Mbledhje urgjente te Barcelona, por Mesi po mendon largimin

Feb 19, 2020 | 12:57
SHPËRNDAJE

Lojtarët e Barcelonës nuk janë thjesht të zhgënjyer, por të rebeluar dhe të inatosur me drejtuesit e klubit për lajmet e publikuara dy ditë më parë, në lidhje me ekzistencën e një kontrate 1 milion euro me një kompani që bën publikime në rrjetet sociale kundër tyre. Lionel Mesi me shokë ka kërkuar menjëherë llogari te presidenti Bartomeu, i cili ka bërë një mbledhje urgjente me drejtuesit dhe futbollistët. Lojtarët shprehën idenë e tyre se klubi nuk po menaxhohet ashtu si duhet dhe problemet jashtë fushës së lojës reflektohen edhe gjatë ndeshjeve. Bartomeu e prishi menjëherë kontratën me këtë kompani.

15820439115354

MBLEDHJE URGJENTE – Mbrëmjen e djeshme presidenti Bartomeu takoi futbollistët e Barcelonës dhe u kërkoi që të jenë të qetë dhe të mos u besojnë lajmeve që u publikuan nga “Cadena Ser”. Numri një i katalanasve u ka bërë me dije se koha do të tregojë se ai personalisht dhe Barcelona gjithashtu nuk kanë gisht në këtë histori dhe do të nisë hetimi për të kuptuar lidhjen që ka pasur kompania “I3 Ventures” me rrjetet sociale. Bartomeu tha se klubi mori menjëherë masat duke ndërprerë marrëdhënien dhe duke prishur kontratën me këtë kompani dhe tani do të nisë investigimin për të vërtetuar se Barcelona nuk ka lidhje. Futbollistët nga ana e tyre nuk donin që të diskutonin për këtë temë, por ngritën shqetësimin e tyre se gjërat që po ndodhin gjatë kohëve të fundit nuk e lënë ekipin të përqendrohet tek objektivat sportivë.

Mesi54

MESI I LODHUR – Por ngjarjet e shumta që kanë ndodhur te Barcelona në harkun kohor të një muaji e kanë lodhur Lionel Mesin. Kapiteni katalanas dhe lojtarët e tjerë në klub po ngarkohen shumë emocionalisht me vendimet e drejtuesve dhe kjo ka bërë që të mos japin 100% në fushën e lojës. “Pleshti” është në një fazë ku realisht po mendon që të braktisë klubin dhe të nisë një aventurë të re. Gjithçka po ndodh në ditët e fundit e shtyn atë që të lërë këtë ambient, pavarësisht se është shumë i lidhur me ngjyrat e këtij klubi dhe tifozët. Ai mendon në vetvete se tifozët do ta mirëkuptojnë edhe po u largua, sepse skuadra nuk po menaxhohet mirë dhe fajtori për këtë situatë nuk është ai, por drejtuesit e Barcelonës.

Mesi

“Cadena Ser” nuk e ka lënë me kaq lajmin e publikuar për kontratën një milion euro që Barcelona kishte me kompaninë “I3 Ventures”. Ditën e djeshme ata kanë zbuluar prapaskena të tjera dhe raportojnë se presidenti Bartomeu dhe drejtuesit e tjerë donin që të ulnin në publik figurën e Lionel Mesit dhe Xherard Pikesë për faktin se ata kishin shumë pushtet dhe i trembeshin faktit që mund të krijonin ndonjë “puç” në të gjitha aspektet. Dy lojtarët janë nga më të vjetrit në ekip dhe shpeshherë kanë dalë kundër drejtuesve me deklaratat e bëra. Për këtë arsye Bartomeu kërkonte që të krijonte publik kundër tyre dhe të nxiste urrejtje duke i sulmuar në rrjetet sociale.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura