Me Altinin e Mrizit. Rri në Shqipëri, rri në shtëpi!

Jan 19, 2020 | 13:24
SHPËRNDAJE

Po ku ka si ty o Shqipëria ime! Rudina Xhunga e nisi me këtë frymëzim 2020-ën, në emisionin “Shqiptarët e mrekullueshëm”. Për të ndarë me audiencën një mesazh të ri: Rri në Shqipëri, rri në shtëpi!

Rudina e nisi te Mrizi i Zanave. Sepse me kë tjetër, përveçse me Altin Prengën, djalin e artë që solli agroturizmin në Shqipëri, mund të niste kjo nismë.

Intervista

Rudina Xhunga: E dini çfarë kam pas meje unë? Duket sikur kam një hotel, hoteli e Mrizit të Zanave. Jo, është një prej vendeve më të fotografuara dhe në gazetat më të rëndësishme të dizajnit botëror. Nga Vogue te AD, e gjen kudo.

Altin Prenga: Me thënë të drejtën, kur e bëmë jo vetëm “Kullën e Arnueme”, por edhe në vetvete “Mrizi i Zanave” kështu ka nisur. Ne nuk e prisnim atë çfarë ndodhi më vonë. Edhe me kullën kishim dëshirë të bënim diçka të bukur, që shkon përtej asaj. Ne kemi ndenjur 6 muaj me arkitektët duke diskutuar për të shkuar aty ku duhet. Por prapë se prapë nuk e prisnim që do të kalojë kufijtë.

Rudina Xhunga: Po ç’paskeni qenë ju lezhjanët? Ju keni ngelur këtu, edhe  e keni kthyer në oazë të kulinarisë shqiptare dhe tani edhe të dizajnit. 

Altin Prenga: Kemi qenë zona shumë të varfra dhe  më pak ‘të llastuara’ në diktaturë. Dhe realizimi socialist ka penetruar më pak. Domethënë kemi mbetur shqiptarët autentikë, ndoshta pak primitivë, por autentikë. Kjo është ideja. Edhe në dialekt dallohet që jemi ata që me vështirësi flasim shqipen. Sepse me të vërtet kemi mbetur ata që ishim. Kjo që ka qenë dikur jo e mirë, sot është kthyer në diçka pozitive, sepse realisht i jemi rikthyer identitetit tonë. Bekim Miloti një mirditor, Tol Luli një malësor, nga Malësia e Madhe, çuna të rinj që njëri studioi arkitekturë në Firence dhe tjetri në Tiranë, kemi thënë: “Ta marrim dhe ta trajtojmë kullën si një diamant!” si të diçka me vlerë, sepse për ne është vlerë. Ku është rritur çdo shqiptar, jo vetëm verior, që është rritur nëpër male, nëpër kodra, me traditë barinjsh. Një shqiptar i vërtetë.

Rudina Xhunga: Kulla ka qenë ekzistuese?

Altin Prenga: Po. Tërmeti i ’79-ës, i dha një plasaritje të madhe. Dhe ka ndenjur ashtu.

Rudina Xhunga: Kemi edhe një problem ne shqiptarët. Neve mund të na pëlqejë, por pa dalë kjo jashtë dhe pa thënë të huajt që është e bukur, nuk e themi. Kështu që këtë ka bërë të mirë Altini. I ka ardhur nga Kina. Nuk ka të huaj që nuk vjen këtu. Është një oazë shqiptare, ku ti vjen patjetër. Nuk ka ambasador, grup që ka një takim dhe do ta bëjë te Mrizi. Kur e pashë për herë  të parë ndjeva një gëzim të madh. E pashë te “Architecture and design” dhe thashë: “Uau, e jona, e Altinit!” Kjo është kënaqësia më e madhe. 

Altin Prenga: Po ta shikosh është fiks një fije. Realisht, e them me krenari që në Ballkan është shtëpia më  e publikuar. Nuk ka rëndësi nëse është një hotel superluksoz, apo jo. Kjo ka kushtuar shumë pak, por është publikuar shumë. E përsëris, është një fije që ka vazhduar të gjitha ato që kemi bërë. Ne kemi bërë një mulli që punon me energji  diellore. Për shembull kuzhina jonë. Kemi bërë ato që në fillim mua më vinte inat kur kthehesha në Shqipëri dhe tabuja kryesore që kam dashur të thyej, ishte: Një gatim që bëhet me petë të freskëta, ti mund ta mbushësh përsipër me kungull, ose mund të jetë me mish, ose me perime. Nëse në një restorant në Shqipëri mund ta quaje lazanja, ti e shisje një porcion të vogël,  me çmim të  shtrenjtë. Por nesër e quan byrek, jo. Nuk shitej fare në restorante. Ai u përkiste mëngjesoreve, nënave nëpër shtëpi. Por thyerja e tabusë që kjo gjëja jonë vlen dhe në restorant shkohet për të bërë eksperiencë ushqimore, me byrek,  kjo ka qenë diçka që unë nuk e kam gjetur kur  kam ardhur në Shqipërinë time. Dhe nuk më pëlqente. Thosha, si ka mundësi që nëse unë këtë e quaj lazanja, krokante, tartë, kremoze, gjithë këta terma të huaj, mund ta shes sa të dua, nëse i them byrek jo. Por realisht çfarë është lazanja? Është gatimi i gjyshes së italianit, byreku është gatimi i gjyshes sime.

Rudina xhunga: Atëherë pse gjyshja e tij, vlen më shumë se gjyshja ime? 

Altin Prenga: Bravo! Kjo është ideja. Kjo është edhe fija e kullës, gjithçka që kemi bërë ne. Kënaqësia më  e madhe që kemi pasur ne pastaj ishte dalja në revistën Vogue.

Rudina Xhunga: Si erdhi Vogue këtu?

Altin Prenga: Sepse lëvizja “Slowfood”,  është një lëvizje intelektualësh, ku përfshihen gazetarë nga e gjithë bota, që mendojnë dhe që e shohin të bukurën përtej asaj tabusë klasike. Dhe ku u japin zë shumë edhe personave shumë interesantë. Jo rastësisht ka ardhur. Me themelimin e “Slowfood” dhe fakt që puna jonë vlen në këtë drejtim na ka dhënë këtë mundësi. Pastaj kanë ardhur dhe shumë media të huaja: “Corriere della Sera”, “La Republica”, “El Pais”. Është diçka fantastike, me thënë të drejtën. Nuk është se kemi bërë këtë gjë edhe me kullën, por me gjithë punën tonë kemi marrë gjithë atë që ishte e shkuara jonë dhe kemi sjellë në këtë kohë, e kemi vlerësuar.

  

Rudina Xhunga: Nga punët më të ekspozuara në Shqipëri. E thua pa frikë, me Mrizin mburresh.  Por kjo nuk mjafton. Ata mund ta shkruajnë. Ti vjen, s’të pëlqej nuk vjen më. Kështu që, çdo ditë kur ngrihesh në mëngjes, ti duhet ta nisësh nga e para. Gjithmonë nga e para, sepse kjo nuk mbaron kurrë. Po e lëshove, të la. 

Altin Prenga: Po je në provim dhe nuk është provim që do ta marrësh vetëm, por duhet të jeni 70 veta, për një mision. Ne jemi skuadër  e madhe, që fillon nga ata që punojnë qumështin, ata që bëjnë pastërmanë, ata që bëjnë reçelet, deri te pjata. Është një sfidë, që ka lindur në një formë dëshpërimi e imja. Sepse e përsëris, unë kthehesha në Shqipëri dhe nuk gjeja veten. Thosha si ka mundësi mor vëlla. Sepse shqiptarët gjithmonë kur kthehen shohin diçka që  funksionon jashtë dhe thonë: “Pse nuk funksionin në vendin tim?” Kam jetuar edhe në zonat rurale atje dhe shikoja toka të punuara, njerëz që shkonin te puna, gastronomia që vlerësohet. Njerëz të ç’kompleksuar nga traditat e tyre, që nuk u vinte turp. Por e trajtonte shtëpinë gjyshit me pasion, sepse ishte një gjë e mrekullueshme. Kur studiohet arkitekturë në Tiranë, shumë pak ta cekin kullën si objekt shqiptar në diskutime, sepse e shohin si diçka me pak rëndësi.  Diskutohet për influencat fashiste, otomane, ndërtesa të veçanta monumentale pak të mëdha, që kanë qenë në qendrat e Shqipërisë. Por asnjëherë identiteti i shqiptarit të vërtetë, që është kulla. Kulla është ajo që na përket ne si shqiptarë, si simbolikë. Kur jam kthyer në Shqipëri kam qenë në dëshpërimi, dhe thosha: ”Pse unë nuk  mund ta bëj këtë gjë. Pse jashtë funksionon dhe këtu jo, që na kanë çuar në këtë pikë?”.

Rudina Xhunga: Duhet ta pranojmë se ky ishte çelësi i suksesit tënd. Nëse ti vjen nga Italia dhe hap në Lezhë një restorant italian, Italia e bën më mirë sesa mund ta bësh ti në Lezhë. Kështu që ti mund t’u shesësh italianëve gjënë tënde, historinë tënde, gatimin tënd, mënyrën tënde të bërit të gjërave.  Dhe prandaj funksionoi, është koha e identitetit, ti ia dole. Nuk ia dole sepse gjete vetëm idenë.  Sa veta jeni staf?

Altin Prenga: 70, plus që kemi mbledhur rreth 400 familje. Është sfidë e përditshme, sepse një gjë e tillë nuk është bërë asnjëherë më parë. Dhe akoma  nuk po bëhet tamam. Unë  nuk po e them për t’u vetëkënqur, por akoma nuk kanë marrë kurajën të bëjnë gjëra të kësaj natyre. Për shembull marrim, sektorin e qumështit.  Në Shqipëri, prodhohet djathë, por asnjë nuk ka marrë kurajën të bëjë edhe djathë me myk, ose ta fusin djathin në kade druri. Flas për baxho, jo për shtëpi. Nëpër shtëpi bëjnë njerëzit. Kemi thënë t’i shkëputemi djathit të bardhë kuadrat, bukës së bardhë kuadrate të realizimit socialist dhe ta sjellim në përmasa të tjera. Kemi bërë të njëjtën gjë me verën, me reçelet, me fermentimet, me të gjithë ato fusha që kemi prekur. Jemi munduar të bëjmë një miks midis identitetit shqiptar dhe të ardhmes, fiks si kjo kulla këtu.

Rudina Xhunga: Sepse kjo (kulla) është identiteti dhe e ardhmja. 

Altin Prenga: Është identiteti ynë, i sjellë në kohë. Kulla e Arnueme. Kjo është pjesë e bukurisë. Ne duhet të ruajmë vlerat kombëtare bashkë, normalisht të kemi një gjuhë shqipe që është ajo e pastër. Dhe pastaj dialekti, nga ana tjetër duhet të ruhet me të njëjtën rëndësi. Sepse shumëllojshmëria e kulturave tona, jo vetëm dialekti i të folurës, por edhe në tryezë, në sjellje duhet t’i rikthehemi duke e mbrojtur fort. Në kohën e diktuarës është mbajtur shumë artificiale dhe shumë plastike ajo gjë. Nuk përfshinte as besimin, as festat fetare, as festat e identitetit, asnjë nga këto gjërat që kishin lidhje me vendin. Po ishin plastifikuar shumë ato kostumet dhe gjërat, sepse nuk mund ta ruash traditën, duke fshirë shumë elemente të saj. Kurse sot unë mendoj se ka ardhur koha që t’i rikthehemi. Do të më pëlqente shumë që të shkoj në Vlorë, Përmet edhe jo vetëm të gjej ushqime tradicionale, por kur të më flasë kamerieri, të më flasë me dialektin e zonës.

Rudina Xhunga: Por ti shkon në fakt. Shkon dhe tregon. Më ke marrë edhe mua në qafë disa herë. Se kam parë ato vlerësimet e tua dhe kam vajtur. Dhe jo gjithmonë ishte kaq mirë sa e bëjë ti. Apo ti do të patjetër të flasim mirë që të shtohet. Se e mira sjell të mirën. E bën si unë.

Altin Prenga: Ideja është të krijojmë një rrymë. Sepse Shqipëria është një lagje e vogël e një shteti tjetër. Dhe nuk e bëjmë se jemi altruistë unë dhe ti, por sepse jemi ‘egoistë’. Për mua egoizëm do të thotë të krijosh një habitat cilësor për familjen tënde dhe kjo shkon përtej gardhit të oborrit tënd. Shkon deri te shkolla, komuniteti. Nuk është habitat cilësor i familjes tënde, nëse  ti e çon fëmijën në shkollë me makinë, ndërkohë që tëtjerët ecin këmbëzbathur. Habitat cilësor është kur të gjithë janëmirë. Në fund të fundit nuk është altruizëm, nuk po bëjmë diçka bamirësie, por është egoizëm për të mirën time dhe vendit tim.

Rudina Xhunga: Ti je një prej njerëzve të cilin unë me shumë kënaqësi do të doja të çelja një projekt që e mendoj prej kohësh. Atë që do të doja ta quaja: “Unë dua të jetoj në Shqipëri, unë dua të rri në Shqipëri.” Sepse ti ndenje në Shqipëri dhe shih çfarë krijove, çfarë ndërtove, shih sa njerëz vure në punë. Domethënë në Shqipëri rrihet, dilet, me gjithë inatet tona, dhe pakënaqësitë që mund t’i themi kur heqim kamerën.

Altin Prenga: Absolutisht po. Mua më pëlqen shumë këtu, dhe i mëshoj më shumë qëndrueshmërisë. Për shembull, njerëzit që më sjellin qumështin dy ose tre herë në ditë, ose ata që më sjellin vezët, unë mundohem t’i bëj pak llogaritë në mënyrë të padrejtë të familjeve të tyre dhe kënaqësinë më të madhe nuk e kam nga ata persona që mezi ia dalin me ato lekë që u jap unë, sepse në fund të fundit ka vetëm një lopë, por me ata që kanë 4-5 lopë, që kanë djalin te unë në punë, ose diku tjetër, por të gjithë të ardhurat bashkë shkojnë mbi 1 milionë e gjysmë të vjetra në muaj. Dhe atëherë ti thua, ky ia ka dalë, ky ka makinën te shtëpia, pretendon të risuvatojë shtëpinë. Dhe te këta persona unë shikoj zgjidhjen e gjësë. Bashkë me mua, ne po ia dalim, sepse nuk janë shumë, mund të jenë gjysma e atyre që furnizojnë me qumësht, apo mish, por tek ata unë e shoh shpresën. Nuk është as ai modeli i të bërit si lëmoshë, se ti po e ndihmon atë për të marrë copën e bukës, në fund të muajit. Mua do të më pëlqente shumë që të shikoj rreth vetes njerëz të qëndrueshëm, siç jam unë. Që ia dalin në fund të muajit, të kenë makinën, ta çojnë fëmijën në shkollë, të kenë mundësinë ta çojnë në spital, apo të zgjidhin të gjitha hallet e tyre, duke bërë bujqësi dhe duke punuar në zona rurale. Ndoshta, jo doemos tek unë, te një sipërmarrje tjetër konkurrente, ose duke bërë hidraulikun, mekanikun, berberin etj. Ka njerëz të tillë, këtu. Biles unë shpeshherë i promovoj. Sepse unë kam stafin time që punon këtu dhe i kam nxjerrë disa foto kohët e fundit,  tregoj historinë e këtyre personave. Dhe shpeshherë janë çifte që kanë jetuar në Itali, ose Greqi, janë kthyer dhe kanë vendosur të jetojnë këtu. Po ia dali shumë mirë. Këto janë raste të bukura.

 

Rudina Xhunga: Janë edhe të rralla, por që nuk flitet për to. E  ke vënë re që në medie nuk ekzistojnë, nuk tregohen, duket si propagandë qeveritare? Në  fakt kjo është propagandë shqiptare, kjo është Shqipëria. Ti e the shumë bukur, është egoizëm që të flasim për ta,  sepse duam të rregullojmë jetën tonë, të drejtohemi nga njerëz që jetojnë mirë. Por nuk po e bëjmë edhe po i prishim punë vetes. Ti nuk je një prej tyre që e ke një këmbë andej?

Altin Prenga: Absolutisht jo. Unë nuk kam qenë asnjëherë. Kur kam jetuar andej kam qenë me një këmbë këtej, por prapë se prapë e kam jetuar Italinë, ashtu siç ishte për të jetuar. Dhe i urrej shumë ata persona që  s’janë as këtu as atje. Jo vetëm aq, por u prishin edhe terezinë të tjerëve duke i demoralizuar. Tani ose merr kurajën dhe ik, ose rri këtu dhe duaje vendi tënd. Por që ti të rrish këtu, duke sharë vendin tënd herë pas here, duke mos zgjidhur gjë, unë nuk jam pro kësaj. Këto rryma negative ndihmojnë në zhvlerësimin  e krejt vendit tonë. Kjo kulle është rrymë pozitive, ka kushtuar rreth 100 mijë  euro, për ta bërë  krejt edhe mund të jetë sa banja e një hoteli cilësor në një zonë si Tirana, ose diku tjetër.  Domethënë nuk vlen asgjë nga ana ekonomike,  kur e kam ndërtuar. Kurse sot, mund ta kenë parë 1 miliardë persona. Dhe po ta kthesh në brand, ose lekë është 100 herë më shumë. Pse ndodhi? Sepse, është dashuria për vendin tënd, dhe nuk është thjesht biznes. Ndodhi për shumë arsye të tjera. Sepse është e qëndrueshme, nuk ka shkatërruar ambientin. Dhe kur del ajo fotoja  që e shikojnë të gjithë, aty shikon dizajnin, shikon respektimin e traditës tënde, gurin, janë materialet natyrale, fakti që nuk ke prekur as barin rreth e rrotull. Është diçka natyrale, dhe kjo i pëlqen botës, i pëlqen gjithkujt. Ky quhet vlerësim. Si mundesh ti të vlerësosh vendin tënd. Nga diçka që vlen zero, dhe ta ngresh. Dhe kjo bëhet me optimizëm, duke dashur të gjithë bashkë dhe duke mos bërë gjëra të shëmtuara. Sepse edhe bukuria, është çelësi i shumë zgjedhjeve të problemeve ekonomike, është edhe ndjenja e shijes te personat.

Rudina Xhunga: Të kultivosh shijen. Shija është përpjekur të kultivohet, sidomos këto vite. Për shembull, kam parë shëtitore të rregulluara, Lezha ka pasur ndryshime. Po, mjafton thua? Njerëzit duan punë. Ky është thelbi i gjësë. Nuk e di ku është momenti ku ti gjen ekuilibrin. 

Altin Prega: Ti ke parë pafundësisht nëpër bregdetin shqiptar, qindra, mijëra herë investime më të mëdha sesa kjo. Që nuk e kanë kaluar kufirin e Shqipërisë, të publikohen. Atëherë, shija  është ekonomi. Sepse unë po të kisha bërë me këto 100 mijë euro një ndërtesë të thjeshtë, ose çimentoje, siç i bëjnë ata në det, jo vetëm që nuk do të isha bërë i famshëm, por s’do të kisha arritur t’i rezervoja përnatë dhomat.

Kjo është shija, dhe ajo kthehet në motor ekonomik. Unë kam dy zonja aty që pastrojnë dhomat,  lajnë, shpërlajnë, punojnë gjatë gjithë vitit, jo vetëm një muaj e gjysmë të verës. Kjo sepse kam investuar në shije. Për mendimin tim, duhet t’i kushtojmë më shumë rëndësi edhe kësaj. Sepse shija është ekonomi. Jo rastësisht kur shkojmë në Toskana, ose vend tjetër jashtë shohim që këto struktura punojnë të gjithë muajt e vitit, sepse kanë respektuar ambientin aty afër. Mua nuk më bën me shijë të blej një parfum Gucci. Shija është diçka që lind nga brenda. Ti mund ta jetosh më shumë thjeshtë jetën tënde, nuk është ajo shija. Shija nuk blihet.

Rudina Xhunga: Gëzuar për shijen, pra!

 

Studentet e Shkencave të Natyrës, intervistojnë Altinin e Mrizit

-Rudina Xhunga: Këto vajzat këtu nga Shkencat e Natyrës, kanë ardhur këtu për të bërë një projekt me ty

Altin Prenga: Po, faktikisht këtu ndodh shpesh të vijnë të rinj nga universitetet, jo vetëm studentë shqiptare, por edhe të huaj. Ata vijnë për të marrë informacion në lidhje me atë çfarë bëjmë ne këtu. Ne kemi bërë një sallë takimesh me projektor, sistem audiosh e të gjithë, që kjo zonë të jetë sa më interaktive.

Rudina Xhunga: Vajza e dini çfarë historie të bukur ka ky vendi? Se Altini ua tregon të huajve po mirë është ta dinë shqiptarët. Ky ka qenë një kamp internimi. Një grua që e dua shumë dhe e shikoj shpesh në Tiranë, Liri Lubonja, ka qenë e internuar këtu. Në vendin ku dikur ajo vuante dënimin e regjimit, tani nuk vijnë njerëz të mbajnë konferenca për diktaturën, por këtu prodhohet qumështi. Këtu prodhohet vera e gjithçka tjetër. Dhe kështu është kujtimi, nëpërmjet prodhimit, jo ankimit.

Altin Prenga: Ideja është që nga një vend i shëmtuar, një vend që ka pas kujtime jo të mira, të kthehet në një vend ku lartësohet djersa e fermerëve këtu afër. Ku merr përmasa të tjera prodhimi vendas. Është një vend i takimit, meditimit. Vend ku rinia jo vetëm të marrë informacione, po në darkë me një gotë verë të shikojë edhe programe alternative dhe gjëra interesante.

Rudina Xhunga: Jo vetëm të punojmë, por edhe të argëtohemi.

Altin Prenga: Po, sepse ne duam të sjellim jetë në fshat.

Rudina Xhunga-studenteve: Si e keni menduar ju, kur të mbaroni shkollën do të ikni në shtëpitë tuaja të gjitha, të jetoni në Tiranë, apo jashtë?

Studentet: S’e dimë.

Rudina Xhunga: Është ajo që themi. Po nuk e çove jetën në qytetin e vet. Po nuk e bëre të ëndërrojë, që dhe ajo të bëjë mrizin e saj, nuk kthehet dot. Mendon vetëm të iki dhe t’u shërbejë atyre që e kanë gati. Por gjithë jetën do të shërbesh, se nuk je e zonja e një vendi, je vetëm e zonja e shtëpisë tënde. Ju tundni kokën, por unë kam të drejtë goca! (qeshin të gjithë)

Altin Prenga: Ideja është të mbjellim frymëzim, që kjo gjë të aplikohet në zona të tjera. Mua më vjen shumë inat kur më thonë se po ‘imitojnë’ modelin e Mrizit, por në të vërtet nuk është se po më imitojnë. Modeli i Mrizit nuk është parkingu dhe lokali, por janë këto prapaskenat. Për shembull, le të marrin shembullin e kësaj vajzës nga Puka. Puka është një vend fantastik dhe duhet të shkosh dhe ngulësh rrënjët atje, që të bëhet një vend i reçeleve të mira, sepse kanë frutat e dimrit të mrekullueshme. Ato na furnizojnë me kërpudha, boronica, manaferra. Por kur shkon në Pukë janë pothuajse zero sipërmarrje që ta ofrojnë.

Rudina Xhunga: Fare, asgjë. Po normal, bëj këtë, kryetari i bashkisë, mendon vetëm të rizgjidhet. Nuk mendojnë që ta bëjnë  të bukur këtë qytet për vete dhe për vajzat si ajo që mendojnë të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre.

Altin Prenga: Urbanikisht e kanë ndërtuar shumë mirë

Rudina Xhunga: Por nuk mjafton!

Altin Prenga: Çështja e sipërmarrjeve private i përket rinisë.

Rudina Xhunga: Epo si do ta bëjë Mrizin, kjo vajzë e re, në një qytet ku nuk i hapin dyert. Se që t’i hapesh dyert asaj duhet të kesh shije.

Flasim për frymëzim, por nuk mjafton, ti ma the bukur atë punën e shijes.

Altin Prenga: Shija nuk mund të blihet. Nuk është si të blesh një parfum të shtrenjtë, si Gucci, Armani, dhe t’i e bleve shijen. Shija nuk blihet. Është diçka që lind nga personi. Shija është kur ti merr qumështin dhe  nuk e bën djathë kuadrat, por e lartëson duke e bërë diçka shumë më fine, që të plotësojë shijet e personit. Për shembull, kulla, nga diçka e thjeshtë është bërë një objekt në “Architecture and design”. Kur një ish-burg transformohet do shije. Kur ti vjen këtu e shikon që ky është një tempull ku lartësohet ushqimi. Dhe gjithë kjo çon në vlerësimin e territorit, në vlerësimin e produktit, çon te fakti që ti nuk  ia  blen më fermerit qumështin me 35 lekë, por me 45 lekë. Dhe të gjithë këto gjëra shkojnë bashkë. Ku paguhet mirë rroga e stafit, e shumë e shumë gjëra. Ky është vlerësimi. Gjithë kjo bëhet nëse ti ke shije. Nëse nuk ke, asnjë nga këto nuk merr vlerë. Dhe pastaj kthehesh te djathi kuadrat, te monument prej betoni.

Rudina Xhunga: Jo vetëm kaq, por shije nuk kanë njerëzit që mendojnë sesi ta shfrytëzojnë, si të shfrytëzojnë një vajzë, si të gjobisin, ata janë banalë, janë njerëz pa shije, ata nuk mund ta duan kurrë këtë vend, dhe nuk mund t’ju ndihmojnë juve që të jeni një  prej njerëzve që e zhvillojnë këtë vend. Shije kanë njerëzit që duan, po s’pate pasion nuk mund të kesh edhe shije. Aty është lidhja organike.

Altin Prenga: Normalisht. Siç shpeshherë ndodh gjithmonë nëvendet e varfra, personat që  pastaj bëhen shumë të pasur,  kujtojnë se mund ta blejnë shijen vetëm se bëjnë një shëtitje te rrugët Parisit, blejnë një parfum, ose një xhaketë të shtrenjtë. Por në Paris dhe Francë, shija është një ndjenjë kolektive, dhe jo rastësisht kanë arritur aty që të shitet shumë shtrenjtë, një parfum. Sepse kanë rafinuar shijet nga të gjithë, nga fermerët, dhe shoqëria. Edhe një politikan do e gjeni duke ecur në këmbë, sepse janë persona që kanë shije. Shije nuk do të thotë të blesh X7 apo X8-ën, është ndjenjë personale.

Rudina Xhunga-studenteve: Shije keni ju që erdhët këtu. Që e gjetët vendin e duhur dhe erdhët realisht të pyesni, nuk erdhët të më bëni mua sfondin për intervistën. Por ju më thatë që: “Mirë ne do të rrimë me ty tani, por do të na ndihmosh pastaj me kamerën që ta pyesim.” Për çfarë do ta pyesnit ju që ta di dhe unë?

Një studente: Në fakt ne do të donim ta nisnim që nga bazat e Mrizit. Dhe pyetja e parë që ishte për zotin Altin është si nisi Mrizi, si ishte ideja e nisjes dhe pastaj pjesa tjetër e  ishte në lidhje me atë çka ne kemi ardhur fiks, për pjesën e procesimit të djathit. Kryesorja është qe ne duhet ta dimë sesi ka ardhur ky frymëzim te zoti Altin dhe si ka arritur të investojë në këto vështirësi, apo kushte që  në i dimë shumë mirë sesi janë.

Altin Prenga: Frymëzimi ka ardhur jashtë, sepse kjo është diçka e zakonshme, nëse jeton në Itali, Spanjë, Francë apo diku  tjetër. Thjesht unë e kam përkthyer shqip. Gabimi që bëhet shpesh është që njerëzit shkojnë në Napoli, shikojnë si bëhet pica aty dhe kthehen për ta bërë në Shqipëri. Ndërkohë që frymëzimi ndryshe nga kopjimi është të shkosh atje dhe shikon se përse bëhet pica në Napoli. Sepse është një vend që quhet Kampanja, që do të thotë fusha, ku kultivohet shumë grurë. Domethënë kishte grurin, pastaj kishte edhe shumë këneta ku kishte bufala, dhe bëhet pica me bufala. Kanë edhe domatet, kanë edhe rigon të egër pafund, siç kemi neve këtu. Edhe ka lindur pica. Sepse këta përbërës i kishin aty ata dhe ja pse bëhet aty. Dhe ti duhet të shkosh atje të frymëzohesh se përse bëhet ajo gjë atje, jo ta marrësh pastaj në një model të shëmtuar dhe ta kopjosh në Shqipëri. Por të kuptosh se përse bëhet ajo dhe si e kanë  vlerësuar atë produkt. Ka familje pafund që shesin qumësht, ka pafund familje që kultivojnë grurin, dhe janë mirë të gjithë sepse promovojnë njëri-tjetrin. Kur jam kthyer këtu kam thënë çfarë elementësh kam këtu. Nuk kam marrë modelin e Italisë. Kam marrë frymëzimin atje dhe kam thënë: “Çfarë kemi e këtu? Kam këta fermerë, këto fruta të egra, këto të buta, kam këtë, atë.” Dhe në bazë të gjithë këtyre unë kam arritur që avash-avash që të krijoj diçka. Në fakt është shpikje, sepse nuk kishte një model të caktuar në Shqipëri, për të bërë një gjë të tillë. Dhe në fund të fundit, nevoja të çon drejt realizimit të gjësë. Dhe kemi arritur këtu ku jemi sot, që është shumë rastësore. Jo se e kemi pasur idenë fiks kështu, thjesht dija që kisha një nerv brenda vetes, një dëshpërim të madh se përse nuk po gjeja një gjë të bukur në Shqipërinë time, ku shfrytëzoheshin burimet natyrore dhe t’i transmetosh aty. Ky vend është i ndërtuar 100% me produkte lokale. Që në infrastrukturë është përdorur sa më shumë material lokal, kur ka qenë mundësia, dhe  gjithë stafi është i zonës sime. Stafi ka urdhër që të mos flasë në gjuhë letrarë se s’bën, mos të bëjë gjasme sikur jeton diku tjetër, por të tregojë sesi mundesh të jesh një bashkëfshatar i bukur i kësaj zone. Pa imituar atë kamerierin francez, apo amerikan, por t’u tregojë të tjerëve sesi mund të jesh një person i bukur në këtë zonë. Duke treguar vetveten, pa të ardhur turp se je nga kjo zonë.

Rudina Xhunga: Ti je nga Fishta. Ti je Altini edhe  e meriton të jesh një shqiptar i mrekullueshëm, që më jep gjithmonë kënaqësi dhe prandaj e hapa vitin me ty. Po dhe ju jeni të tilla, sepse nuk ishit vetëm publik sot. Ju jeni edhe personazhe të këtij emisioni, dhe unë jam e sigurt që  në qoftë se në njërën prej jush të kem ndezur një llambë  me pjesëmarrjen në këtë emision, ia kam dalë. Sepse nuk është e rëndësishme  të na shohin mijëra vetë,  që në fund  s’mbajnë mend asgjë,  por ne duam  dhjetëra vetë që në fund ua ndryshojmë jetën.  Ndonjëherë edhe pa ikur deri në Itali, të ndryshohet jeta. Mjafton të rrish në vendin tënd  dhe të shikosh gjënë e duhur. Uroj që  të jemi gjëja e duhur  për ju!/dritare.net

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura