Mbyllet “Shqip” i Xhungës, kishte nisur puna për sezonin e ri

Sep 4, 2015 | 11:48
SHPËRNDAJE

Pas plot 13 vitesh mbyllet emisioni “Shqip” i gazetares Rudina Xhunga. Edhe pse përgatitjet kishin filluar për sezonin e ri, gazetarja është njoftuar këto ditë se bordi drejtues i “Top Channel” ka vendosur t’i japë fund emisionit që Xhunga drejtonte çdo të hënë. Por ndërkaq, episodi i parë është regjistruar dhe “Shqipi” i së hënës do të jetë i fundit, duke mbyllur kapitullin e tij në ekranin e “Top Channel”.

xhungaArsyet nuk dihen ende, ndërkohë që mësohet se gazetarja ka qenë tërësisht e papërgatitur përpara një vendimi të tillë. Ka zëra se Xhungës do t’i jepet mundësia të realizojë një tjetër format. Po ashtu ka zëra për të tjera lëvizje brenda televizionit dhe të tjera emisione që mund të zënë hapësirën kohore televizive të Xhungës. “Shqip” është emisioni i parë që ka dalë në transmetim në “Top Channel”, në 3 maj të vitit 2002.

Tashmë një gazetare e suksesshme, që realizonte në ekranin e Televizionit Publik Shqiptar emisionin “Dritare”, Xhunga guxoi të merrte përsipër një sfidë të vështirë, të ngrinte një emision në një televizion tërësisht të ri e të panjohur.

Në 13 vitet e jetës së tij, “Shqip” është bërë tryeza e debatit të ndezur politik, por edhe i problematikave shqetësuese. Nga “Shqip” është folur shqip për problemet e turizmit, duke shëtitur anë e kënd Shqipërisë, por edhe për çështje të mprehta, si dhuna ndaj gruas.

Kjo e fundit ka gjetur një dritare në emisionin e Rudina Xhungës. Por jo vetëm gratë e dhunuara e të papuna, por edhe gratë politikane, duke promovuar modele suksesi. Një linjë e veçantë e këtij emisioni ka qenë edhe kultura.

Emra të mëdhenj të letërsisë botërore e shqiptare kanë qenë protagonistë të të hënave, po aq sa edhe problematikat në fushën e trashëgimisë kulturore, botimeve etj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura