“Kundërgoditja e forcave tona të mos ndalë në vijën e kufirit, por të shkojë më tej, deri në zotërimin e objekteve dominuese në thellësi të kundërshtarit.” Ideja për të kapërcyer demonstrimin stërvitor jashtë territorit shtetëror, është artikuluar për herë të parë nga Enver Hoxha në një takim sekret me sekretarët e Komitetit Qendror, në 13 qershor të vitit 1983.
Ka qenë kjo kryefjala e diskutimeve të liderëve kryesorë të Partisë gjatë analizës së stërvitjes komplekse “Taraboshi-83”, zhvilluar disa ditë më parë nga efektivat e divizionit të Shkodrës. Më herët, Hoxha kishte iniciuar një reformë radikale në Artin e Luftës Popullore, që mendohej një produkt i Mehmet Shehut, i shpallur tashmë tradhtar e poliagjent.
Në raportin e paraqitur fillimisht nga Simon Stefani, ish-anëtari i Byrosë Politike, që ka ndjekur nga afër demonstrimin në veri, ish-Komandanti i Përgjithshëm, është interesuar për mënyrën e reagimit të forcave tona pas sulmit të kundërshtarit dhe shkallën e dëmeve të shkaktuara nga goditjet e para të tij.
Për disa çaste pastaj ka vazhduar dialogu pyetje-përgjigje me detaje e të dhëna konkrete: “Me çfarë forcash sulmoi armiku në Tarabosh?”; “Sa territor mori dhe si e mori?”; “Sa ishte trupa e kundërshtarit?”; “Me çfarë arsenali u përgjigjën repartet tona?”; “Sa gryka zjarri kishte artileria jonë?”; “Në çfarë thellësie u fut armiku?”; “Si nisi kundërgoditja dhe çfarë efektesh pati?” e të tjera.
Stefani, që është jashtë profesionit, mundohet të përgjigjet me aq sa ka mësuar nga drejtuesit e stërvitjes dhe heraherës kërkon ta plotësojë si më kompetent Prokop Murra, ish-ministri i Mbrojtjes, që ka qenë i pranishëm në të gjitha etapat e demonstrimit “Taraboshi-83”. Nga fillimi në fund Hoxha këmbëngul të mësojë për zbatimin në terren të idesë së tij për finalizimin e kundërgoditjes përtej kufirit shtetëror, duke u ndalur në aspekte të veçanta të patrajtuara më parë.
“Kur flasim për sulmin në tokën kundërshtare, duhet që forcat tona ta njohin terrenin aty në pëllëmbë të dorës, për t’u orientuar në çdo rrethanë, për të qenë superiore në çdo ofensivë”, shprehet ish-komandanti suprem dhe tërheq vë- mendjen për ripunimin e hartave për zonat në afërsi të brezit kufitar. Aty për aty, të tjerët përforcojnë qasjen e tij dhe ngrenë disa çështje që kanë të bëjnë me sigurimin e të dhënave për palën kundërshtare dhe rifreskimin e informacionit nga efektivat e zbulimit që operojnë në terren.
Duke filluar nga sot, “Panorama” do të publikojë të plotë procesverbalin e mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të datës 13 qershor 1983, ku veç diskutimit për stërvitjen “Taraboshi-83”, Enver Hoxha gjen rastin të trajtojë edhe disa probleme të tjera, të vlerësuara deri në atë kohë si delikate.
DOKUMENTI
Takimi ditor i sekretarëve të Komitetit Qendror U bisedua për stërvitjen që u zhvillua në Shkodër, për kriteret e drejta në ndërtimin e banesave, për kujdesin që duhet treguar në zgjedhjen e kuadrit të diplomacisë e të tregtisë së jashtme, për ndërtimin e varrit të ish-presidentit të Kuvendit Popullor, Omer Nishani, për paqartësitë që kanë disa për Nako Spiron dhe për një korrigjim që duhet bërë në veprën “Kur lindi Partia”, ku flitet për Kadri Hazbiun.
SIMON STEFANI: Stërvitja që u bë ditët e fundit në zonën e Shkodrës, synonte rrethimin dhe asgjësimin e armikut, kapjen e objekteve dominuese në thellësi të territorit armik. Idetë u përpunuan në fillim në harta dhe pastaj ato u konkretizuan me rikonicionin në terren. Në shtabin e divizionit ishim edhe unë dhe shoku Prokop. Dolëm sipër në një pikë në malin e Taraboshit, sepse operacioni pjesërisht drejtohej nga Taraboshi në drejtim të Ulqinit dhe Virpazarit, ndërsa në pjesën tjetër në drejtim Hani Hotit-Titograd.
ENVER HOXHA: Me çfarë forcash na sulmoi armiku në Tarabosh? Na mori gjëkafshë ai? Sa na mori dhe qysh na i mori?
SIMON STEFANI: Ideja e stërvitjes ishte që na sulmoi armiku ne.
ENVER HOXHA: Qëllimi i tij ishte të futej brenda territorit tonë.
SIMON STEFANI: Ai na sulmoi, po ne nuk e lamë, e copëtuam.
ENVER HOXHA: Ku, në brezin e sigurimit?
SIMON STEFANI: Ia copëtuam pjesë-pjesë.
ENVER HOXHA: Domethënë, nuk e lamë.
SIMON STEFANI: Armiku gjatë sulmit nuk mundi të futej në dispozitivin tonë. Forcat tona u hodhën në kundërsulm.
ENVER HOXHA: Ku u hodhën në kundërsulm? Në ç’drejtim?
SIMON STEFANI: Në drejtim të Ulqinit dhe të Virpazarit, po nga ana e Taraboshit.
ENVER HOXHA: Tërë kjo stërvitje u zhvillua në Shkodër, brenda territorit tonë, domethënë, në këtë anë të kufirit.
SIMON STEFANI: Po, në terrenin tonë.
ENVER HOXHA: Atëherë, si u veprua?
SIMON STEFANI: U veprua në këtë mënyrë: Bushati e Pistulli që është tjetër zonë, u konsiderua si pjesë e kundërshtarit.
ENVER HOXHA: Ku është kjo zonë?
SIMON STEFANI: Në drejtim të kodrave të Vaut të Dejës. Gjithë kjo zonë u konsiderua zonë kundërshtare.
ENVER HOXHA: Kjo u konsiderua si drejtimi i sulmit Tarabosh-Virpazar?
SIMON STEFANI: Po. Tarabosh-Ulqin-Virpazar, ndërsa pjesa tjetër Hani Hotit-Titograd-Zagorë.
ENVER HOXHA: Veleçiku përfshihej brenda zonës së luftimeve?
SIMON STEFANI: Përfshihej, shoku Enver. Ajo është maja më dominuese në favorin tonë.
ENVER HOXHA: E marrim sikur është në disvaforin tonë.
SIMON STEFANI: Po, po, në disfavorin tonë, andej sulmuan “kundërshtarët”, nga drejtimi Hani Hotit-Zagorë.
ENVER HOXHA: Pra, në stërvitje dominonte ideja, sipas së cilës veprimet e armikut do të fillonin nga kufiri shtetëror në drejtim të Shkodrës?
SIMON STEFANI: Po, Bushat-Shkodër korridor.
ENVER HOXHA: Pra, forcat tona do të mateshin me forcat e ardhura nga Ulqini që nga Bushati deri në Vaun e Dejës. Të gjitha këto veprime bëheshin nga kufiri shtetëror deri këtej.
SIMON STEFANI: Në letër u bë stërvitja, në shtab u lojtën këto…
ENVER HOXHA: Në letër dakord, po pastaj si u veprua në praktikë? Sa forca morën pjesë?
SIMON STEFANI: Morën pjesë shtatë batalione.
ENVER HOXHA: Mirë këto, po artileria si lojti në stërvitje?
SIMON STEFANI: Ishte angazhuar një grup artilerie. Këtë e dëgjova kur u dha urdhri për të hapur zjarr me artileri.
ENVER HOXHA: Për ku? Në ç’drejtim?
SIMON STEFANI: Andej, në drejtim të kufirit jugosllav. Natyrisht në hartë. Sipas urdhrit, u hap zjarr në një kodër mbi fshatin Vladimir, ballë për ballë me Krajën. Zjarri i artilerisë mbështeste kundërsulmin e forcave tona që shtyheshin përpara, ecnin tutje. Komandanti i trupave tona parashikonte të realizonte detyrën deri në fund, të vinte deri në Ulqin.
ENVER HOXHA: Si u vendosën forcat tona nga drejtimi i Taraboshit? Nga i morën pozitat e sulmit?
SIMON STEFANI: I morën nga Oblika, këtej kufirit tonë.
ENVER HOXHA: Oblika matanë kufirit është?
SIMON STEFANI: Jo, është nën Tarabosh, nga pjesa sipër. Kur shkon për në Shkodër, bie në kahun e majtë.
RAMIZ ALIA: Nga fabrika e çimentos dhe ca më tej.
SIMON STEFANI: Po, që andej u caktua drejtimi. Aty u dhanë disa variante dhe për prishjen e urës, për kalimin në Bunë në pjesën këtej.
ENVER HOXHA: Po deri ku kishin arritur forcat armike që sulmi u fillua në Oblikë?
SIMON STEFANI: Armiku kishte filluar sulmin nga një vend matanë Oblikës.
ENVER HOXHA: Forcat tona, pra, futen që nga Oblika.
SIMON STEFANI: Ato do të kalonin Bunën, sepse ishte dhënë variant sikur ura qe prishur.
ENVER HOXHA: Forcat tona e prishën urën?
RAMIZ ALIA: Ajo u konsiderua e prishur.
ENVER HOXHA: Është e jugosllavëve ajo. Armiqtë, pra, e hodhën në erë. Po si mund ta hedhin ata në erë kur ne “lozim” me jugosllavët dhe Bunën e kemi nën kontrollin e topave tanë?
SIMON STEFANI: Posi, e morën. Ata sulmuan.
ENVER HOXHA: Po Bushatin e morën?
SIMON STEFANI: E morën dhe Bushatin dhe pjesën tjetër, Velipojën e të gjitha viset rreth saj.
ENVER HOXHA: Në këtë kohë, ku u pozicionua artileria jonë?
SIMON STEFANI: Kur u sulmua ura, pozicionet e artilerisë u vunë poshtë lagjes që është ndërtuar e re.
RAMIZ ALIA: Lagjja e Baçallëkut.
SIMON STEFANI: Më tej Baçallëkut.
ENVER HOXHA: Për sa kohë erdhën trupat nga Oblika në Bushat? Ndoshta, ti nuk i mban mend këto që po të kërkoj…
SIMON STEFANI: Po edhe nuk i mbaj dot mend. Më kujtohet që distanca ishte 21 kilometra. Marrja dhe kryerja e detyrës përfundimtare u bë brenda dy ditëve.
ENVER HOXHA: Brenda dy ditëve luftimi u krye? Kaq ishte parashikuar koha e stërvitjes?
SIMON STEFANI: Po, kaq.
ENVER HOXHA: Po sulmi kur filloi?
SIMON STEFANI: Pardje.
ENVER HOXHA: Domethënë, filloi të shtunën dhe përfundoi dje.
SIMON STEFANI: Dje mbaroi.
ENVER HOXHA: Atëherë nuk vazhdoi as 48 orë?
RAMIZ ALIA: Kaq sa thotë Simoni, gjithsej bëhen 24 orë, jo 48 orë.
SIMON STEFANI: Jo, jo, stërvitja filloi shpejt natën duke gdhirë dhe vazhdoi tërë ditën e diel. Pati vërejtje nga shokët e reparteve që ata të njihen më shpejt me idetë e stërvitjes. Po ashtu ata kërkuan që të punohet më mirë për të njohur terrenin, sidomos atë përtej kufirit, ku do të kryhen veprimet.
RAMIZ ALIA: Drejt e ke atë që kuadrot tona nuk e njohin terrenin matanë kufirit. Këto të dhëna ne nuk do t’ua japim reparteve. Oficerët tanë atje në Tarabosh e shikojnë çdo ditë terrenin e Jugosllavisë, prandaj që tani bile duhet të hedhin çdo gjë në hartë, të njohin përmendsh çdo objekt në afërsi të kufirit.
ENVER HOXHA: T’i hedhin, pra, me kohë në hartë, por më parë të kenë informacion për çdo objekt në afërsi të kufirit.
SIMON STEFANI: Fakti është që oficerët tanë nuk njohin mirë ç’kanë përpara.
ENVER HOXHA: Kanë harta jugosllave ata?
SIMON STEFANI: Kanë, por ato janë një çikë të vjetra.
ENVER HOXHA: Ka mundësi që në hartë nuk i kemi shënuar dot të tëra ndërtimet që bëjmë.
SIMON STEFANI: Jo, kemi edhe ne objekte që nuk i kemi hedhur në hartë.
ENVER HOXHA: As hartat tona nuk bëhen çdo ditë. Prandaj oficerët e shtabeve duhet t’i kenë në rregull të gjitha këto, t’i studiojnë me kohë dhe të gjitha këto t’i përmirësojnë.
RAMIZ ALIA: E kisha problemin tek ajo që tha Simoni, që komandanti i togës dhe i kompanisë duhet ta njohë përmendsh terrenin që ka përpara dhe që mbulon reparti i tij. Madje të njohë edhe terrenin në thellësi të tokës së kundërshtarit.
ENVER HOXHA: Duhet ta njohë patjetër. Aty ai do të veprojë.
RAMIZ ALIA: S’ka llafe këtu.
ENVER HOXHA: Ashtu, posi. Edhe kur sulmi ynë është matanë kufirit.
RAMIZ ALIA: A, e ke fjalën kur mendon të kalosh në territorin tjetër.
ENVER HOXHA: Territorin e armikut duhet t’ia bësh të njohur që më parë efektivit, jo kur të fillojë lufta. Se kur të fillojë lufta, nuk ke tjetër mjet veç hartës, çdo gjë për territorin e armikut vetëm në letër do ta kesh.
SIMON STEFANI: Do të dal në terren të shikoj si e qysh t’i vendos ushtarët.
ENVER HOXHA: Po do të shikosh territorin jugosllav, nuk ke tjetër mundësi përveçse me anë të hartave për larg dhe vrojtimeve me sy për afër.
SIMON STEFANI: Po, dakord, s’ka tjetër mundësi.
ENVER HOXHA: Ku dëshiron të shkosh ti për vrojtime?
RAMIZ ALIA: S’ke ku vete.
ENVER HOXHA: Ashtu është. Prandaj duhet t’u mësojmë ushtarakëve që janë vendosur në brezin e parë të luftimit që ta njohin me hollësi territorin jugosllav, sidomos pjesën në afërsi të kufirit tonë.
SIMON STEFANI: Të dinë çdo vend me hollësi, deri ku do të vendosë mitralozin, mortajën, ku mund të vërë një minë…
ENVER HOXHA: Mirëpo në tokën jugosllave nuk mund t’i dish të gjitha këto hollësira. Atje nuk mund të dish ku do të vendosësh mitralozin, në ç’vend do të vendosësh topin, se territorin nuk e njeh siç duhet, por diçka në hartë duhet e do ta dish. Pastaj duhet të dish edhe dispozitivin e armikut, si e ka përgatitur terrenin dhe si i ka vendosur forcat për sulm, sa forca ka vendosur përballë nesh etj.
SIMON STEFANI: Ne supozojmë se ato i njohim, se mund t’i marrim nga zbulimi.
RAMIZ ALIA: Jo, jo tamam ato nuk i merr dot.
SIMON STEFANI: Jo, ato s’i merr, se merren vetëm nga zbulimi dhe në rrugë të tjera.
ENVER HOXHA: Në qoftë se i ndjekim çështjet në kohë, atëherë do ta njohim edhe territorin jugosllav.
SIMON STEFANI: Në luftë nga zbulimi i sigurojmë. Në stërvitje e sipër zë një rob, ose fut zbulues në territorin përtej kufirit. Në lojën që bëmë edhe këtë numër e bëmë, futëm edhe grupe matanë.
RAMIZ ALIA: Sidoqoftë, pjesa më e vështirë e stërvitjes kjo është.
ENVER HOXHA: Po mirë, ta shikojmë një çikë këtë, se është përvojë nga e cila mund të përfitohet.
SIMON STEFANI: Në stërvitje lojën e bëmë në mbrojtje, se për këtë u dha detyra. Po të ishte dhënë për më tej, ne më tej do ta zhvillonim.
ENVER HOXHA: Se duhet të dimë jo vetëm si të sulmojmë, po edhe si të mbrohemi, pastaj përsëri të sulmojmë (qesh). Ne do të mbrohemi dhe do përpiqemi që agresorët t’i hedhim matanë, bile edhe t’i ndjekim në territorin e tyre. Kjo nuk është vetëm një ide, po pjesë e artit tonë ushtarak, e taktikës dhe e strategjisë, prandaj ka shumë rëndësi shkollimi në ushtri.
AFRIM IMAJ
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al