Mbyllja e kolegjit turk, Helsinki dënon vendimin: I nxituar dhe me pasoja. Ja 7 arsyet përse masa ndaj “Mehmet Akif” ishte e ashpër

Oct 1, 2022 | 8:14
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA

proteste ne km nxeneset e mehmet akif 9

Një prej institucioneve që ka si mision të kontribuojë në respektimin e të drejtave të njeriut në përputhje me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka dënuar ashpër procedurën që ka ndjekur qeveria për mbylljen e kolegjit turk “Mehmet Akif Ersoy”.

Me një gjuhë të qartë argumentuese, rendit disa fakte që dëshmojnë se rruga që ndoqën dhe masa që dhanë autoritetet ishte “e ashpër, e nxituar, jo proporcionale dhe me pasoja të dëmshme”.

Sakaq, sipas KSHH, nuk është kolegji pa standarde, siç pretendohet në vendimin e marrë, por procedura që ndoqën autoritetet për mbylljen e kolegjit.

Përmes një deklarate, Komiteti Shqiptar i Helsinkit i sugjeron Këshillit të Ministrave të rishikojë vendimin bazuar në kërkesat ligjore.

DEKLARATA

Një ankesë nga ana e mësuesve që japin mësim në këtë kolegj ka nxitur Komiteti shqiptar i Helsinkit ta shqyrtojë çështjen në detaje duke nisur nga gjeneza. Në 1996, Bashkia Tiranë dhe fondacioni kanë nënshkruar kontratën që i jep të drejtën e përdorimit për 30 vite. Në 10 qershor, kërkohet transferimi i shkollës nga godina ekzistente në një tjetër në Kashar.

Përmes një informacioni shkresor, pa vajtur në vendndodhje, MAS komunikon se godina nuk përmbush standardet duke i qëndruar kështu atij mendimi edhe sot. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Fondacionit kanë punuar në përmbushjen e standardeve të kërkuara duke kërkuar vetë një inspektim nga ana e ekspertëve.

Gjatë kësaj kohe, Bashkia Tiranë ka miratuar kalimin e të drejtës së shfrytëzimit që gëzonte shkolla tek një palë e tretë e përzgjedhur prej tij, duke u siguruar kështu që t’i lërë pa godinë.

Sërish i kërkohet ministrisë të inspektojë punimet në 27 korrik të 2022. Vetëm në 14 shtator, dy ditë pasi kishte nisur viti i ri shkollor, MAS ngre grup pune për vlerësimin e kushteve të licencimit të ushtrimit të veprimtarisë duke bërë brenda një dite vlerësimin dhe vendimin. Pa dhënë kurrfarë afati për përmbushjen e atyre kërkesave që kërkoheshin.

Një javë më vonë, në datën 22 shtator, vetëm disa ditë më vonë, është marrë vendimi për mbylljen e veprimtarisë, në një kohë që institucioni ka vepruar në mirëbesim. Ka punuar në ndërtimin e infrastrukturës në njërën shkollë, duke hequr dorë nga tjetra pasi nuk mund ta përballonte dot mbajtjen e dy ndërtesave njëherësh.

ARSYETIMI

Pasi bën kronologjinë e çështjes, Helsinki thotë se ky vendim nuk përmbush standardet thelbësore të arsyetimit, si një akt administrativ me pasoja për palët, por edhe për nxënësit dhe prindërit e tyre që i kanë besuar Fondacionit edukimin dhe arsimimin e tyre. “Sipas standardeve të jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, përveç elementeve formale, akti administrativ duhet të jetë i qartë dhe të përmbajë, krahas shpjegimit të situatës faktike mbi të cilën është marrë, edhe shpjegimin e përmbledhur të rezultatit të hetimit administrativ dhe të vlerësimit të provave, bazën ligjore të aktit, një shpjegim pse kushtet ligjore për zbatimin e tij plotësohen në këtë rast”, citohet në deklaratën e KSHH duke shtuar se vendimi refuzues duhet të përcaktojë qartë shkaqet e refuzimit, të shprehura në mënyrë të tillë që kërkuesi të kuptojë se ç’masa duhet të marrë që, me një aplikim të dytë, të mund të pajiset me licencën e kërkuar. Janë këto disa nga arsyet kryesore që Komiteti Shqiptar i Helsinkit i sugjeron qeverisë të rishikojë vendimin bazuar në legjislacion.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura