Me 187 km/h në autostradën Fier-Vlorë, 1898 gjoba në 24 orë! Rrugorja bën bilancin, 8 të arrestuar

Jul 29, 2021 | 16:53
SHPËRNDAJE

Policia rrugore ka bërë bilancin e 24 orëve të fundit për shkeljet e rregullave të qarkullimit. Gjatë kësaj periudhe në të gjithë vendin janë arrestuar 8 drejtues mjetesh, 4 në gjendje të dehur dhe 4 pa drejtim leje.

Gjithashtu janë pezulluar 43 leje drejtimi, nga të cilat 31 për shpejtësi mbi normat e lejuara, dhe 12 në drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.

Gjobiten 1898 drejtues mjetesh për shkelje të ndryshme duke filluar nga parakalimet e gabuara, përdorimi i telefonit në timon dhe shpejtësi të lartë.

Njoftimi i policisë:

Policia Rrugore vijon kontrollet e dedikuara në rrugët urbane dhe interurbane në të gjithë vendin, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.  Përgjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë 8 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 4 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 4 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.  

Janë pezulluar 43 leje drejtimi, nga të cilat 31 për shpejtësi mbi normat e lejuara (deri në 187 km/h në Bypass-in e Fierit, në sensin e lëvizjes Fier – Vlorë ) dhe 12 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur (deri në 1.06 mg/l).           

Janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 1898 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës, konkretisht: 

Nga Policia Rrugore e Tiranës, falë edhe denoncimeve të drejtuesve të automjeteve që qëndrojnë në radhë, janë ndëshkuar me masë administrative 211 drejtues mjetesh, për qarkullim në korsi të dedikuara për mjetet e transportit publik dhe ato të emergjencës.    

224 për parakalime të gabuara, 212 për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit, 200 drejtues mjetesh për mosvendosje të rripit të sigurimit, 205 për shpejtësi tej normave të lejuara e sjellje agresive në rrugë etj.    

Në të gjithë vendin, si rezultat i kontrolleve intensive, nisur edhe nga fakti se në shumë raste aksidentesh janë përfshirë edhe drejtues të motoçikletave, janë evidentuar dhe ndëshkuar 187 drejtues motomjetesh, për mospërdorim të kaskës mbrojtëse.  

659 drejtues mjetesh për parkime të gabuara, duke u bërë pengesë për lëvizjen e lirë të automjeteve dhe të këmbësorëve.     

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura