Mbyllet “Top Fest”, ky do jetë edicioni i fundit

May 18, 2015 | 13:32
SHPËRNDAJE


“Top Fest” është shpallur i dështuar nga vetë drejtuesit e tij, pas 12 vitesh histori. Rrugëtimit të Festivalit të muzikës moderne gjatë 12 viteve duket se i ka ardhur fundi. Pak para natës finale që do të organizohet më 31 maj në Tiranë, producentja që ka marrë përsipër këtë edicion, Lori Hoxha, ka deklaruar në një intervistë për revistën “Elegancë” se festivali nuk do të ketë vijueshmëri, duke e cilësuar kështu si një cikël të mbyllur. “Në gjykimin tonë, festivali si formë e ka kryer tashmë misionin e tij. Vit mbas viti, ky festival ka evoluar duke nisur me trende dhe mënyra të reja. Tashmë ndodh diçka tjetër. Publiku ynë është i mësuar me format europiane të vlerësimit të muzikës dhe ne nuk mund të pretendojmë të jemi më ekspertë se Europa apo bota”, është shprehur 23-vjeçarja në intervistën në fjalë. Edhe pse nga kjo skenë kanë dalë emra të njohur të muzikës shqiptare, duket se tregu komercial ka pushtuar muzikën shqiptare duke i dhënë një goditje të fortë këtij festivali, i cili çdo vit ka seleksionuar zërat e muzikës shqiptare. Ashtu siç ka premtuar edhe Lori gjatë rrëfimit të saj, këtë vit “Top Fest” do të vlerësojë punën e një viti, të gjithë artistët në një mbrëmje të vetme, të frymëzuar nga eksperienca të “Grammy’s” apo “MTV awards”. Pavarësisht kësaj deklarate publike të producentes së festivalit, burime të sigurta brenda “Top Channel” na bënë të ditur se ende nuk ka një vendim zyrtar për mbylljen e “Top Fest”. Gjithsesi, na mbetet vetëm të presim show-n e mbrëmjes së 31 majit dhe surprizat e ndarjes së çmimeve. Këtë vit autorët e festivalit janë Ergys Lubonja dhe Ledion Liço, drejtor i orkestrës Alban Male dhe ideator e skenarist Ardit Roshi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura