Mbi spekulimin se Basha në bashki “nuk bëri asgjë”

Apr 15, 2021 | 9:21
SHPËRNDAJE

romeo hanxhari

ROMEO HANXHARI

Unë fillova të shihja “fil ma me partizanë” diku nga mesi i viteve 1970, kur isha 6 vjeç. Filmat ishin të Kinostudios “Shqipëria e Re”. …Në ato filma, italianët kërcenin tango dhe ballistët hanin pula, ndërsa partizanët me një të thirrur “para partizanë” i hidhnin gjermanët tutje. Deri në 1991-shin, unë këto besoja. Sepse atëherë filloi të flitej për të vërtetën. Atëherë mora vesh që lufta jo vetëm s’ka pasur fare fitore të kollajshme me “para partizanë”, por se kishte pasur edhe disfata si ajo në operacionin gjerman të dimrit. Vetëm atëherë mora vesh që ballistët në thelb ishin nacionalistë, por bënë gabimin që u bashkuan me gjermanët. Vetëm atëherë i mora vesh këto dhe të tjera të vërteta të luftës, që nuk puqeshin me filmat e asaj kinostudioje. Por, ama, deri atëherë, propaganda ma kishte shpëlarë trurin e ma kish bërë sallatë.

Kështu, e njëjta strategji për shpëlarje truri është zbatuar edhe këto vitet e fundit, jo nga Kinostudio “Shqipëria e Re”, por ajo “Shqipëria e Rilindur”. Qëllimi i shpëlarjes së trurit është të gënjejë për Lulzim Bashën, dhe teza është “si mund t’i besohet Bashës në qeveri, kur ai nuk bëri asgjë në Bashki”. Basha nuk bëri asgjë, Basha nuk bëri asgjë, asgjë, asgjë. Kjo tezë përsëritet në çdo bisedë ku ka debutues të majtë. Përsëritet si një e vërtetë që nuk duhet të diskutohet nga ne të tjerët…

Atëherë, mua si qytetar më duhet të di të vërtetën dhe jo propagandën. Nuk e dua propagandën, as majtas e as djathtas. Dua thjesht të vërtetën, me qëllim që të shoh se çfarë bëri zoti Basha në 4 vite në krye të bashkisë. Pra, vërtet nuk bëri asgjë, apo neve po na bëjnë të shohim prapë si ato filmat e Kinostudios dikur?!

Për shembull, unë di që Basha në 4 vjet në Bashki nuk rriti asnjë taksë vendore. Këtu jam dakord që “Basha nuk bëri asgjë”. Duhet t’i rriste taksat, me qëllim që të mblidhte buxhet më të madh, siç filloi të bëhet pasi iku ai nga kryetar. Por ja që Basha atë bindje kishte: asnjë rritje taksash për njerëzit, sepse paratë në xhepin e qytetarit vlejnë më shumë sesa të njëjtat parà në xhepin e shtetit.

Madje, Basha nuk e rriti as taksën e ndërtimit nga 3% në 8%, siç u rrit menjëherë kur ai iku nga ajo detyrë, kur taksa shkoi në 8% të vlerës së ndërtimit e duhej paguar e gjitha menjëherë që pa marrë lejen. Mund ta kishte rritur Basha atë taksë, që të mblidhte buxhet më të madh për Bashkinë. Por ai nuk e rriti sepse, me sa duket, kishte bindjen se me taksë ndërtimi të rritur (taksë e ndikimit në infrastrukturë, siç quhet), rritet direkt çmimi i apartamenteve që blejnë qytetarët. Sepse, taksën e biznesit në fund të fundit qytetari dhe konsumatori e paguan, nëpërmjet blerjeve, në këtë rast të apartamenteve…

Ose, p.sh., Basha nuk dha asnjë leje për kullë të lartë në 4 vite, as në qendër e as në periferi të Tiranës. Plani Urbanistik që ai aprovoi nuk e lejonte të jepte leje mbi 9 kate. Lejet e ndërtimit për kulla 30 e 60-katëshe janë dhënë vetëm para Bashës dhe pas Bashës. Edhe këtu jam dakord që “Basha nuk ka bërë absolutisht asgjë në 4 vite”.

Meqë ra fjala për Planin Urbanistik… Në fakt, Basha nuk dha asnjë leje ndërtimi në 2 vitet e para të mandatit të tij. Asnjë. Edhe këtu jam dakord që “Basha nuk bëri asgjë”. Ai nuk dha leje ndërtimi sepse gjatë asaj kohe hartoi dhe aprovoi Planin Urbanistik të Tiranës. Procedura burokratike e hartimit, diskutimit në publik, etj., etj., mori afërsisht 2 vjet, por, ama, duhej bërë.

Tirana ishte pa plan deri atëherë, dhe lejet jepeshin me lartësinë dhe intensitetin e ndërtimit që përcaktohej rast pas rasti …sipas “rastit”. Basha mund të kishte vazhduar të jepte leje ndërtimi në atë mënyrë, dhe ashtu të ishte “në rregull” me bizneset e ndërtimit. Në optikën e kompanive të ndërtimit, ai “humbi dy vjet të ardhura nga taksat”, por ama në optikën e qytetit ai instaloi ligjshmërinë dhe rregullin nëpërmjet Planit Urbanistik. Pasi u aprovua Plani Urbanistik i Tiranës i Bashës, s’kaloi as 1 vit dhe Qeveria dha urdhër t’i hiqej Bashkisë së Tiranës e drejta për të dhënë leje ndërtimi. Me sa duket, lejet nuk kishin lartësinë “e duhur”… Pra, edhe këtu jam dakord që “Basha nuk bëri asgjë”…

Tjetër film: flitet ende sot për Bulevardin e Ri. Konceptin e Bulevardit nga lumi Lana deri te Lumi i Tiranës e ideuan italianët në vitet 1930, por harrohet se punën e filloi Basha. Brenda 2 viteve të para, Basha loboi dhe gjeti financimin e plotë dhuratë nga Abu Dhabi dhe Katari (61 milionë euro), bëri me sukses konkursin ndërkombëtar, bëri projektin dhe filloi ndërtimin.

Por ai mundi të punonte vetëm 1 vit e pak për ndërtimin e Bulevardit, sepse më tej INUK, qartësisht me urdhër politik nga lart, ia pezulloi punën dhe atje nuk u hodh dot më asnjë lopatë për gati 1 vit e gjysmë. Pra, Basha nuk e mbaroi dot Bulevardin. Në aq pak kohë sa u la të punonte, Basha hapi vetëm gjysmën e gjatësisë së trasesë. Kështu që, meqë nuk e mbaroi dot, atëherë edhe këtu jam dakord që “Basha nuk bëri asgjë”…

Kujdes: sot nuk përmendet më fare një element shumë i rëndësishëm i projektit të Bashës për Bulevardin e Ri. Ai projekt kishte edhe linjën e trenit elektrik urban (ose tramvaj, siç quhet), i cili fillonte nga Kthesa e Kamzës (zona e spitalit “Hygeia”) ku ishte projektuar Terminali i Autobusëve Ndërqytetës (pra, linjat e autobusëve të rretheve), vazhdonte nëpër trasenë e vjetër të hekurudhës Tiranë-Durrës, dhe mbaronte tek ish-stacioni i trenit në Tiranë, madje vazhdonte edhe deri te sheshi “Nënë Tereza”.

Pra, treni elektrik lidhte qendrën e Tiranës me periferinë e saj dhe me stacionin e autobusëve të rretheve. Qytetarët e Tiranës, por edhe udhëtarët që vinin nga rrethet, në harkun e 10- 15 minutave mund të mbërrinin në qendër, shpejt, në kohë, me komoditet dhe pa ndotje. Nëse do të ishte lejuar puna, sot Tirana do ta kishte këtë linjë treni elektrik, e cila do të lehtësonte një pjesë sado të vogël të trafikut në dalje të Tiranës te Sheshi Shqiponja, që ka vite ua nxiu jetën banorëve të saj. Meqë nuk u la ta mbaronte atë punë, dhe meqë kur iku Basha, ky projekti trenit elektrik u fshi fare nga faqja e dheut, atëherë jam dakord që “Basha nuk bëri asgjë”…

Tjetër film i preferuar i Kinostudios: flitet gjithmonë me sarkazëm për “tramvajin Kombinat-Kinostudio”. Urbanistët dhe njerëzit me mend në kokë e dinë fare mirë se transporti elektrik mbi shina nga skaji Lindor në skajin Perëndimor të Tiranës, është ende zgjidhja e vetme për një qytet gjithmonë e më kaotik si yni. Ky vizion dhe kjo zgjidhje ishte punë e Bashës, por fatkeqësisht edhe kjo u zhduk nga axhenda. Brenda dy viteve të para të mandatit të tij (2011-2013), Basha bëri studimin e fizibilitetit duke përllogaritur edhe koston e biletës për qytetarët dhe arriti të bindë financuesit të jepnin fonde: vetë Qeverinë Franceze.

Nëse ndokush mendon se ky lloj financuesi mund të mbështesë projekte pa vlerë, atëherë vërtet “Basha nuk ka bërë asgjë”… Pra, nëse puna do të ishte vazhduar normalisht, Tirana do ta kishte sot linjën lindje-perëndim (KinostudioKombinat) dhe edhe atë veri-jug (përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe “Zogu i Parë”). Por, ama, puna nuk filloi dot, sepse, siç është bërë së fundmi publike, Kryeministri Rama, menjëherë sapo erdhi në pushtet në 2013, i kërkoi Qeverisë Franceze që mos ta financonte atë projekt. …Rrjedhimisht, edhe këtu, jam dakord që” Basha nuk bëri asgjë”.

Kur i kujtojnë sot Bashës “tramvajin”, mua më duken si ata që i fusin stërkëmbëshin vrapuesit në pistë dhe pastaj e tallin se pse nuk doli i pari në garë. Pra, ok, le të vazhdojmë të tallemi me tramvajin, por ama nëse nuk shkojmë tek ajo mënyrë transporti, do të vazhdojmë ende të vuajmë me orë të tëra për të lëvizur nëpër Tiranë. Këtu do të jemi e do të shohim.

Filmi i radhës i Kinostudios ishte “Lumi i Tiranës”. Lumi i Tiranës (lumi në veri të Tiranës) përmbyt çdo vit dhjetëra familje në Breg të Lumit, në Paskuqan e në Kamzë. Basha, brenda dy viteve të para, bëri projektin, siguroi financimin dhuratë nga një qeveri e huaj dhe bëri 60% të volumit të punës deri kur në 2014 Qeveria nuk ia firmosi më fondet (…që ishin dhuratë).

Si rezultat i asaj pune, ai lumë nuk përmbyti më që prej vitit 2013. Por sot, kjo meritë nuk i njihet Bashës. Sidoqoftë, punimet në Lumin e Tiranës rifilluan pas Bashës, sepse edhe projekti edhe paratë ishin gati që me të. Pra, edhe këtu jam dakord që “Basha nuk bëri asgjë”. Film tjetër? Ok. Basha projektoi që në 2013 Terminalin Multimodal të Autobusëve. Do të ishte ndërtuar që në 2015, pikërisht aty ku Bashkia i çoi para 1 viti autobusët e rretheve.

Do të kish qenë një zgjidhje perfekte ai Terminal. Quhej “multimodal” sepse aty kryqëzoheshin disa lloje transporti (autobus, tren, tramvaj) dhe udhëtarët e rretheve mund të vinin në Tiranë me trenin elektrik që nisej prej aty. Sot të shkosh e të vish nga ai stacion duhet të kalosh nga ferri i sheshit “Shqiponja”.

Projekti jo vetëm u bllokua atëherë, por sot kemi edhe copëzim të tij, sipas parimit “duhet bërë çdo gjë ndryshe nga paraardhësi, që të justifikosh pse e bllokove”. Me këtë parim, Tirana me gjysmë milioni banorë do të ketë jo 1, por 3 terminale të autobusëve të rretheve: një për jugun e veriun, një për juglindjen, dhe një për lindjen. Athina me 4 milionë ka vetëm 1 terminal, Parisi me 11 milionë ka 4 terminale. Ne duam 3, ama, sot nuk kemi ende asnjë.

Sepse “Basha nuk ka bërë asgjë”… Dhe e fundit: në vitin 2014, Tirana u bë kryeqyteti i parë në Ballkan me një sistem informimi në kohë reale të qytetarëve për ndotjen e ajrit në qytet. Po! Në bashkëpunim me GIZ gjerman, Bashkia krijoi një program të posaçëm kompjuterik (softëare) ku çdo qytetar kishte mundësinë të shikonte live se sa i ndotur apo i pastër ishte ajri në Tiranë.

Të dhënat kalonin automatikisht çdo 30 minuta nga Vjena, ku dërgoheshin nga stacionet e Institutit të Shëndetit Publik. Made, të dhënat nxirreshin edhe në ekranet e mëdhenj në Bllok dhe te “Partizani i Panjohur”.

Fatkeqësisht, që prej 2015 ky sistem u fshi fare. Nuk gjendet. Meqë ky sistem është fshirë, edhe këtu jam dakord që “Basha nuk bëri asgjë”… Ah, harrojmë edhe një element tjetër shumë-shumë të rëndësishëm: në dy vitet e fundit të mandatit të Bashës, 2013-2015, Bashkia e Tiranës mbeti pa buxhet. Kjo, sepse këshilltarët e LSI, të cilët në zgjedhjet e 2011 ishin maxhorancë me këshilltarët e djathtë, në 2013 bënë mazhorancë të re me këshilltarët socialistë dhe bashkë e bllokuan aprovimin e buxhetit vjetor të Bashkisë për 2 vitet e tjera, 2014-2015.

P.sh., buxheti i vitit 2014 që normalisht duhej të aprovohej në nëntor 2013, u aprovua në tetor 2014. E njëjta gjë edhe për buxhetin e 2015… Pra, 10 muaj vonesë. Rrjedhimisht, punët që duheshin bërë gjatë vitit, nuk mund të bëheshin brenda 2 muajve, ndaj nuk u bënë dot. Edhe këtu, pra, jam dakord që “Basha nuk bëri asgjë”…

Nuk po zgjatem më. Këto janë vetëm ato që di unë, ndërkohë që ka me siguri edhe punë të tjera ku “Basha nuk ka bërë asgjë”. …Tani është koha të flasim për këtë të vërtetë dhe të vendosim mbi bazën e saj: nëse Basha vërtet nuk ka bërë asgjë në Bashki, le mos ta çojmë në Kryeministri, por nëse kuptojmë që ai ka bërë për këtë qytet, dhe do të kishte bërë shumë më shumë nëse nuk do të pengohej, atëherë mbase bëjmë mirë t’ia japim besimin që po na kërkon.

Sepse teza “Basha nuk ka bërë asgjë, por ka fjetur” duket se është thjesht ajo që disa politikanë e analistë do të donin të ishte e vërtetë. Por, ama, nuk është. Ajo tezë duket se është thjesht një film propagande. Thjesht një film si ata qesharakët e Kinostudios dikur…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura