Mbivendosjet e pronave, rastet kur ndërhyn Kadastra. Ç’ndodh kur ka pasaktësi te të dhënat apo në hartën kadastrale

May 25, 2022 | 13:47
SHPËRNDAJE

Kur ka pretendime pronësie nga dy a më shumë palë apo kur ka mbivendosje titujsh, zgjidhja i takon Gjykatës.

toka

Por, nuk mungojnë as rastet kur mund të ndërhyjë Agjencia e Kadastrës, duke shmangur një proces gjyqësor që mund të zgjasë edhe me vite. Ligji “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë”, përcakton që kur mbivendosjet janë të krijuara prej gabimeve apo pasaktësive që mund të jenë bërë gjatë kalimit të të dhënave apo gabime që e kanë origjinën në konfigurimin hartografik zgjidhja vjen nga Kadastra.

Të kategorizuara në ligj, si mbivendosje fiktive, në këto raste korrigjimi bëhet nga vetë institucioni dhe qytetarët nuk kanë asnjë detyrim.

LEHTËSIRAT

Por në asnjë rast duhet thënë, palët nuk janë të përjashtuara nga mundësia për të hyrë në një marrëveshje mes tyre. Kjo do të thotë që nëse palët duan ta zgjidhin konfliktin me marrëveshje kanë liri të plotë për ta bërë këtë.

Më rëndësi është po ashtu edhe fakti që kur mbivendosja e pronës është e pjesshme, atëherë kjo nuk kushtëzon vijimësinë e procesit për sipërfaqen që është e lirë.

Më herët, Agjencia e Kadastrës ka sqaruar se kur në një sipërfaqe 500 metër katror, 200 është me mbivendosje nuk mbahet peng pjesa tjetër, çka do të thotë që me sipërfaqen tjetër që është e lirë do të vijojë procesi normalisht

ZGJIDHJA

Konkretisht, kur për një pasuri të paluajtshme në një zonë kadastrale, që i është nënshtruar regjistrimit fillestar, paraqitet kërkesë për regjistrim titulli pronësie, që mbivendoset në hartë, tërësisht ose pjesërisht, me një titull tjetër të regjistruar më parë, drejtoria vendore e Agjencisë së Kadastrës kontrollon hartën kadastrale për të identifikuar nëse mbivendosja buron nga gabime apo pasaktësi në pozicionimin e titullit të regjistruar në hartë dhe nëse është e nevojshme, evidenton në terren pasuritë.

Kur mbivendosja buron nga pasaktësi në hartën kadastrale, Agjencia bën korrigjimin në hartë dhe vijon me procedurat e regjistrimit. Gjatë evidentimit në terren mund të ndodh që konstatohet që ka parregullsi në pasqyrimin e shumë titujve, atëherë bëhen korrigjimet e nevojshme për secilin prej tyre.

Zgjidhja e mbivendosjes për tokat

• Kur mbivendosja buron nga pasaktësi në hartën kadastrale, sipas rastit, drejtoria vendore vepron si vijon:

• Nëse gabimi ose pasaktësia në hartën kadastrale ka të bëjë vetëm me një pasuri dhe nuk cenon pasuritë kufitare, korrigjon gabimin në hartë dhe njofton pronarët mbi korrigjimin, duke vijuar procedurat e regjistrimit të titullit për të cilin është paraqitur kërkesë;

• Kur gabimi ose pasaktësia qëndron tek elementet hartografike të vetë titujve të pronësisë, sipas rastit, ASHK-ja vepron si vijon: a) për titujt e miratuar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji nga institucionet shtetërore, korrigjon gabimet, njofton palët e interesuara dhe vijon me regjistrimin e titullit;

• Për gabimet hartografike që e kanë origjinën në vendime gjyqësore të formës së prerë, korrigjimi mund të kryhet vetëm me pëlqimin e palës përfituese të të drejtave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura