Mbyllet debati për godinën, në Teatër vjen tragjedia “Makbeth”

Feb 21, 2018 | 12:00
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ “Vend i mjerë, trembet kur sheh veten./ E kishim nënë dhe na u bë varr!/Ku s’qesh veç buza e ndonjë të marri”.

makbeth

Nuk është nëma e ndonjë të mërzituri nga tranzicioni i gjatë shqiptar, nga politikat qeveritare apo shembja e Teatrit Kombëtar.. Janë vargje të Shekspirit, nuk dihet se kur, por mendohet të jetë vënë në skenë për herë të parë në vitin 1606.

I madhi Shekspir ishte profet i kohërave, veprat e tij kaluan shekuj dhe gjithnjë ndihen aktuale sepse dëshira për pushtet mbetet po ajo, ndërrojnë ndoshta vetëm mënyrat për ta arritur. Nëse është një kamë e përgjakur apo një formë më e sofistikuar. Tradhtia e mikut është po aq e hidhur sa pelini; ndjenja e fajit të vret gjumin dhe hakmarrja të kthehet në motiv jete. Ndaj, edhe “Makbethi” është një nga tragjeditë më të mëdha të historisë së letërsisë botërore dhe një nga sfidat e regjisorëve.

Madje, edhe dështimi i shumë syresh. Këtë e pranon edhe vetë Teatri Kombëtar, në faqen e “Facebook”-ut të të cilit shkruhet se “ekziston një besëtytni mbi pjesën e Shekspirit “Makbeth”, vetëm përmendja e emrit të shfaqjes në teatër sjell ters. Shumë njerëz mendojnë se asnjë produksion filmik ose teatral nuk mund t’i afrohet gjenialitetit të prozës së shkruar të Shekspirit. Si pasojë, shumë aktorë dhe regjisorë janë paralajmëruar që as të mos provojnë ta bëjnë këtë. Duke marrë parasysh të gjitha këto gjëra, mund të themi se një pjesë e produksioneve të Makbethit kanë mbetur imune ndaj këtij mallkimi. Urojmë që dhe ne të mbetemi imunë ndaj tij!”

SFIDA

Sfidën për të vënë në skenën e Teatrit Kombëtar këtë vepër, e ka marrë përsipër regjisori Kled Kapexhiu. U bënë 2 vjet tashmë që Kapexhiu punon mbi këtë projekt, që pretendohet të jetë më shumë se një vënie klasike.

Edhe pse gjatë dy javëve të fundit aktorët e Teatrit Kombëtar janë përfshirë në një valë “protestash”, të cilat tanimë kanë marrë fund, puna për “Makbethin” ka vijuar normalisht. Së shpejti pritet që në skenën e TK të ngjitet një nga veprat më të mëdha të Shekspirit, nën interpretimin e aktorëve Indrit Çobani, Luli Bitri, Arben Derhemi, Laert Vasili, Neritan Liçaj, Genti Deçka, Suela Bako, Jaho Guma, Xhino Musollari, Adelina Muça, Niada Saliasi, Arjola Basho, Klodjana Keco, Egla Ceno e Serxhio Harizi.

“MAKBETHI”

Një gjenerali skocez, Makbethit, i shfaqen tri magjistrica, të cilat i zbulojnë profecinë, se një ditë ai do të bëhet mbret i Skocisë. I konsumuar nga ambicia dhe i nxitur nga gruaja e tij, Zonja (Ledi) Makbeth, ai vret Mbretin Dunkan, duke rrëmbyer kësisoj fronin e Skocisë. I detyruar të kryejë gjithmonë e më shumë vrasje për të mbrojtur veten dhe për të hequr dyshimet mbi të, ai shumë shpejt do të bëhet një tiran që torturohet nga ndjenja e fajit dhe paranoja.

Në këtë rast, “Makbeth” është lexuar si përthyerja e dëmtimeve psikologjike dhe fizike të shkaktuara nga ambicia politike dhe të atyre që e duan pushtetin për interesat e tyre. “Prej të gjitha veprave që Shekspiri ka shkruar gjatë sundimit të Mbretit James I, i cili ishte gjithashtu pronari i kompanisë teatrore të Shekspirit, “Makbeth” pasqyron qartë marrëdhënien e shkrimtarit me sovranin”.

“Makbeth” është konceptuar si një vepër multidimensionale, ku skenografia, kostumografia, maskat, videoprojeksioni, janë elementë tepër të rëndësishëm në ndërtimin e tragjedisë, që ngrihet mbi luftën për pushtet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura