Mbyllet dosja e ’21 Janarit’, Gjykata e Lartë rrëzon prokurorinë për të burgosur gardistët

Apr 25, 2016 | 15:49
SHPËRNDAJE

Pasi ndenji 3 vjet në dhomë këshillimi, Gjykata e Lartë rrëzoi sot rekursin e Prokurorisë së Përgjithshme, për “21 Janarin”, për dënimin me 23 vjet burgim për Ndrea Prendin dhe 25 vjet për Agim Llupon, duke mos pranuar të nisë gjykim për çështjen.

Burime të “Panorama.al” thanë se Kolegji Penal i gjykatës supreme është mbledhur të premten, por vendimi duket se është marrë sot paradite.

Momenti i vrasjes së Hekuran Dedës më 21 janar 2011
Momenti i vrasjes së Hekuran Dedës më 21 janar 2011

Përfundimisht, rrëzohet rekursi i Prokurorisë së Përgjithshme.

Kolegji Penal, i përbërë nga Edmond Islamaj, Artan Zeneli, Aleksandër Muskaj, Guxim Zenelaj dhe Shkëlzen Selimi lë kështu në fuqi vendimin e gjykatës së Apelit Tiranë.

Vendimi i Apelit u dha në vitin 2013 dhe dha dënimin me një vit burgim për ish-komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe dënimin me 3 vjet burgim për ish-gardistin Agim Llupo.

Ndërkohë, shoferi i ish-komandantit, Margarit Kume u shpall i pafajshëm.

DEKLARATA E RAMES NE 5-VJETORIN E “21 JANARIT”

21 Janari, Rama: Mos më kërkoni të përdor pushtetin për t’u hakmarrë

“Ne kemi mbështetur rihapjen e çështjes nga ana e Prokurorisë me elementë të rinj që kemi dërguar. Nuk jemi ngutur në kuptimin që të ndërtojmë një akuzë që do të merrte një intonacion politik dhe do të dëmtonte një proces të drejtë dhe të pavarur, por kemi çuar prova të reja që i krijojnë mundësi Prokurorisë që të rihapë çështjen. Mos harrojmë që çështja është e pambyllur sepse është në gjykim dhe ne me durim dhe duke shtrënguar dhëmbët presim që si do të shkojë nga pikëpamja e gjykimit të kësaj drejtësie që është. Por, 21 Janari, e kam thënë edhe më parë, është një nga ato ngjarje që historia mëson se nuk mbyllen pa drejtësi dhe është rasti kur gjen kuptim të plotë fjala e popullit, që drejtësia vonon, por nuk harron. Drejtësia për 21 Janarin mund të vonojë, por nuk do të harrojë.

Unë jam shumë i vetëdijshëm që padurimi, zhgënjimi, kërkesa e llogarisë së njerëzve për këtë drejtësi të munguar shpesh faturohet tek unë apo tek Qeveria, por duhet që njerëzit ta dinë që do të ishte një fatkeqësi e dytë, një 21 Janar i ftohtë nëse ne do të kishim përdorur pushtetin politik për të bërë një hakmarrje politike dhe nëse unë do të kthehesha në prokuror dhe gjykatës. Së pari, kjo është e pamundur në sistemin ku jetojmë dhe së dyti kjo është një shkelje shumë e rëndë, po aq e rëndë sa 21 Janari dhe pse pa jetë njerëzish…nëse do të kuturiseshism që të bënim një proces politik.

Dua t’ju siguroj që shumica jonë është e vendosur për të bërë reformën në drejtësi dhe askush nuk duhet të keqkuptojë dhe keqinterpretojë diferencat në retorikë mes meje dhe kreut të Kuvendit dhe askush nuk duhet të harrojë që ky është një proces që ne ja kemi lënë Kuvendit. Në rastin konkret, nëse e shikojmë dhe gjykojmë Ilir Metën vetëm si kreu i LSI-së mund të keqkuptohemi. Ai është edhe kreu i Kuvendit dhe në këtë proces duhet të jetë mbi të gjitha kryetar i Kuvendit dhe si i tillë duhet të kërkojë konsensus deri në mërzi dhe bezdi për njerëzit që presin me padurim reformën në drejtësi sepse ky është roli që ka”, ka thene Rama nje interviste per “Top Story”.

DEKLARATA E KREUT TE GJYKATES SE LARTE

Kreu i Gjykatës së Lartë: Vendimi për “21 Janarin”, brenda pak javësh

Më 10 shkurt te ketij viti, duke folur për 21 Janarin, Kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori tha se shumë shpejt, brenda javësh, do dali në përfundim nëse do kalojë dosja në gjykim apo do mbyllet, pasi aktualisht ndodhet në dhomë këshillimi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura