“McGonigal, ‘porta e korrupsionit’”- Prokurori amerikan: Ata që mashtrojnë FBI do mbajnë përgjegjësi! Çfarë e lidhte me kryeministrin Rama

Jan 24, 2023 | 18:34
SHPËRNDAJE

Ish-agjenti i lartë i FBI, Charles McGonigal është konsideruar nga drejtësia amerikane si “porta e korrupsionit”.

mcgonigal dhe avokati i tij
Charles McGonigal dhe avokati i tij

Charles McGonigal akuzohet mbi pagesa 225,000 dollarë nga një ish-zyrtari i inteligjencës shqiptare me interesa biznesi, ndërsa prokurori Matthew M. Graves ka thënë se kush mashtron FBI do mbajë përgjegjësi.

“Fshehja e kontakteve me shtetas të huaj dhe fshehja e marrëdhënieve personale financiare është një portë drejt korrupsionit, ” tha në një deklaratë të hënën Prokurori i SHBA për Distriktin e Kolumbisë, Matthew M. Graves.

“FBI dhe Departamenti do të ruajnë interesat më të mira të Shteteve të Bashkuara dhe do të mbajnë përgjegjësi ata që bëjnë deklarata të rreme dhe përpiqen të mashtrojnë Byronë”, tha Graves, shkruan Fox News.

Po çfarë e lidhte Charles McGonigal me kryeministrin Rama?

Në artikullin e Fox News thuhet se “Zyrtari i lartë i FBI-së është takuar me një shtetas shqiptar, i cili ishte i punësuar nga një konglomerat energjetik kinez dhe operonte si këshilltar jozyrtar i Kryeministrit të Shqipërisë, duke mbajtur një llogari zyrtare emaili dhe pasaportë të qeverisë shqiptare”.

Në aktakuzë thuhet se “McGonigal bëri udhëtime të përsëritura në Kosovë dhe Shqipëri. Me kërkesë të një personi me banim në Nju Xhersi, për të cilin prokurorët thonë se kishte një aksion biznesi, McGonigal dyshohet se këshilloi në një takim kryeministrin shqiptar që të ishte i kujdesshëm në lidhje me dhënien e licencave për shpimin e fushës së naftës nga kompanitë ruse”.

Sipas akt-akuzës, gjatë vizitës së shtatorit 2017, McGonigal “u prezantua nga personi me një biznesmen dhe politikan shqiptar, i cili i kërkoi atij ndihmë, që dikush të hetonte për një komplot të dyshuar për të vrarë biznesmenin dhe politikanin”.

Pas kthimit nga udhëtimi, personi nga Nju Xhersi dyshohet se i dha McGonigal-it 80,000 dollarë para në dorë ndërsa ishte në një makinë të parkuar jashtë një restoranti në New York City. Dy herë të tjera në vjeshtën e vitit 2017, ai akuzohet se i kishte paguar McGonigal 80,000 dhe 65,000 dollarë.

Në Uashington, DC, McGonigal u padit me akuzën e falsifikimit të të dhënave dhe dokumenteve, e cila mbart një dënim maksimal ligjor prej 20 vjet burg. Aktakuza me nëntë pika përfshinte gjithashtu akuzën e dhënies së deklaratave të rreme, e cila mbart një dënim maksimal ligjor prej pesë vjet burg për secilën pikë. Akuzat përmbajnë gjithashtu gjoba financiare, thanë prokurorët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura