Mbyllen hetimet për vrasjen e gjyqtares Hafizi, ja akuzat që rëndojnë mbi ish-burrin

Dec 15, 2017 | 22:43
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mbyllur hetimet për vrasjen e gjyqtares Fildez Hafizi, e cila u qëllua me armë zjarri nga ish-bashkëshorti i saj, Fadil Kasemi. Dosja është dërguar për gjykim ditën e djeshme te Krimet e Rënda, ndërsa Kasemit i janë komunikuar edhe akuzat.

1504631700Fildes-Hafizi

Ai akuzohet për “vrasje” dhe “armëmbajtje pa leje”. I pandehuri ende nuk ka shfaqur asnjë pendesë për krimin e kryer, ndërsa akti i ekspertimit mjeko-ligjor e ka nxjerrë të përgjegjshëm si para, ashtu edhe pas krimit. Vrasja e rëndë ndodhi më 31 gusht në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë.

Gjyqtarja u qëllua në afërsi të banesës nga ishbashkëshorti i saj, i cili më pas tentoi të largohej nga vendngjarja duke ndaluar një furgon në rrugë.

Por ndërhyrja e shpejtë e Policisë bëri të mundur arrestimin e tij. Ngjarja kriminale është konsideruar si e paralajmëruar, pasi më herët, ishbashkëshorti i gjyqtares ishte përfshirë edhe në konflikte të tjera me Fildez Hafizin.

Kujtojmë këtu ngjarjen te “Shkëmbi i Kavajës”, kur Fadil Kasemi i armatosur ka mbajtur peng duke kërcënuar me armë për disa minuta ish-bashkëshorten e tij.

Të vetmen pendesë që ka shfaqur Kasemi në organet e akuzës ka qenë për dy fëmijët. Ndërkohë, beteja ligjore për kujdestarinë e tyre vazhdon në Gjykatën e Tiranës. Motra e Fildez Hafizit pretendon të marrë kujdestarinë e dy fëmijëve, por Kasemi, që është palë e interesuar, nuk heq dorë.

Ai ka thënë në një seancë se ka edhe ai vëllezër plot. Po kështu, njëri prej vëllezërve të tij ka shfaqur pretendime për të marrë kujdestarinë e fëmijëve të mbetur jetimë. Fadil Kasemi qëndron në burg prej katër muajsh, ndërsa rrezikon burgim të përjetshëm për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura