“Më e keqja ndodhi”/ Anëtari i Kryesisë së PD mesazh demokratëve: Është koha e një projekti të ri politik, për një opozitë të re

May 12, 2021 | 14:28
SHPËRNDAJE

Anëtari i kryesisë së PD dhe kandidati për kryetar i kësaj partie, Fatbardh Kadilli i është drejtuar qytetarëve demokratë me një video-mesazh, ku thekson se përballë një kundërshtari që sipas tij ‘dihet kush është’, “nuk është koha për t’u fshehur pas diabolizmave, hileve dhe arrogancës së tij”.

Kadilli shprehet se tani është koha “të jemi të vërtetë me veten si demokratë. Të ofrojmë një qasje të re. Një projekt të ri politik për Partinë Demokratike. Një opozitë të re”.

“Demokratë dhe mbështetës të PD, më e keqja ndodhi. Një kundërshtar diabolik u rikonfirmua në qeveri. Ne demokratët e shohim veten përsëri në opozitë. Hymë në këto zgjedhje me shpresë, por bashkë me shpresën nxirrte kokë dhe dyshimi se nuk ishte bërë sa duhet”, thekson ndër të tjera anëtari i Kryesisë, Kadilli.

Fjala e plotë

Demokratë dhe mbështetës të PD, më e keqja ndodhi. Një kundërshtar diabolik u rikonfirmua në qeveri. Ne demokratët e shohim veten përsëri në opozitë. Hymë në këto zgjedhje me shpresë, por bashkë me shpresën nxirrte kokë dhe dyshimi se nuk ishte bërë sa duhet.

Cili demokrat nuk u shqetësua deri në lodhje nga vonesat e lidershipit, nga mungesa e ekipeve politike në terren? Cili demokrat nuk u lodh deri në rraskapitje nga paqartësitë e lidershipit? Nga mungesa e informacionit për çdo vendim të rëndësishëm?

Cili demokrat nuk u rraskapit deri në stërmundim pse nuk u mobilizuan gjithë energjitë, gjithë faktorët dhe gjithë individët që mund të sillnin ndryshimin?

Të gjitha dyshimet tona, që i ngritëm me ndershmëri mes nesh, nga anëtari më i thjeshtë, te drejtuesit e degëve e deri në qendër, janë sot pasqyra ku shohim fytyrën e humbjes. Të gjitha mëdyshjet dhe shqetësimet që i ngritëm liderit, me besnikëri, që të na dëgjohej zëri, ranë në një vesh shurdhër.

Ato janë sot, kjo e sotme pa të ardhme të qartë. Kundërshtari është ai që është: një dhe i pandryshueshëm. Por, nuk është koha për t’u fshehur pas diabolizmave, hileve dhe arrogancës së tij.

Ai ashtu është dhe ashtu do të jetë përsëri. Edhe në përballjen e radhës edhe në zgjedhjet e tjera, ndryshimin e kundërshtarit e bëjmë duke ndryshuar së pari vetë.

Duke bërë pyetjen: a duhet të ndryshojmë diçka apo të vazhdojmë kështu se jemi mirë? Është koha të jemi të vërtetë me veten si demokratë.

Të ofrojmë një qasje të re. Një projekt të ri politik për Partinë Demokratike. Një opozitë të re. Për të gjithë. Me të gjithë. Gjithkund dhe gjithherë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura