‘Mbulimi’ i Skënderbeut, reagon Veliaj: Harmonia fetare s’duhet marrë si e mirëqenë

Sep 4, 2017 | 12:17
SHPËRNDAJE

Në ditën e përvjetorit të shenjtërimit të humanistes shqiptare, Bashkia e Tiranës nderoi me medaljen e “Nënë Terezës” Fondacionin Alternativa e së Ardhmes (ALSAR), e cila ndihmon fëmijët jetimë, si dhe Komunitetin Papa Giovani XXIII që ka në fokus individët ne situatë rruge.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj vlerësoi kontributin e këtyre dy organizatave bamirëse të cilat kanë ndihmuar njerëzit në nevojë në kapërcimin e vështirësive.

thumbnail_Veliaj per diten e pervjetorit te shenjterimit te Nene Terezes (2)

“Jam posaçërisht i lumtur sot që, ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës, nderojmë me medaljen e saj dy vëllezër, dy bashkëpunëtorë, dy komunitete vullnetarësh, bamirësish dhe njerëzish që me skuadrat e tyre bëjnë punë fantastike. Janë dy organizata me bazë besimi, njëra me besimin mysliman dhe tjetra me besimin e krishterë, por secila prej organizatave ka gjetur një shteg për të zgjidhur një problem”, deklaroi Veliaj.

 

Duke vlerësuar mesazhin e bashkimit që përcjell Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Veliaj u shpreh se harmonia fetare nuk duhet marrë si e mirëqenë, por duhet kuruar çdo ditë.

“Mesazhi i Skënderbeut është të rrimë bashkë. Duke qenë bashkë, si sot, japim mesazhin e duhur. Të gjithë u ndjemë krenare kur para pak muajsh në Paris, krerët e besimeve të Shqipërisë parakaluan dhe u duartrokitën nga gjithë civilizimi perëndimor për atë harmoni. Harmonia fetare nuk është diçka që e marrim të mirëqenë, është diçka që duhet ta kurojmë përditë”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku deklaroi se shqiptarët janë të destinuar të bashkëjetojnë e të bashkëpunojnë së bashku.

“Duhet të kemi parasysh qe të gjitha momentet e ndritura të historisë tonë kanë ardhur kur kemi qenë bashkë. Pra nëse jemi bashkë dhe nuk i nxjerrim sytë njëri-tjetrit me çështje pa vlerë, atëherë sigurisht mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme”, u shpreh kreu i bashkisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura