Mblidhet Këshilli Bashkiak në Vlorë, asnjë qindarkë më për futbollin

Dec 17, 2021 | 23:40
SHPËRNDAJE

Bashkia e Vlorës nuk do të financojë më për futbollin. Në mbledhjen e zhvilluar dje, Këshilli Bashkiak miratoi buxhetin për vitin 2022. Fondi që kap vlerën e më shumë se 2 miliardë lekëve nuk kishte asnjë qindarkë për Flamurtarin dhe Orikun.

Flamurtari stadiumi

Duke qenë se ka hyrë në fuqi ligji i ri për sportin (që në korrik, në fakt), Bashkia e Vlorës nuk do të akordojë asnjë burim financiar për klubet e futbollit. Forma e vetme që i lejohet është ndërmjet sponsorizimeve, por jo nga buxheti i shtetit. Për Flamurtarin nuk ka asnjë të re në fakt, pasi prej 7 vitesh nuk marrin asnjë kacidhe. Gjatë kësaj kohe për klubin vlonjat investojnë kompanitë turke. Bashkia heq nga vetja edhe një tjetër “barrë”, siç është klubi i futbollit Oriku.

Në bazë të ligjit 10340, datë 28.10.2010, “Për pagesën e detyrimeve ndaj të tretëve, të ndërmarrjeve dhe sh.a-ve në pronësi të pushtetit vendor”, si dhe ligjit “Për organizimin e aktiviteteve sportive”, Bashkia e Vlorës i propozon Këshillit Bashkiak që Oriku të gjejë burime të tjera financimi për subvencionimin e ekipit, çka do të thotë se klubi duhet tashmë që të vetëfinancohet. Në fund të çdo viti, Orikut i akordoheshin nga Bashkia e Vlorës 130 milionë lekë të vjetër. Tashmë nuk do të ketë më subvencionim, por vetëm sponsorizim. Klubi në bashkëpunim me FSHF kanë vendosur të investojnë në infrastrukturën e terrenit sportive.

 

 

Bashkia nuk do të investojë për shpenzimet e planifikuara për ekipin, siç janë pagat e lojtarëve, sigurimet, ushqimi apo udhëtimet, por Këshilli Bashkiak, me kërkesë të bashkisë, miratoi dje që të mbështesë kërkesën e administratorit të Orikut për të investuar në terrenet sportive, duke bashkëpunuar me FSHF. Për këtë bashkia vendosi në dispozicion shumën prej 60 milionë lekësh të vjetër. Ndryshe nga vitet e kaluara, bashkia nuk i ka planifikuar Flamurtarit për vitin e ardhshëm shumën prej 10 milionë lekësh të vjetër për ndjekjen e procedurave të privatizimit.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura