Mblidhet Kryesia e re e PS, Rama: Nisim betejën për fitoren e zgjedhjeve të 2017-ës

May 3, 2016 | 19:28
SHPËRNDAJE

Partia Socialiste mblodhi sot për herë të parë Kryesinë e re, të zgjedhur nga Asambleja Kombëtare. Kryetari i PS-së, Edi Rama drejtoi sot rreth orës 17:00 mbledhjen e forumit të lartë ku u diskutua për disa çështje që kanë mbetur ende për t’u zgjidhur. Kryesocialisti theksoi se Kryesia do të nisë betejën për fitoren e zgjedhjeve të 2017-ës.

Rama-Kryesi“Na qoftë puna e mbarë. Kjo Kryesi e nis detyrën me një objektiv madhor afatshkurtër, fitoren e zgjedhjeve të qershorit 2017. Eshtë një objektiv afatshkurtër. Sot një vit jemi në sprintin final të këtij mandati. çdo ditë e kësaj periudhe deri ditën e zgjedhjeve, në jetën e PS është një ditë në funksion të zgjedhjeve.

Fushata e anëtarësimeve të reja duhet të hyjë në një fazë të re, ku çdo anëtar dhe anëtare e kësaj partie duhet të jenë tanimë protagonistë të kësaj fushate. Objektivi i 150 mijë anëtarëve në këtë vit jubilar të Partisë Socialiste është tërësisht i arritshëm.”- deklaroi Rama.

Kështu, pas zgjedhjes së strukturave qendrore, tashmë detyrë e socialistëve mbetet zgjedhja e 61 kryetarëve të degëve të partisë në secilën prej bashkive të reja, në mënyrë që edhe organizimi partiak t’i përshtatet ndarjes së re territoriale e administrative, për t’u bërë gati për zgjedhjet e ardhshme.

Ndaj, kryesia përcaktoi kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët e rinj për kryetarë. Por, më pas kryetarët do të zgjidhen me votim nga mbledhja e zgjeruar e asamblesë socialiste të secilës bashki. Por, është detyrë e kryesisë së PS-së që të bëjë përzgjedhjen e jo më pak se dy kandidatëve nga listat që këshilli koordinues i çdo qarku i ka dërguar asaj me emrat e kandidatëve që kanë plotësuar kriteret.

Një tjetër pikë e rendit të ditës së kryesisë ishte edhe miratimi i kalendarit të festimeve të 25-vjetorit të PS. Këtë vit 25-vjetori i PS-së vjen ndryshe, për shkak edhe të objektivit që ka vënë kryeministri Rama për të çuar në 150 mijë anëtarë partinë më të madhe në qeverisje të vendit. Nuk dihet se sa kjo shifër do të realizohet deri në këtë jubile, pasi shifra e fundit që u bë publike në kongresin e 19 marsit ishte aty rreth 94 mijë anëtarë.

Gjithsesi, fushata e anëtarësimeve po vijon dhe do të zgjasë edhe në ditët që vijnë deri në 12 qershor. Kjo është kryesia e tetë që nga dita e themelimit të Partisë Socialiste. Pjesë e kryesisë së re tashmë nuk do të jenë zërat kritikë Ben Blushi e Mimoza Hafizi, ndërsa dhanë dorëheqjen prej saj deputetët Namik Dokle e Arta Dade.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura