Mbyllja e kufijve nga koronavirusi/ Presidenti Meta tregon temën kryesore në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare

Mar 24, 2020 | 21:23
SHPËRNDAJE

Presidenti Ilir Meta thotë se riatdhesimi i shqiptarëve që kanë mbetur jashtë vendit do të jetë temë kryesore e mbledhjes së Komisionit të Sigurisë Kombëtare, i cili pritet të mblidhet gjatë ditës së nesërme.

Presidenti Meta
Presidenti Meta

I ftuar në RTSH, Meta tha se do të bëhet çdo gjë për riatdhesimin e tyre. ai shton se është e nevojshme identifikimi i tyre kudo që ndodhen nga ana e njësive diplomatike të vendit tonë.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Shqiptarët jashtë, domethënë vende si Gjermania dhe Kosova, një nga prioritetet që vendosën në ditët e para ishte riatdhesimi i qytetarëve që kishin jashtë. Kosova mbylli dje riatdhesimin në Azinë Juglindore. Do ta shtroni si problem kryesor në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare çështjen e riatdhesimit të shqiptarëve që kanë mbetur jashtë?

Presidenti Meta: Patjetër ky ka qenë dhe mbetet një shqetësim i yni që në momentin e parë që u detyruam të merrnim masa kufizuese apo ndaluese sa i takon kontakteve apo fluturimeve me vendet të ndryshme. Është bërë një punë në këtë drejtim në identifikimin e të gjithë qytetarëve, të cilët nuk kanë patur mundësi për arsye të bllokimit të transportit apo të fluturimeve për t’u rikthyer në vend. Sigurisht që kjo është një çështje e rëndësishme edhe e mbledhjes së nesërme, për të vlerësuar situatën se ku jemi dhe cilat janë hapat që do të ndërmerren në këtë drejtim.

Pyetje: Nëse do të vihet përballë këtij shqetësimi fatura financiare ose pamundësia, cili do të jete qëndrimi juaj?

Presidenti Meta: Besoj se do të bëhen të gjithë përpjekjet për t’i hënë zgjidhjen e duhur kësaj çështjeje në interes të rikthimit të qytetarëve tanë, por edhe njëkohësisht të mbrojtjes së tyre atje ku janë, fjalë vjen në Itali apo në Greqi. Në këtë drejtim ambasadat tona, – unë kam qenë personalisht në kontakt disa herë me përfaqësuesit tanë, kam qenë në kontakt, i kam orientuar, jam përpjekur sidomos për qytetarët që kanë pasur mundësi më të kufizuar ekonomike ose që nuk kanë parashikuar të qëndrojnë për një kohë të gjatë, të ofrojnë edhe lehtësira duke u kujdesur edhe për ruajtjen e shëndetit të tyre.

Sigurisht që do të bëhet çdo gjë për riatdhesimin e tyre.

Pyetje: Kur flasim për kujdesin që tregon shteti ndaj njerëzve që janë në vijën e parë të luftës, kemi parasysh personelin shëndetësor, çfarë bën shteti shqiptar për për personelin diplomatik që ka jashtë në këto momente?

Presidenti Meta: Besoj se personeli diplomatik ka marrë të gjitha udhëzimet e duhura ashtu sikurse të gjithë shqiptarët, të cilët janë në misione të ndryshme jashtë vendit për të respektuar të gjithë rregullat e domosdoshme për t’u mbrojtur në këtë situatë.

Pyetje: Në kontaktet që ju keni pasur, çfarë shqetësimi keni ju personalisht për to?

Presidenti Meta: Shqetësimi është identifikimi i qytetarëve tanë kudo që ndodhen, dhënia e ndihmës për momentin që ata të mos dëmtohen në të gjitha aspektet, përfshirë edhe shëndetin e tyre dhe natyrisht marrja e masave për të gjetur mënyrën më të shpejtë dhe më të sigurt që i riatdheson.

Pyetje: Ne kemi edhe 500 ushtarakë shqiptarë që kryejnë misionet në vendet që janë prekur nga virusi. A keni kontakte me ta ose me familjarët e tyre?

Presidenti Meta: Kontaktet kryesisht në këtë raport i kam patur me Shefin e Shtatit të Përgjithshëm FA dhe sipas tyre gjendja paraqitet pa probleme dhe ata kanë marrë udhëzimet e duhura se si duhet të sillen dhe të mbrojnë shëndetin e tyre. Deri tani nuk kam patur ndonjë njoftim shqetësues për shëndetin e tyre dhe ky është një lajm i mirë.

Në rastin e ushtarakëve çështja është pak edhe më pozitive në drejtim të faktit që ata janë të vetdisiplinuar dhe kjo është edukatë e tyre e përditshme.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura