Mbledhja e Byrosë, shkurt 1979! “Shpërthimi i Enverit”: Pse duhej të fliste Mehmeti para Brigadës së Parë, për Luftën e Spanjës! Ç’është kjo eufori, kur dihet se ushtria republikane atje…

Sep 18, 2022 | 7:18
SHPËRNDAJE

DASHNOR KALOÇI/ Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1979 dhe janë pjesë e një dosje ku ndodhet edhe një proces-verbal i takimit ditorë, të sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSh-së, të kryesuar nga Enver Hoxha, ku merrnin pjesë: Hysni Kapo, Ramiz Alia dhe Hekuran Isai, ku u morr në analizë të thellë dhe u diskutua për stërvitjen e marshimit të Brigadës së Parë, e  cila sipas Enverit, kishte dështuar plotësisht, duke mos përmbushur objektivat e vëna, që më parë nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore e drejtuar nga ministri, Mehmet Shehu.

enverhoxha

Në mbledhjen në fjalë ku diskutuan të tre sekretarët e Komitetit Qendror të PPSh-së, Enver Hoxha, pasi kritikoi punën e bërë nga ana e dy zëvendësministrave të Mbrojtjes Popullore, Maliq Sadushi dhe Veli Llakaj, të cilët kishin kërkuar që të përsëritej stërvitja, me marshimin e Brigadës së Parë, (gjë të cilën ai nuk u’a aprovoi në mënyrë kategorike), i sugjeroi Hysni Kapos, që duke mbajtur parasysh këshillat e mjekëve, lidhur me shëndetin e tij, si Komisar i Përgjithshëm i Ushtrisë, të gjente kohë dhe të shkonte në mbledhjet, me repartet e njësitë e mëdha ushtarake, pasi Ushtria kishte nevojë për mendimet dhe fjalën e tij. Po kështu në takimin ditor me sekretarët e Komitetit Qendror të Partisë, që u mbajt në datat 9 dhe 12, shkurt të vitit 1979, Enver Hoxha nga pozita e Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë, hodhi akuza edhe ndaj Mehmet Shehut.

Dokumenti sekret me proces-verbalin e takimit ditor të Sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSh-së, ku Enver Hoxha mori në analizë dështimin e stërvitjes së marshimit të Brigadës së Parë

12 shkurt 1979

Pasi u informua për zhvillimin e stërvitjes së Brigadës së Parë e mori fjalën shoku Enver Hoxha.

SHOKU ENVER HOXHA: Çfarë doli në mbledhjen që u bë në Ministrinë e Mbrojtjes?

SHOKU HEKURAN ISAI: Atje u bisedua kryesisht për ngjarjet që ndodhën gjatë stërvitjes së Brigadës së Parë.

SHOKU ENVER HOXHA: Doli atje çështja përse ndodhën këto ngjarje në këtë brigadë?

SHOKU HEKURAN ISAI: Po, po. Ata thanë me habi: “Si na ndodhi”! “Është turp i madh, që i ndodhi kjo Brigadës së Parë”, etj.

SHOKU ENVER HOXHA: Nuk duhet menduar e nuk duhet folur me habi si na ngjanë këto gjëra dhe, meqenëse na ngjanë, të thonë “u turpëruam”, domethënë “na ra nderi neve, efektivit të Brigadës së Parë, kurse të tjerëve po, mund t’u ngjasë”. Këto pikëpamje s’janë në rrugën tonë, shokë.

SHOKU HEKURAN ISAI: Tek të gjithë kuadrot e kësaj brigade, nga baza e deri lart, duket shqetësimi përse ndodhën këto gjëra.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kjo u duk edhe në takimin që mbajti Mehmet Shehu me efektivin e brigadës.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, po, ai ma tha edhe mua këtë. Ai, nuk diskutoi, po mbajti një fjalim të tërë duke i’u drejtuar efektivit: “Sot po ju flas si komandant i Brigadës së Parë dhe jo si ministër i Ministrisë së Mbrojtjes Popullore”.

SHOKU HEKURAN ISAI: Po, shoku Enver, kjo është e vërtetë, ai ashtu u foli atje, si komandant i Brigadës dhe jo si ministër. Ai foli se si ka qenë disiplina gjatë Luftës, tregoi pastaj historinë si është luftuar në Spanjë, si ka kritikuar atje Andrea Marti për dobësitë që kishte vënë re në një rast, se ka ndodhur që nuk janë zbatuar urdhrat.

SHOKU ENVER HOXHA: Foli për Luftën e Spanjës Mehmeti?!

SHOKU HEKURAN ISAI: Po, foli.

SHOKU ENVER HOXHA: Po ç’qe nevoja të kapej ai deri te lufta e Spanjës në këtë fjalim? Ushtria Republikane në Spanjë nuk ka pasur ndonjë disiplinë shumë të fortë. Në Plenumin e fundit të Komitetit Qendror, siç e dëgjuat, theksova të ruhemi nga euforia e pabazuar, pse, siç e thashë, ka eufori të bazuar, ka edhe të pabazuar. Në greqisht eufori do të thotë kënaqësi.

Pra ka te kuadrot tanë kënaqësi të bazuar, ka edhe kënaqësi të pabazuar. Kur e thashë këtë, kisha parasysh të gjithë sektorët, pa përjashtuar Ushtrinë. Partia e kupton ç’është njëra e ç’është tjetra. Pas kësaj kuadrot e Partisë duhet të thelloheshin për të bërë në praktikë dallimin midis euforisë së bazuar dhe euforisë së pabazuar.

E po eufori e bazuar është ajo e anëtarit të Komitetit Qendror dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm, që në këto situata i thotë efektivit: “Bravo djema, e keni mbaruar me sukses këtë stërvitje”! kur në të ngjanë gjithë ato gjëra?! Nuk kishin vallë të drejtë ushtarët që, në bazë të disiplinës proletare, të thoshin në këtë rast:

“Ti nuk ke hiç të drejtë, shoku shef i Shtabit të Përgjithshëm, se ne kemi 10 ditë në dëborë e në tufan, duke lëvizur ditë e natë pa gjumë, në një metër borë dhe vetëm dy herë fasule të ngrohta kemi ngrënë, s’kemi ndezur asnjëherë zjarr, na latë të vijmë me veshje behari në këtë stërvitje”?! Po, kishin.

Por, a e mendon shefi i Shtabit të Përgjithshëm se mund t’i bëhej kjo replikë, apo me të thënë një fjalë ushtari dhe ai na ofendohet dhe i thotë: “Ti je i padisiplinuar, je budalla”? Si qenka i padisiplinuar ai, kur flet realitetin?! Po ne duhet të kujdesemi që ta ruajmë disiplinën ushtarake, mund të thotë shefi i Shtabit.

Mirë, dakord, thotë ushtari, po disiplinën ushtarake ruaje më parë ti, komandanti, që ta ruaj edhe unë, se unë nuk jam dele, po ushtar i Republikës, njeri me dinjitet, që kam dëshirë të madhe të jem i disiplinuar.

Por derisa shteti e ka caktuar të ha një herë fasule të ngrohta në ditë, ti si komandant, duhet të bësh përpjekje që të ma sigurosh këtë edhe në kohën e Luftës, e jo më tash. Ose, në qoftë se nuk ka, më mirë të na thuhet që ato mungojnë dhe atëherë, kur dihet që s’ka, nuk i kërkojmë.

Është e vërtetë që në Ushtri ka edhe njerëz të padisiplinuar, që atje mund të dalin edhe tradhtarë, si Beqir Balluku me shokë. Kjo s’ka si të mos pranohet, ndryshe duhet të jesh idealist, por ama nuk mund të pranohet në asnjë mënyrë ajo që thotë ndokush se e gjithë klasa jonë punëtore, është e padisiplinuar, se rinia jonë është e tëra e shthurur. S’ka dyshim që në mes të gjithë këtyre ka edhe të padisiplinuar, ka edhe ndonjë të shthurur.

Ne duhet të jemi komunistë realistë, gjendjen ta paraqesim siç është, as të mos e nxijmë, as ta bëjmë shesh me lule. Të flasësh, është e lehtë, po çdo gjë duhet të jetë e bazuar, e mbështetur në realitetin objektiv, e matur, e pjekur.

Na thuhet se gjatë këtyre katër vjetëve, në Ushtri çdo gjë është përmirësuar dhe kjo na thuhet me një ndjenjë euforie. Por euforia në këtë rast nuk është e bazuar.

Që gjendja ka ndryshuar, nuk e mohon njeri dhe kjo medoemos kështu është, se nga një incident që ngjau në këtë stërvitje, nuk mund të themi që nuk ka ndryshuar gjendja në ushtrinë tonë, por, gjithashtu, duhet thënë se në të ekzistojnë akoma koncepte të vjetra e qëndrime të palejueshme, të cilat duhet t’i luftojmë.

Si të mos preokupohet oficeri për ushtarin, që ky gjatë stërvitjes të ushqehet, të jetë i veshur? Si të mos kujdeset oficeri kur ushtari sëmuret etj?

Po atëherë çfarë bëjnë oficerët tanë? Thuhet se për ato që ndodhën në këtë stërvitje e kanë pasur fajin organet e Partisë e të pushtetit në terren, drejtoritë e organizatat e Partisë të ndërmarrjeve e të qendrave të punës. E vërtetë është që edhe këto kanë përgjegjësi, por dihet, ato kanë edhe punë të tjera.

Për mua është një kënaqësi kur dëgjoj se punëtorët e Kombinatit të Drurit “Misto Mame”, në përgjithësi, janë të disiplinuar, sepse kështu ata do të jenë edhe ushtarë të disiplinuar. Por këtë të mos e idealizojmë, se midis tyre ka edhe ndonjë të padisiplinuar.

Edhe në rininë tonë, që ka punuar e punon aq mirë, qoftë në aksione të panumërta, qoftë në shkolla, në fabrika, në hekurudha e kudo, qoftë në ushtri, nuk është karakteristike mungesa e disiplinës dhe shthurja.

Jo, por që ka elementë negativë në rini sigurisht që ka, vetëm se këta nuk janë aq shumë sa kjo të përgjithësohet e të merret si një karakteristikë për gjithë rininë e ushtrisë. E them këtë se duhet të ndryshojmë stilin e punës sonë me njerëzit, se gjendja nuk është siç thonë disa shokë.

Kur është fjala për edukimin e rinisë, na ngrihet çështja që ata të rinj që nuk ndjekin shkollat duhet të futen në punë, se duke ndenjur rrugëve, në përgjithësi këta janë të shthurur. Ose na thuhet se të shthurur janë edhe ata të rinj që janë në marrëdhënie pune, por meqë i kanë prindërit në punë s’kanë shumë nevojë për rrogë, prandaj dhe nuk shkojnë në punë, bëjnë mungesa pa arsye etj.

Po prindërit çfarë bëjnë? Ata vërtet mund të mos kenë nevojë për rrogën e djalit, veçse e kanë për detyrë t’i edukojnë fëmijët që këta ta duan punën dhe të jenë të disiplinuar. Kur një i ri që punon, dëshiron të vejë të pijë edhe një gotë birrë ose të hajë një pastë me shokët, le të vejë, se paratë e tij shpenzon, por një i ri i këtillë nuk mund të cilësohet i shthurur.

Mund të ndodhë që një i ri të mungojë në punë një herë apo edhe dy herë, por jo t’i vëmë menjëherë epitetin “i shthurur”, sepse edhe të moshuarve, a nuk u qëllon të mos venë ndonjëherë në punë? Ndodh. Atëher, pse nuk flitet edhe për ta me të njëjtën gjuhë? Duhet të jemi të drejtë në këto qëndrime, shokë, as t’i fshehim të metat e dobësitë, as të mos qëndrojmë indiferentë përpara tyre dhe të mos i pastrojmë, por jo edhe të bëhet qimja tra.

Shkollat e Lira ushtarake kanë rëndësi shumë të madhe, po përgjegjësi për mbarëvajtjen e tyre kanë të tërë: edhe terreni, edhe ushtria. Se vërtet ato i ka marrë përsipër Partia, në përgjithësi, por edhe ushtria duhet t’u rrijë mbi kokë. Si Partia në terren, edhe ushtria aktive, duhet ta kenë nën drejtimin e tyre efektiv Shkollën e Lirë.

Edhe oficerët aktivë, që e njohin mirë zanatin, të bëjnë shumë përpjekje të gjejnë kohën dhe ta bëjnë mirë këtë punë. Ata duhet të kenë parasysh se në Shkollën e Lirë ka edhe oficerë rezervë që kanë qenë më parë oficerë efektivë, ka pastaj plot të tjerë që kanë bërë nga dy e nga tre vjet shërbimin e rregullt ushtarak dhe mund t’i bëjnë oficerë rezervë.

Këta e njohin punën e ushtrisë, por tani merren me punë të tjera, me bujqësi, me teknikë, kanë pastaj plus edhe detyrën e ushtrisë e megjithatë bëjnë përpjekje që edhe këtë ta kryejnë. Partia na mëson që mbrojtja është detyra kryesore mbi kryesoret dhe të gjithë janë të ndërgjegjshëm për këtë. Ka, natyrisht edhe të pandërgjegjshëm, po këta janë pakica.

Atje ku oficerët aktivë që nga komandanti i brigadës e deri tek ata të togës të ushtrisë aktive, interesohen seriozisht dhe punojnë me zell të madh edhe për Shkollat e Lira, puna ndryshon, gjendja në këto shkolla është e mirë.

Është e qartë se duke e marrë punën mirë në dorë, oficerët vendosin atje disiplinën, punët në shkollën e lirë ecin, por edhe vetë ata rrënjosin më mirë ndjenjën e drejtimit jo vetëm në ushtrinë aktive, por edhe në këto struktura të reja. Tani duhen marrë masa që këto çrregullime të mos na ngjasin më në ushtri dhe nga këto që na ndodhën të nxjerrim mësime./ Marrë nga Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura