“Mbreti” i shtyllave, Cikalleshi: Këtë herë gol dhe kualifikim ndaj Serbisë

Oct 6, 2015 | 13:37
SHPËRNDAJE

“Nuk ka më shtylla, tani është momenti im. Do shënoj dhe do ta çoj Shqipërinë në Europian”. Sokol Cikalleshi është i bindur se ka ardhur momenti i tij për të nderuar kombin. Gjatë një interviste ekskluzive për “Panorama Sport” pas stërvitjes së parë në prag të ndeshjes me Serbinë, titullari i sulmit kuqezi flet me shumë optimizëm. “Serbët do të kërkojnë të na prishin, por ne do t’u japim leksion në fushë dhe tribuna. Nuk biem pre e provokimeve”, thotë ndër të tjera 25- vjeçari që aktivizohet në Turqi me Istanbul Basaksehir.

Kuqezinjte ne stervitje
Kuqezinjte ne stervitje

I preferuari i De Biazit nuk ka shënuar ende asnjë gol, teksa protagonist është bërë me goditjet e shtyllave, por ai beson se të enjten do të shpërthejë, madje zbulon se edhe shokët e skuadrës e presin nga golin kundër Serbisë.

“Gjeta një atmosferë super dhe kjo pritej. Emocionet nisën për mua sapo i hipa avionit në Turqi. Kur mbërrita në hotel, u takova me bashkëlojtarët, trajnerin dhe pjesëtarët e tjerë të stafit. I pashë të gjithë të karikuar, sepse ndaj Serbisë është ndeshja më e rëndë- sishme në historinë e futbollit shqiptar dhe të gjithë janë të ndërgjegjshëm për këtë. Një fitore na çon drejt realizimit të ëndrrës dhe do të ishte fantastike nëse kualifikimin e arrinim pikërisht më 8 tetor. Gjithsesi, ne nuk jemi aspak euforikë, pasi na presin dy ndeshje.

Unë besoj shumë se do të shënoj ndaj Serbisë. Mendoj se më në fund ka ardhur momenti që unë të realizoj golin më të rëndësishëm, duke i dhuruar një fitore Kombëtares. Pas disa shtyllave që më kanë mohuar golin, Zoti ka ruajtur diçka speciale edhe për mua, kështu që shpresoj të më shpërblejë në këtë ndeshje me Serbinë. Dua që me golin tim, Kombëtarja të shkojë në Francë, aty ku të gjithë ëndërrojmë.”, thotë Cikalleshi në intervistën e tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura