“Me këtë gjuhë kam folur edhe me…”, Majko ankohet për buxhetin, qeveria i jep 16% të kërkesës

Nov 14, 2018 | 10:11
SHPËRNDAJE

Ministri Pandeli Majko ka mbetur i pakënaqur nga buxheti që i ka dhënë Ministria e Financave për vitin 2019.

majko1

Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Jashtëm, ku u shqyrtua buxheti i parë për Agjencinë Kombëtare të Diasporës, Pandeli Majko u shpreh se për të vijuar punën, nevojiten fonde më të larta. Fondi për Agjencinë Kombëtare për Diasporën do të jetë 16% e shumës që ka kërkuar ministria.

Konkretisht, Ministria për Diasporën kërkoi që Agjencia Kombëtare për Diasporën të kishte një buxhet prej 165 milion lekë për vitin 2019. Por, Ministria e Financave i alokoi kësaj agjencie shumën prej 26.5 milionë lekësh që, sipas Majkos, janë të pamjaftueshme për të zhvilluar aktivitetin e kësaj agjencie.

“Kemi vetëm disa probleme, të cilat unë po i shtjelloj shkurtimisht. Duke qenë se për agjencitë apo institucionet që përcaktohen nga legjislacioni për diasporën, nga një paketë prej tre ligjesh që është miratuar nga Parlamenti gjatë këtyre muajve, ndryshe nga paraqitja në buxhet, atë e kam paraqitur në projektbuxhet si një zë për të tri institucionet, përkatësisht për Agjencinë Kombëtare të Diasporës, Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe Qendra e Botimeve për Diasporën. Sipas legjislacionit të cituar, këto institucione duhet të jenë me buxhet të ndara, me zë më vete. Shifra 26.5 milionë është shumë e vogël. Tani o do merremi, o nuk do merremi. Me këtë gjuhë unë kam folur edhe me ministrin kur është diskutuar buxheti. Kërkesat fillestare të Agjencisë Kombëtare të Diasporës kanë qenë 165 milionë lekë”, u shpreh Ministri Majko, duke u shtuar se ky buxhet është i pamjaftueshëm për t’u ardhur në ndihmë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, prandaj duhet të rishikohet sërish nga Ministria e Financave.

Kërkesa e bërë nga ana e ministrit gjeti mbështetjen e anëtarëve të Komisionit të Politikës së Jashtme. Kryetarja e Komisionit, Mimi Kodheli, u shpreh se Komisioni do t’i adresohet Komisionit të Ekonomisë si komision përgjegjës për të rritur fondet për Agjencinë Kombëtare të Diasporës sipas kërkesave të bëra nga ministri Majko.

PANORAMA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura