Më e fortë PD-ja pas Kuvendit, por më e vogël elektoralisht…

Jul 29, 2021 | 9:15
SHPËRNDAJE

Eduard_ZALOSHNJA

EDUARD ZALOSHNJA

Pak pikëpyetje kishte para Kuvendit të PD-së se ç’do të ndodhte me propozimet e rivalëve të Bashës për ndryshimet rrënjësore në statutin e partisë. Gjithashtu, të pakta ishin pikëpyetjet për të ardhmen e tyre politike në radhët e PD-së. Pikëpyetja e madhe ishte se çfarë qëndrimi do të mbante Kuvendi, e në veçanti Basha, pas shpalljes se Berishës person non-grata nga Departamenti i Shtetit Amerikan. Një distancim i hapur publik ndaj Berishës në Kuvendin e PD-së do të paralajmëronte përjashtimin e tij nga Grupi Parlamentar i PD-së në shtator, gjë që do ta linte atë si një deputet të vetmuar…

Por mënyra triumfale sesi u prit Berisha në Kuvendin e PD-së dhe ngrohtësia e pamatë që shfaqi Basha ndaj tij e davaritën çdo dyshim për të ardhmen politike të Berishës. Mesazhi nga ai Kuvend ishte se PD-ja është grusht çeliku e bashkuar rreth dyshes Basha-Berisha, ndërsa kritikët e Bashës përbëjnë vetëm një bezdi të radhës për partinë e mësuar me bezdi të tilla ndër vite…

Në qoftë se e kundërta do të kishte ndodhur (pra, nëse do të ishte mbajtur një qëndrim i ftohtë ndaj Berishës dhe do të ishin pranuar disa nga propozimet e rivalëve të Bashës), elektorati i PD-së rrezikonte të ndahej përgjysmë në shtator. Në fakt, nga një sondazh kombëtar që zhvillova pas kuvendit të PD-së, më rezultonte se numri i atyre që preferonin Bashën si politikan ishte pothuaj i barabartë me numrin e atyre që preferonin Berishën. Me fjalë të tjera, një përplasje e hapur mes Bashës dhe Berishës mund ta ndante elektoratin e PD-së në dy pjesë pothuaj të barabarta. Ndërsa duke vazhduar bashkë, partia bëhet më e fortë.

Por a është aktualisht më e madhe përkrahja ndaj PD-së në elektorat?

Në sondazhin e sipërcituar, rezultonte se vetëm treçereku i të anketuarve që kishin votuar për PD-në më 25 prill zgjidhnin Bashën ose Berishën si politikanin më të preferuar të tyre. Ndërkohë, çereku tjetër i votuesve të PD-së nuk preferonte asnjërin nga 6 politikanët kryesorë të Shqipërisë (ku përfshiheshin Rama, Veliaj, Balla, Basha, Berisha e Meta).

Treçereku i atyre që votuan për PD-në më 25 prill janë shumë pak për dyshen BashaBerisha, për të filluar betejën e gjatë me Ramën dhe lejtnantët e tij, që i kanë ruajtur kuotat e tyre elektorale…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura