“Me bukë me triskë, por kishte teatro”- Robert Radoja rrëfen jetën mes diktaturës dhe demokracisë: Nëse të duartrokisnin ata në rresht të parë…

Jul 7, 2021 | 18:02
SHPËRNDAJE

radoja 1

Kompozitori i njohur, Robert Radoja, ka rrëfyer jetën mes dy sistemesh. Në një intervistë në “News 24” kompozitori pyetet mbi vitet 1970 ku shumë artistë u goditën nga Partia Komuniste, moment për të cilin Radoja shprehet:  “Të gjithë kemi pasur frikë asokohe.

Ata që thonë se ishin të lumtur, e kishin këtë frikë. Diktaturë do të thotë “të bësh si them unë”.

Sa i takon artit në komunizëm dhe funksionit të tij propagandistik, Radoja ka një shpjegim: “Filmat po, kishin propagandë por kishin edhe artistë të jashtëzakonshëm që luanin në to”.

Si një krahasim mes dy kohëve, ai thotë se ka më shumë varre në demokraci se sa para 1990-ës, e ndërsa vihet para konstatimit se varret e komunizmit mungojnë sepse 6 mijë vetë janë të zhdukur dhe pa varr, profesori, vë në peshore dy kohët e sistemet politike: “Ka të zhdukur në komunizëm e në liri, mos e harroni Remzi Hoxhën”.

Sa i përket miqësisë me Robert Papavramin, ai thotë: “Çështja e Papavramit është histori me vete, ju dha një mundësi dhe e shfrytëzoi”. Kur pyetet për pengjet, Radoja pohon se është një “thes” që nuk mund ta hapë.

“Kemi jetuar më të bukurën e jetës dhe jam mirënjohës. Dikur kishte xhelozi dhe kritika ishte duartrokitja e atyre në rresht të parë. Nëse duartrokisnin ata e kishe kaluar, nëse jo, kishe probleme”, thotë Radoja duke nënkuptuar ekipet e censurës, dhe në fund pranon: “Këto janë mendimet e mia, janë të kontestueshme doemos”. /BW/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura