Mbyllet me 25 botime kolana e kujtesës nga “UET Press”, Rama: Vlerë për historinë

Sep 21, 2019 | 22:04
SHPËRNDAJE

Është përmbyllur sot ceremonia e projektit 10- vjeçar të Institutit Europian “Pashko”, “25 Libra për kujtesën mbi komunizmin”, i cili ka kontribuar këto vite në njohjen më së miri të së shkuarës komuniste.

Për Universitetin Europian të Tiranës dhe shtëpinë e tij botuese UET PRESS, ky projekt ka qenë tejet i rëndësishëm, i ndërmarrë për herë të parë nga një institucion arsimor jopublik, i cili shkaktoi jo pak zhurmë në rrethet akademike e më gjerë. Kolana me 25 libra për kujtesën mbi komunizmin nisi 10 vjet më parë me botimin e librit të Blendi Fevziut, “Jeta ime”, me 31 intervista me personazhe të shumta e shërbeu si një model që vjen si testament për brezat nga memoria historike e kombit tonë. Ceremonia përmbyllëse u zhvillua në qendrën COD në Kryeministri, me praninë e Kryeministrit Edi Rama dhe të disa autorëve si Kurt Kola, Fatos Tarifa, Mustafa Nano, Isuf Kalo, Eni Vasili etj..

edi-rama-1-770x433

Kryeministri Rama, gjatë fjalës së tij në këtë ceremoni, theksoi nevojën që ka shoqëria sot për lirinë e kujtesës si një e drejtë e gjithsecilit për të pasur kujtesën dhe këndvështrimin e tij mbi të shkuarën. Sipas Ramës, kjo kolanë ka kryer një shërbim duke u dhënë mundësi lexuesve dhe dashamirësve të leximit dhe njerëzve të interesuar për historinë, të mund të marrin mësime historie nga burime të larmishme, të cilat në shumë raste kontradiktojnë me njëra-tjetrën dhe kjo pa diskutim nuk është diçka e keqe, është diçka e mirë. “Deri më sot kemi celebruar lirinë e të folurit, por ende nuk e kemi celebruar lirinë e të kujtuarit, si një e drejtë e gjithsecilit për të pasur kujtesën dhe këndvështrimin e tij mbi të shkuarën, çka mendoj se është tranzicioni për të realizuar edhe lirinë e të dëgjuarit, e cila është liria më e shkelur e hapësirës sonë publike, ku të gjithë kanë të drejtë të flasin, por shumë pak njerëz e shijojnë të drejtën për të dëgjuar dhe e shijojnë në fragmente të caktuara, jo gjithmonë.

Është një lloj i të folurit i të gjithëve përnjëherësh do të thosha, që ka penguar në tërësi një penetrim më të shëndetshëm në labirintet e kujtesës. Një poet i njohur dikur ka shkruar në mos gaboj në përkthim ‘të tregosh, është të kujtosh dhe të kujtosh, është të jetosh”, u shpreh Rama. Ai shtoi se i vjen mirë që këtë kolanë të sukseshme Henri po e dhuron për COD. “Ne i kemi të gjitha, por të dhuruara nga autorët dhe botuesi kanë një vlerë dhe për historinë”.

nevila-nika

Ndërkohë, duke iu referuar fjalës së rektores së UET-së, Nevila Nika, mbi debatin e madh që kishin hapur botimet e kësaj kolane, z. Rama shtoi se, nëse kjo kolanë nuk do të kishte hapur debat dhe këto vepra nuk do të kishin shfaqur xhelozira dhe inate, atëherë do të kishin dështuar. “Kjo është gjëja që do ju bëjë të ndiheni mirë, përderisa keni arritur t’i shkaktoni të gjitha këto, keni pasur sukses. Nëse do të kishit ndier konsensusin e mirësisë dhe të qetësisë, do të kishit dështuar.

Në këtë mënyrë, çdo sukses vjen me të gjitha këto klithmat e ndjenjave disi më të ulëta sesa ndjenjat më të larta, por në fund të fundit është qoftë çmimi, qoftë edhe certifikata e suksesit”, shtoi Kryeministri gjatë fjalës së tij në këtë ceremoni. Përballja me të kaluarën nuk është një sfidë e lehtë për një vend si i yni, theksoi rektorja e UET-së, Nevila Nika, pasi Shqipëria përjetoi një regjim diktatorial për gati gjysmë shekulli. “Kjo përballje ka nevojë për shumë aktorë, për shumë kontribuues e mbi të gjitha, ka një nevojë të domosdoshme për shumë njerëz mendjehapur. E pikërisht këta të fundit nuk i kanë munguar kurrë Universitetit Europian të Tiranës”, tha rektorja Nika.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura