Mbyllet panairi, ja sa shqiptarë aplikuan për 8 mijë vende pune

May 1, 2016 | 8:46
SHPËRNDAJE

Viti i tretë i Panairit të Punës vërtetoi tezën e qeverisë, e cila thotë se punë ka, por jo profesionistë të kualifikuar. Pikërisht këtë vuri në dukje ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, në fjalën përmbyllëse të evenimentit.

klosi“Në këtë panair, janë bashkuar bizneset me institucionet shtetërore dhe me institucione të arsimit profesional, për të ngritur zërin edhe një herë për të thënë: Në Shqipëri, edhe në këtë panair ka punë, por ka nevojë për profesionistë”.

I vetëdijshëm për problematikën në fjalë, ministri shtroi rrugën e zgjidhjes që duhet të ndërmarrë qeveria. “Kur celëm këtë Panair, morëm me guxim iniciativën që të dilnim përballë temës së papunësisë, e morëm me guxim këtë debat sepse në Shqipëri ne e dimë që ka të papunë por që ne duam t’i orientojmë ndaj tregut të punës të I cili nuk është administrate shtetërore.

Ai është i egër dhe e dimë, bizneset janë nën kredi dhe duhet të zhvillohen, por që duhen profesionistë”. Në fund të panairit, Klosi loboi sërish për ndjekjen e arsimit profesional me qëllim për të ulur shifrat e të papunëve me diplomë universitare.

“Bashkojuni arsimit profesional, i cili ofrohet falas. Janë kurse, të cilat u vijnë në ndihmë të papunëve, merrni një zanat, një profesion. Ju bën konkurrentë dhe ju orienton në tregun e punës”.

APLIKIMET

Nga lista me vendet bosh dhe aplikimet në secilin sektor, del në pah një handikap shumë i madh që kërkon zgjidhje. Për shërbime që kërkojnë aftësi bazike janë regjistruar qindra kërkesa.

E kundërta ka ndodhur me mijëra vendet bosh që “nuk i ka marrë njeri përsipër”. Për shembull, rreth 200 persona kanë aplikuar për 6 vende të lira pune në një rrjet dyqanesh. Ndërsa kompania e TAP-it që ofroi 1200 të tilla, ka marrë vetëm 700 aplikantë. Veç saj, një tjetër problematikë nxori ky panair.

Pjesa më e madhe e të rinjve, ose 2/3 e aplikantëve, janë regjistruar për 3 mijë vendet e lira në call center. Një arsye për këtë zgjedhje e dha vetë ministri Klosi.

“Në qoftë se kemi njerëz të kualifikuar që dinë një gjuhë të huaj dhe dinë të komunikojnë, janë të lutur të aplikojnë nëpër këto qendra të punësimit. Mbase nuk është puna më e mirë, por edhe një punë e paguar shumë mirë, me të cilën bën një jetë më se normale”.

Pas call center-ave, listën e sektorëve me më shumë kërkesa e kryeson ndërtimi, industritë përpunuese, agroushqimore, telekomunikacioni dhe sistemi bankar.

KËRKESË-OFERTË

Aktiviteti treditor që zhvillohet për të tretin vit radhazi, sipas organizuesve ka realizuar synimin e tij: afrimin e kërkesës me ofertën e tregut të punës. Por kjo nuk është rruga e vetme.

Këtë gjë po përpiqet të bëjë pushteti qendror dhe ai lokal. Për nënkryetarin e Bashkisë, Arbjan Mazniku, kantieret e punës të hapura në gjithë territorin e Bashkisë Tiranë dëshmojnë rolin aktiv që po luan institucioni që bashkëdrejton.

“Ajo që po bëhet në të gjithë Shqipërinë, nëpërmjet investimeve publike, është një mënyrë se si shteti po investon edhe në hapjen e vendeve të punës.

Punimet në sheshin ‘Skënderbej’, që do të fillojnë së shpejti, do të krijojnë më shumë se 900 vende pune.

Këtu nuk janë llogaritur vendet e punës sekondare, siç mund të jenë gurëprerësit, që mund të jenë në Tropojë, Korçë apo në Librazhd, apo ata që do të merren me transportin e pemëve nga e gjithë Shqipëria”.

Ajo çfarë u bë në tri ditë panair ishte vendosja e kontakteve të punëkërkuesve me ofruesit e punës, e madje një pjesë e tyre zhvilluan dhe intervista.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura