Mbyllet aplikimi, Rama: Faleminderit për 734 ëndrrat që keni ndarë, fituesit më 15 mars

Mar 1, 2015 | 19:18
SHPËRNDAJE

Këtë të diel ka skaduar edhe aplikimi i nisur rreth dy muaj më parë nga kryeministri Edi Rama “Ëndrra ime 2015”. Afati i fundit për të kërkuar financim për projektin ishte data 28 shkurti, ndërsa më 15 mars, do të shpallen 10 ëndërrimtarët apo grupet e ëndërrimtarëve.

Foto e publikuar nga kryeministri Rama ne “Facebook”

Në një koment në rrjetin social “Facebook”, Rama ka falënderuar 734 aplikuesit duke thënë se qeveria do të mbështesë fituesit e projektit.

“Faleminderit për të gjitha 734 idetë dhe ëndrrat që keni ndarë me ne përmes aplikacionit Ëndrra Ime 2015! Fituesit që do të mbështeten për realizimin e ideve të tyre të spikatura, do të shpallen më 15 Mars”,-ka shkruar Rama në “Facebook”, ndërsa shtoi se të gjithë ata ëndrruan ‘patën kurajon t’i ktheni në një plan konkret, jeni fitues, sepse siç e ka thënë dhe Laura Ingalls Wilder, askush nuk ka arritur ndonjëherë diçka, që nga më e vogla deri tek më e madhja, pa patur si fillim një ëndërr’.

Më herët, në fillim të muajit janar, kryeministri Edi Rama premtoi se qeveria do të financojë ëndrrat e 10 të rinjve, të cilët do të propozojnë idetë e tyre në formë projekti. Kreu i qeverisë shpalli në faqen e tij në “Facebook” aplikacionin “Ëndrra ime 2015”, me anë të së cilës ka ftuar të gjithë gjimnazistët dhe të rinjtë deri në moshën 30 vjeç që të realizojnë ëndrrat e tyre në formë projekti konkret, dhe të përzgjedhurit më pas do të mbështeten me financim nga qeveria. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura