Me çfarë do ta nisë punën në shtator Qeveria, Rama paralajmëron …

SHPËRNDAJE

FATION BINJAKU / Në muajin shtator, Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se titujt e pronësisë do të jepen nga një agjenci e vetme, në të cilën do të shkrihen ALUIZNI dhe hipotekat. Gjatë takimit me qytetarët, të cilët kanë bërë denoncime në platformën online të bashkëqeverisjes, Rama ka dëgjuar problematikat e tyre dhe i ka inkurajuar ata që të vazhdojnë denoncimet. Pasi dëgjoi problematikën e një qytetari dhe zvarritjen që i ishte bërë prej vitesh me lejen e legalizimit, Rama tha se rrugën korrupsionit do t’ia mbyllë dixhitalizimi.

rama

“Rruga më e shkurtër është platforma. Patjetër që ka pasur shumë, por nuk ka pak korrupsion në shërbime dhe sigurisht që një mënyrë për ta, si të thuash asgjësuar, praninë e kudondodhur të korrupsionit në shërbime është reformimi i institucioneve, dixhitalizimi i shërbimeve, rritja e përgjegjësisë. Por, ndërkohë që ne po bëjmë këtë dhe e kam thënë dhe e përsëris, tani në shtator do të fillojë procesi i finalizimit të reformës që përgatisim prej një viti, të trajtimit të titujve të pronësisë, bashkimi i agjencive”, tha ai.

Shefi i qeverisë tha se me bashkimin e institucioneve dhe dhënien e shërbimeve në një zyrë të vetme, do të marrë fund ping-pongu që luhet me qytetarët. “Hipoteka dhe ALUIZNI nuk do jenë më dy agjenci që njëri ta jep e tjetri nuk ta jep, ping-pong, futboll, volejboll me fatet e të drejtat e njerëzve, por njëkohësisht duhet të bashkëpunojmë, bashkëpunojmë, ndërveprojmë dhe qytetarët duhet të përdorin platformën si rrugën më të shkurtër. Nuk kushton asnjë lek, nuk merr asnjë minutë më shumë se 3 minuta dhe nuk duhet të kesh asnjë mik sepse mjafton të çosh aty sinjalin dhe ke ministrin aty në dispozicion. Çdo ministër është në dispozicion të çdo qytetari kur çështja lidhet me sektorin e tij dhe kjo është rruga”, ka thënë ai.

LIGJSHMËRIA

Duke folur për akuzat që janë bërë nga opozita për promovimin e një platforme onlinë të paligjshme, Kryeministri ka sqaruar se kjo nismë është transformimi i zyrave të marrëdhënieve me publikun. Sipas tij, zyrat fizike në të shumtën e rasteve nuk arrijnë t’ua përcjellin ministrave shqetësimet e qytetarëve.

“Shumëkush thotë, ‘po si ka mundësi, po çfarë është kjo, po kjo platforma është e paligjshme, po kjo ashtu se duhet të funksionojë në zyrë’. Platforma është thjesht dhe vetëm transformimi i zyrave të marrëdhënieve me publikun, nga një rrjet i kotë zyrash që torturonin njerëzit, në një adresë të vetme dhe çdokush e ka zyrën e marrëdhënieve me qeverinë në xhep, në telefonin e vet. E nëse zyrat e marrëdhënieve me publikun nuk arrinin kurrë që të çonin një letërankesë deri te tavolina e ministrit, platforma e çon zërin e çdo qytetari te veshi i ministrit dhe jo vetëm kaq, por ne çdo të mërkurë,-edhe tani mbas këtij takimi, kemi mbledhjen e qeverisë – dhe në çdo mbledhje qeverie nuk mbyllet pa pikën e fundit, që është raportimi i çdo ministri për platformën dhe për hallet e drejtpërdrejta të qytetarëve”, është shprehur ai.

PANORAMA

 

Te lidhura

 

Artikulli paraprakMungesë e madhe e Skocisë, ylli i Premier Ligës do të mungojë përballë Shqipërisë
Artikulli tjetërNgjashmëri e frikshme! Aktori shqiptar prezanton sozinë e tij: Menduat se jam unë...

S'KA KOMENTE

Comments are closed.