“Më 25 dhjetor ’75, s’u fik sinjali i RAI-t dhe kur Papa Gjon Pali ishte në ekran, te zyra e drejtorit të RTSH-së, ra zilja: Alo, Enver Hoxha jam…”/ Dëshmia e ish-telekronistit të Vlorës

Oct 23, 2022 | 23:02
SHPËRNDAJE

Nga Vasil Qesari

Capture

Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e zhgënjime nga më të ndryshmet.

Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit?

Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit?  Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba?

Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?!  Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi.  Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes!

Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!

Në redaksinë e gazetës lokale ‘Zëri i Vlorës’, një reporter që, çuditërisht, ish vazhdimisht i pari i cili merrte vesh të rejat më të bujshme në rreth e që shumë e quanin “Gazetari me Kobure”, solli një lajm tepër sekret. Sipas një informacioni të Degës së Punëve të Brendshme, i cili kish mbërritur atë mëngjes në Komitetin e Partisë, në bregdetin e Vlorës qenë gjetur dhjetëra jastëkë plastmasi ku ishin konfeksionuar botime në shqip të Testamentit të Ri (Biblës), shoqëruar me nga dy-tri paketa me çamçakiza.

S’ka thënë kot shoku Enver se ideologjia e huaj borgjeze, shoqërohet gjithmonë me pilula të sheqerosura… – tha “Gazetari me Kobure”, duke nxituar të dalë përsëri, natyrisht për të marrë vesh hollësi të tjera. Lajmi qe plotësisht i vërtetë!

Diku në kanalin e Otrantos, jashtë ujërave territoriale e në det të hapur, qenë hedhur mijëra jastëkë plastike me bibla e broshura fetare. Pastaj rrymat detare i kishin sjellë ato gjer në brigjet e Vlorës, Zvërnecit, Poros e gjer në derdhjen e Vjosës. Disa banorë të atyre anëve, me të mësuar lajmin, fshehurazi, kishin rendur për të gjetur pakot e ardhura përtej detit. Ndërkohë, detarë të anijeve të peshkimit që ktheheshin në molin e Skelës, dëshmonin se kishin parë të lundronin mbi det, qindra jastëkë të tillë. Ata, kishin marrë disa prej tyre e i kishin dorëzuar pranë komandës së kufirit, në port.

Autoritetet në rreth njoftuan me shqetësim Tiranën, ndërkohë që në repartet ushtarake u dha alarmi i gatishmërisë së shkallës së parë. Efektivat e katrave siluruese, si edhe ato të anijeve luftarake të dislokuara në Sazan, u njoftuan të dilnin urgjentisht e të grumbullonin gjithë sasinë e jastëkëve me bibla të cilat vazhdonin lundrimin drejt brigjeve shqiptare. Ndërkohë, patrulla të shumta të reparteve të kufirit, nisen punën po me të njëjtin objektiv.

Urdhri qe i prerë! Asnjë Libër i Shenjtë s’duhej të mbërrinte në bregdet, e aq me keq, në duart e njerëzve! Një shok, oficer në Flotën Luftarake Detare, në konfidencë e me humor më tregoi se marinarët e ushtarët e kufirit të ngarkuar me atë detyrë, ishin treguar shumë të gatshëm e entuziastë për mbledhjen e jastëkëve në fjalë. Por, për çudi, ata i dorëzonin jastëkët plastikë vazhdimisht të shqyer e pa paketat e çamçakizave brenda tyre. Të gjorët ushtarë!

Dukej se, fshehurazi, ata përfitonin nga rasti për të provuar e përtypur për herë të parë në jetën e tyre ‘gomën amerikane’, të cilën, ndofta, e kishin parë vetëm në filmat apo reklamat e televizioneve të huaja…! Por, cili ish qëllimi e objektivi i atij aksioni origjinal e të rrallë, për dërgimin e biblave drejt brigjeve shqiptare?

Pas vitesh heshtje, dukej se diçka po lëvizte për mbrojtjen e besimtarëve të persekutuar në Shqipëri. Më 1973, Papa në një lutje publike e kish quajtur Kishën Shqiptare, ‘Kishë të Heshtjes’ e kish evokuar me dhembje faktin që, regjimi i atij vendi kish shkatërruar gjithë objektet e kultit e ndalonte me dhunë çdo lloj praktike fetare. Fill pas atij mesazhi, disa të përditshme europiane, ndër të cilat edhe revistat me autoritet Newsweek Time, botuan një varg artikujsh mbi gjendjen e besimeve fetare në Shqipëri.

Në dhjetor 1973, në librin “Veprimi evangjelik në dobi të Kishës së Heshtjes”, botuar në Francë, për herë të parë hidhej dritë mbi torturat, dënimet e internimet e peshkopëve, meshtarëve e besimtarëve shqiptarë, ndërkohë që një muaj më pas, një e përditshme suedeze pat botuar shkrimin ‘Intensifikohet persekutimi i të krishterëve në Shqipëri’. Në të, qenë paraqitur dëshmitë rrëqethëse të një besimtari, i cili kish mundur të arratisej nga vendi.

Ndër të tjera, ai tregonte edhe për një ngjarje që kish ndodhur në Durrës. Aty Sigurimi pat zbuluar një vend të fshehtë të nëndheshme, ku besimtarë të krishterë kishin vendosur në ilegalitet ikona. Nenë drejtimin e një prifti, ata shkonin aty për të kryer lutje, shërbesa fetare, pagëzime e bile edhe kurorëzime të çifteve të martuara.

Ngjarja qe cilësuar shumë e rendë e me skandalin në fjalë, qenë marrë direkt Sigurimi i Shtetit e KQ i Partisë, të cilët nëpërmjet qarkoresh sekrete, u kishin bërë edhe një herë thirrje gjithë organizatave të partisë, për të intensifikuar më tej luftën kundër besimeve fetare e për të rritur në një shkallë më të lartë vigjilencën revolucionare ndaj presioneve të armiqve të brendshëm e të jashtëm…!

Ndërkohë, jashtë vendit, veprimet për mbrojtjen e besimtarëve shqiptarë, nisën të bëhen edhe më konkrete duke përdorur rrugë e mjete të ndryshme. Kështu, komunikimi i Selisë së Shenjtë me ta, u rrit më tej nëpërmjet shtimit të emisioneve të Radio -Vatikanit. Për vite e vite të tëra, në orët 06:30 e 17:30, ekipi i seksionit në gjuhën shqipe, i drejtuar nga Imz. Zef Shestani, përhapte pa ndërprerje lajme mbi veprimtarinë e kishës në përgjithësi, informacione mbi gjendjen në Shqipëri, si edhe njoftime mbi persekutimet e dhunën e regjimit.

Me gjithë përgjimet, denoncimet, arrestimet e burgosjet, regjimi s’kish arritur të ndalonte dëgjimin e fshehtë të saj. (Se ç’rol ka luajtur ajo radio për të ardhmen e fesë, ringjalljen e shpresës e rezistencën ndaj regjimit në Shqipëri, atë e tregonin herë pas here, edhe ata pak besimtarë që arrinin të arratiseshin e të mbërrinin në botën e lirë).

Veç Radio-Vatikanit, gjatë asaj kohe, nëpërmjet Radio-Montekarlos, nisi të transmetojë shqip edhe Trans World Radio, ndërkohë që një shoqatë biblike gjeti një mënyrë origjinale për mundësimin e futjes së Biblës në Shqipëri. Në kanalin e Otrantos, fare pranë ujërave territoriale shqiptare, ajo hodhi në det mijëra ungjij të konfensionuar në qeska plastmasi, një pjesë e mirë e të cilëve mundën të arrinin gjer në brigjet jugore të vendit.

Shembullin e saj, veçanërisht gjatë viteve ’80-të, e ndoqën edhe shumë organizma e shoqata të ndryshme protestante e evangjeliste në Europë. Ato, kishin porositur shtypjen në shqip të më se 50 mijë biblave të cilat qe menduar të shpërndaheshin në vend nëpërmjet grupeve të ndryshme turistike. (Në fakt, mjaft turistë të ardhur gjatë atyre viteve në Shqipëri, ishin kapur duke shpërndarë fshehurazi materiale fetare e qenë dënuar ashpër prej autoriteteve).

Më 1986-ën, një grup turistësh holandezë të ardhur nëpërmjet një udhëtimi të organizuar prej Albturizm-it, kishin mundur të shpërndanin në Kombinatin e Tekstileve në Berat, rreth 50 ekzemplarë të Testamentit të Ri. Por, ata qenë denoncuar nga agjentë të Sigurimit që i ndiqnin pas e, shumë shpejt, aty kish mbërritur policia e cila kish rrethuar gjithë vendin duke kontrolluar çdo pëllëmbë të kombinatit si edhe brenda vetë autobusit të turistëve. Aty, ata kishin gjetur mbi 100 bibla, të cilat pastaj qenë djegur publikisht në oborr, para syve të qindra punëtorëve.

Në vitet që vijuan, përkujdesja e Vatikanit ndaj persekutimit të egër të kishës shqiptare, shënoi vazhdimisht rritje. Ai përkushtim dhe sensibilitet i rrallë, i dedikohet në mënyrë të veçantë, vetë Gjon Palit të II-të. Sot, mund të themi me bindje të plotë se, jo vetëm asnjë Papë tjetër paraardhës, por edhe asnjë personalitet a burrë shteti tjetër, duke përfshirë edhe ata që mbaheshin si kampionë të anti-komunizmit, nuk kanë qenë aq të përkushtuar e të angazhuar për çlirimin e Shqipërisë nga kthetrat e totalitarizmit, se sa Ai.

(Kjo, u kuptua më pas edhe nga qëndrimi tepër brutal i regjimit shqiptar i cili, nëpërmjet shtypit e propagandës, me alergji dhe egërsi të veçantë, ndërmori sulme të ashpra ndaj tij. Sepse, për regjimin stalinist, Gjon Pali i II-të ish vetë Djalli e, frika ndaj fjalës se tij qe e tmerrshme. Shembuj të shumtë, flasin qartë për këtë…)!

Në ato vite, në Tiranë, me aprovimin e vetë diktatorit, nëpërmjet një përforcuesi qe lejuar dhënia e Emisionit të Lajmeve të dy kanaleve televizive italiane. Por, ndërkohe, për të penguar çdo transmetim të kronikave nga Selia e Shenjtë si dhe mesazheve të shpeshta të Papës, regjimi kish organizuar një sistem kontrolli të posaçëm. Tekniku përgjegjës i antenës së Dajtit i ngarkuar me vëzhgimin e emisioneve, duhej të ndërpriste menjëherë transmetimin e sinjalit, sapo në ekran të dukej Vatikani, figura e Papës apo çdo lloj ceremonie tjetër fetare.

 Në kapërcimin e vitit 1975 e fillimin e 1976-ës, tamam në ditën e Krishtlindjeve, qëlloi dhe prova e përgjithshme e Festivalit të Këngës në Radio-Televizion. Edicioni i lajmeve të RAI-it atë natë filloi me përshëndetjen e Papës. Enver Hoxha, i mbërthyer te ky informacion priste që figura të ndërpritej. Kaloi një minutë, pesë, hiç…! Vetë ai, personalisht, por edhe të tjerë mbas tij, kërkuan në telefon në fillim drejtorin e përgjithshëm, pastaj të tjerët me radhë. Kur s’u doli njeri, zunë të gjithë telefonat e tjerë, kush të dilte. Por, sikur të kish renë zjarri, askush s’përgjigjej. Vetëm vonë, udhëheqësi kryesori, u lidh me një numër në studion e lajmeve, ku po bëhej gati transmetimi i ngjarjeve kryesore të ditës.

 – Jam Enver Hoxha, – kish nisur ai ligjëratën me nerva e thirrje. Fjala nuk i zinte gojën. – Si guxoni të lini Papën hapur? Ka mbi njëzetë minuta që flet e i bën propagandë kryeqytetit për Krishtlindjet. Ku janë drejtorët tuaj? Cili jeni ju? Tani, menjëherë, të mbyllet linja e Dajtit…!

Ne arritëm në zyrën teknike, në kohën kur shefi ynë i redaksisë së informacionit K. S., po kërkonte letër për të mbajtur shënime me receptor në dorë. Ishte i tronditur nga ai lajm ndjellakeqes. Për fat, sa mbaroi ultimatumi në telefon, Papa e mbaroi lutjen. Kjo ngjarje nuk kaloi pa pasoja. Drejtorit të Përgjithshëm iu dha paralajmërim serioz. Kjo neglizhencë mbeti si kujtesë e hidhur. Tekniku, mbasi u shqyrtua prejardhja e rrethit të tij familjar, kaloi drejtpërdrejt në prodhim. Mbas kësaj ngjarje, drejtorisë teknike iu ngarkua si detyrë që të sajonte një lloj komandimi në distancë për të mbyllur sinjalin e Dajtit nga Tirana.

Më 1978, Papa Gjon Pali i II-të shkoi për vizitë në manastirin arbëresh të Grottaferratës, nga ku ndër të tjera, deklaroi: “Unë, lutem çdo ditë për Shqipërinë, të cilën e dua shumë”! Dy vjet më pas, ai morri pjesë në kremtimin e 500-vjetorit të Martirëve të Otrantos, ku u shpreh: “Unë kthej sytë e përulem para Kishës Heroike Shqiptare e shtypur dhe e vrarë thellësisht nga persekutimi i gjatë e i egër, por njëkohësisht edhe e pasuruar nga veprat e martirëve të saj, peshkopët, priftërinjtë dhe besimtaret e thjeshtë”.

Më pas, ai denoncoi vetë regjimin shqiptar, duke shtuar se, shpesh martirët e atij vendi janë akuzuar se kanë qenë fajtorë për krime politike. Ati i Shenjtë kish shtuar gjithashtu se, me të njëjtën akuzë qe torturuar e kryqëzuar edhe vetë Krishti. Ndërsa, në tetor 1984, gjatë një vizite në Bari, Gjon Pali i II-të, deklaroi plot emocion:

“Mendimet e mia nisen nga ky qytet e shkojnë drejt vëllezërve e motrave në Shqipëri, aty ku ata s’mund të shfaqin hapur e lirshëm besimin e tyre fetar, gjë që është një e drejtë themelore për çdo qenie njerëzore… Megjithatë, unë dëshiroj t’i u siguroj se, ata ndodhen në zemrën time e unë ja besoj mbrojtjen e tyre, Shen-Marisë”.

Mbas asaj deklarate, në shtypin e radion shqiptare, shpërtheu përsëri furtuna e tërbimit e sulmeve kundër tij. Puna shkoi gjer aty sa, delegacioni që përfaqësonte Shqipërinë në OKB, u shpërndau gjithë delegacioneve të shteteve anëtarë një deklaratë ku Papa Gjon Pali i II-të cilësohej fashist e krahasohej me Musolinin, i cili, fill mbas pushtimit të vendit, kish thënë frazën e njohur propagandistike: Shqipëria është në zemrën time!

Pas kësaj, erdhi përgjigjja nga Selia e Shenjtë. Vetë Gjon Pali II-të, nga Katedralja e Shen-Pjetrit, kish ftuar mbarë Kishën Katolike që ta shndërronte nëntorin në muaj lutje për lirinë e ushtrimit të fesë në Shqipëri. Më pas, më 27 prill 1986, ai morri pjesë në një takim të komunitetit shqiptar në Romë, ku ndër të tjera, tha:

 “Unë lutem çdo ditë për vendin tuaj, për besimtarët e të gjitha feve e në mënyrë të veçantë për Kishën Shqiptare, e cila në dukje duket se nuk ekziston më…! Megjithatë, unë jam i bindur se Kisha nuk mund të zhduket nga zemrat e njerëzve. Sepse, ajo është ngritur mbi themelet e Shpirtit të Shenjtë, nga Fjala e Krishtit, nga vetë Krishti i cili jeton i gjallë në zemrën e çdo besimtari dhe besniku të fesë”.

Më 1988, mes një grupi të mërguarish shqiptarë të besimeve të ndryshme, Ati i Shenjtë, kish afirmuar se ai takim, ia kish mbushur zemrën plot emocione, e pastaj qe lutur:

“Virgjëreshë e Shkodrës! O Zonjë e Shqipërisë! Hidh shikimin tënd plot hir mbi atë komb që e ka pritur lajmin e ungjillit nga vetë apostujt e, që të ka nderuar gjithmonë, me dashuri të veçantë..! Sot, në Errësirën e Sprovës, ky komb thërret me besim duke kërkuar ndihmën tende…! Nenë e Shpresës! Sill sa më shpejt ditën që ky popull fisnik, të përjetojë sërishmi aspiratat më të thella të shpirtit të tij…!

Gjatë viteve 1990-1991, Papa Gjon Pali i II-të, ndër të tjera, ndiqte me vëmendje edhe ngjarjet që zhvilloheshin në Shqipëri. Në Pashkët e vitit 1991, ai iu drejtua besimtareve shqiptarë me këto fjalë: Mbahuni fort e ecni plot shpresë drejt stinës së korrjeve, drejt vjeljeve të bekuara me frutat që ju meritoni…!

Po atë ditë, duke iu drejtuar një tubimi prej pesë mijë studentësh, ai evokoi përsëri Shqipërinë, duke parë në qëndresën e saj, një shembull të ri të ringjalljes së Krishtit dhe Kishës së tij.

Në këto çaste, – theksoi Ati i Shenjtë – mendimet e mia shkojnë dhe një herë drejt Shqipërisë heroike ku Kisha ka qenë e dënuar me vdekje, por që u ringjall mes të vdekurish.

Udhëtimi i Papës, më 5 prill 1993 në Shqipëri, qe triumf i fitores mbi kalvarin e atyre viteve të jetuara plot tmerr e vuajtje. Prania e mesazhet e tij, u ndoqën me entuziazëm e gëzim të madh, nga qindra mijëra njerëz të të gjitha feve. Një faqe e re dhe plot dritë po hapej për historinë e fesë dhe Kishës Shqiptare…! Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura