“Me Ilir Metën kam një marrëdhënie të shkëlqyer personale”/ Palmer: Nuk mbajmë anë të asnjë pale politike

Apr 7, 2021 | 7:58
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Zv.ndihmëssekretari i Shtetit të SHBA, Matthew Palmer, zhvilloi dje një takim virtual dhe me përfaqësues të medias, por edhe të institucioneve të drejtësisë në vend.

palmer meta

Pas takimeve virtuale me Presidentin e Republikës, Ilir Meta, Kryeministrin Rama dhe kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, ku diskutuan mbi përparësitë e SHBA, përfshirë pritshmëritë për zgjedhjet e 25 prillit, zoti Palmer më pas bisedoi edhe me gazetarët shqiptarë për të dhënë mesazhet e tij. Ai u shpreh se në këtë takim është diskutuar për shtimin e marrëdhënieve të sigurisë, rëndësinë e zgjedhjeve për standarde të larta dhe kandidatë të pastër. “Folëm për shtimin e marrëdhënieve të sigurisë, rëndësinë e zgjedhjeve për standarde të larta dhe kandidatë të pastër, rëndësinë e sigurimit të besueshmërisë për qytetarët për rezultatin e zgjedhjeve. Ne shpresojmë që në qershor të shohim mbledhjen e parë ndërqeveritare. Duam zgjedhje të suksesshme që pasqyrojnë vullnetin e shqiptarëve”, është shprehur Zv.ndihmëssekretari i Shtetit të SHBA.

PRESIDENTI

Zyrtari i lartë i SHBA foli edhe për marrëdhëniet me Presidentin Ilir Meta, i cili nuk i ka kursyer sulmet kundër ndërkombëtarëve sa herë që ka folur për Reformën në Drejtësi. “Me Ilir Metën kam një marrëdhënie të shkëlqyer personale. Flasim hapur. SHBA është në të njëjtën anë, është me Shqipërinë. Ne nuk mbajmë anë të asnjë pale politike”, tha ai. Presidenti Meta ka folur për diplomatë të korruptuar që bëjnë eksperimente me Shqipërinë. “Ilir Meta nuk pyet për horrat dhe gangsterët, nuk pyet për mafien ndërkombëtare dhe as për diplomatë të korruptuar. Ilir Meta mendon vetëm për Shqipërinë dhe për respektimin e Kushtetutës. Madje, edhe sot kam një paralajmërim të prerë për ta, në veçanti për mafien ndërkombëtare, të bëjnë kujdes sepse Shqipëria nuk është një vend eksperimental”, është shprehur Meta.

KANDIDATËT

I pyetur nga “Top Channel” për kandidimin e Tom Doshit, Palmer tha se ambasadorja Yuri Kim ka qenë më se e qartë në deklaratat e saj, se kandidatët duhet të jenë të besueshëm. Ai u shpreh se më e rëndësishmja është të ketë zgjedhje transparente, si dhe të vijojë Reforma në Drejtësi.

“Nuk dua të hyj në detaje. Për të identifikuarit me probleme ne bëjmë kërkimet tona dhe jemi të sigurt. Listat e kandidatëve nuk janë perfekte. E rëndësishme ajo çfarë ka thënë Yuri Kim. Ata që kandidojnë duhet të jenë të besueshëm. Yuri Kim ka qenë e qartë në deklaratat e saj. Ka pasur progres në Shqipëri në Reformën në Drejtësi, por ka ende shumë punë për të bërë. Ne kemi detyrë të jemi të qartë me Shqipërinë. Ne duam një Shqipëri gati për në BE. Progres është bërë ka shumë për të bërë. Ne duam njerëz me influencë të ndëshkohen. Kjo është llogaridhënia. Po ecet në drejtimin e duhur. Ne duam progres të shtuar dhe me shembuj në këtë fushë. Reforma në Drejtësi do të vazhdojë, ka ende për të sjellë rezultate”, u shpreh ai.

Pak kohë më parë, zoti Palmer nuk e përjashtoi shtimin e listës së departamentit amerikan me zyrtarë shqiptarë non grata për shkak të korrupsionit. “Në njëfarë mënyrë nuk i parashikojmë vendimet për sanksionet, por ama jemi të ndërgjegjshëm ashtu sikur edhe shumë të tjerë janë të ndërgjegjshëm që këto janë instrumente të rëndësishme efikase dhe të fuqishme për të çuar përpara sundimin e ligjit dhe të kërkojmë llogaridhënie nga ata që kanë abuzuar me pozicionet politike. Nuk kemi qenë të druajtur nga përdorimi i këtij instrumenti në të shkuarën dhe normalisht që nuk do të druhemi ta përdorim atë në të ardhmen”, tha Matthew Palmer.

Zv.ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, ka folur për vaksinat në Shqipëri dhe zgjedhjen që ka bërë qeveria e Ramës për të marrë prodhimet ruse e kineze. Palmer thotë se zgjedhja i përket Shqipërisë dhe se SHBA nuk ndërhyn në punët e brendshme. “Çdo vend të bëjë më të mirën për shëndetin e qytetarëve duke parë çfarë vaksinash janë të sigurta dhe të dhënat që vijnë për këto vaksina. Është çështje e Tiranës, qeverisë, të vendosë për këtë. Ne s’ndërhyjmë në politikën e brendshme të vendeve”, është shprehur ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura