’ jesë jeta”.

Kryetari i Dëgës u tha malsorve: “Ju keni bërë mundin tuaj në këtë mot të ftohtë për mësuesin e fshatit tuaj dhe po thoni se ai është më i miri nga gjithë të tjerët, kjo ngelet për t’u parë. Ju po ma kërkoni ta liroj, por jeni në vëndin e gabuar, pasi unë kam në dorë vetëm çelësin e prangave dhe për mundin tuaj, nuk do ja shtërngoj fort. Çelësin e derës nuk e kam unë, çelësi i derës është në Tiranë, shkoni dhe merreni çelësin atje lart te Partia dhe unë do tua liroj mësuesin”.

Pas kaq vitesh doli se një kryetar Dege paska thënë një të vërtetë, e pavarësisht se ai ishte I keq, por katil mbi katila paska qenë Ramiz Alia”.

Të gjitha këto, pra zanafilla e arrestimit dhe procesi hetimor ndaj tij, erdhi pas një raport-informacioni që Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” në Tiranë kishte dërguar në Komitetin Qëndror të PPSH-së më 27 korrik të vitit 1978, lidhur me një vëllim poetik që Visar Zhiti kishte dërguar për botim. Dhe mbi atë informacion të Shtëpisë Botuese ku merreshin në analizë poezitë e Zhitit dhe tre poetëve të tjerë, të cilat etiketoheshin për manierizma, poezi hermetike, moderniste etj etj, Sekretari i Komitetit Qëndror të PPSH-së, Ramiz Alia (që mbulonte artin, kulturën dhe propagandën), me shkrimin e tij kishte bërë një shënim të gjatë, ku ndër të tjera në fund porosiste:

“Asnjë lëshim mos bëni, mos e nënvleftësoni këtë çështje, se mund të bëhet e rrezikshëme. Por ndiqeni dhe çojeni deri në fund bashkë me organizatat e tjera këtë problem. Më njoftoni përfundimin”.

Dhe pas kësaj, sipas porosisë së lënë me shkrim nga Alia, dokumenti në fjalë me raport-informacionin u jepej për njoftim, edhe gjysmës së Byrosë Politike, si p.sh.: Simon Stefanit dhe Hekuran Isait, (dy sekretarëve të Komitetit Qëndror të PPSH-së që mbulonin sektorin e Diktaturës së Proletariatit, si Ministrinë e Brendëshme, Sigurimin e Shtetit, Prokurorinë, Hetuesinë, Gjykatat, kampe-burgjet, etj), dhe Manysh Myftiut, Foto Çamit, Xhelil Gjonit, Pirro Kondit, si dhe Mehmet Karakushit e Miti Nitos, dy funksionarë të lartë në aparatin e Komitetit Qëndror për artin, kulturën dhe propagandën. Ky shënim i Ramiz Alisë rezultoi fatal për poetin e ri Visar Zhiti i cili që nga viti 1972, kur miku i tij, poeti i njohur Xhevahir Spahiu, i botoi disa poezi në revistën “Nëntori” dhe “Drita”, rrekej të botonte atë vëllim poetik që i kthehej dhe i rikthehej nga redaktorët e Shtëpisë Botuese për ta rregulluar si papërshtatshëm për botim, dhe ai (Visari), jo vetëm që nuk ia arriti asaj, por përfundoi pas hekurave të burgut për vite me rradhë, ku vazhdoi pasionin e tij, duke shkruar poezi dhe duke i nxjerrë ato fshehurazi nga burgu me mënyra nga më të ndryshmet.

Lidhur me këto dhe ngjarje të tjera nga periudha e burgut prej nga ku ai do të lirohej në fundin e viteve 80-të, duke përfunduar si puntor ngarkim shkarkimi në Fabrikën e Tullave në Lushnje, (ku familja e tij prej vitesh jetonte gjysëm e internuar), etj etj, Zhiti i ka treguar në emisionin tashmë të njohur “RREFIM” në Tv Scan me president znj. Elvana Hana.

Në rrëfimin e tij ndër të tjera z. Zhiti bëri publike për herë të parë foton që atij i bënë pak minuta pas arrestimit më 8 nëntor të vitit 1978, foto e cila është siguruar nga dosja e tij e marrë para pak kohësh në Autoritetin për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.

Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura