Mbi projektligjin e ri të arsimit të lartë

Mar 25, 2015 | 12:02
SHPËRNDAJE

MEHMET ÇELIKU

    Këto ditë do të kalojë në qeveri projektligji “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”, i cili, pas miratimit në Kuvend, pritet të zëvendësojë ligjin aktual (“Ligj për Arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, 2007). Pozitiv është fakti se Projektligjin 2015 e ka paraprirë një studim serioz i kryer nga një komision i gjerë ngritur nga qeveria. Komisioni hartoi një dokument në dy variante e pikërisht: “Raport i Parë për reformimin e arsimit të lartë dhe kërkimin shkencor”, Tiranë, janar-prill 2014, 64 faqe, dhe “Raport Përfundimtar për reformimin e arsimit të lartë dhe kërkimin shkencor”, Tiranë, korrik 2014, 61 faqe.
Qeveria aktuale synon të ndërmarrë një seri reformash, si në arsim, shëndetësi, drejtësi etj., disa nga të cilat mbështeten edhe nga BE. Për nga rëndësia, reforma në arsim, përfshirë arsimin e lartë, është prioritare, si të thuash, ajo është kryereforma. Arsimi është themeli i kombit, e tashmja dhe e ardhmja e tij. Një sistem arsimor i mirë përgatit edhe mësues, edhe mjekë, edhe specialistë të bujqësisë, edhe ekonomistë, edhe juristë të mirë. Natyrisht, sistemi arsimor nga koha në kohë korrigjohet, përmirësohet dhe reformohet kur është e nevojshme, por reformat në arsim bëhen rrallë e jo me nxitim. Që të jenë sa më efikase e të qëndrueshme, ndryshimet në arsim duhet të mbështeten në traditën tonë shqiptare, në kushtet e nevojat tona kombëtare e në gjendjen e mundësitë ekonomike aktuale të vendit, duke shfrytëzuar gjerësisht përvojën e pasur europiane, sidomos për arsimin e lartë, ku tradita jonë është e kufizuar. Për një arsim të lartë sa më cilësor është i interesuar çdo individ, çdo familje shqiptare, çdo parti e qeveri. Ndryshimet në arsim e kërkim shkencor duhet të jenë të matura e të miratuara nga të gjithë sipas një strategjie kombëtare, jashtë e pavarësisht interesave të ngushta, partiake a politike.
Aktualisht reformimi i ALSh duhet të vazhdojë më tej dhe një ligj i ri me disa ndryshime duhet të zëvendësojë atë ekzistuesin (2007); themi duhet të vazhdojë, sepse, në fakt, reformimi i AL dhe i kërkimit  shkencor në Shqipëri, sikurse ka ndodhur e po ndodh edhe në të gjitha shtetet europiane që aderojnë në procesin e Bolonjës, ka nisur vite më parë, që me qasjen e vendit tonë në Hapësirën Europiane të Arsimit të Lartë. Kjo pasqyrohet në legjislacionin ekzistues, në zbatimin e parimeve themelore të procesit të Bolonjës dhe në ristrukturimin e institucioneve. Ligji për Arsimin e Lartë ekzistues (2007) duhet konsideruar përgjithësisht një ligj i mirë, por, zbatimi i tij ka çaluar mjaft. Kjo Qeveri do të jetë e nderuar në qoftë se do të korrigjojë sa më shpejt dukuritë negative që kanë rrjedhur nga moszbatimi korrekt i Ligjit të Arsimit të Lartë ekzistues siç është, para së gjithash, shtimi në shifra ekstreme i numrit të IAL-ve, publike e sidomos jopublike, në shumë raste pa plotësuar kriteret. Ky shtim, i panevojshëm, i pakontrolluar dhe jo në përputhje me kërkesat e tregut, ka ndodhur në një vend të vogël e të varfër si Shqipëria, duke u diplomuar herë-herë njerëz pa e merituar! Si rrjedhim, ka rënë mjaft niveli cilësor i veprimtarive të IAL dhe janë shtuar shumë të diplomuarit e papunë. Projektligji 2015 synon, në radhë të parë, ngritjen e nivelit cilësor të mësimdhënies e të mësimnxënies në shkollat tona të larta si dhe rritjen sasiore e cilësore të kërkimit shkencor në departamentet universitare. Institucionet e Arsimit të Lartë mund të mbijetojnë vetëm atëherë kur plotësojnë të gjitha kërkesat e përcaktuara në Ligj dhe për këtë ato duhet të akreditohen sa më shpejt, duke mbijetuar vetëm ato që e meritojnë; mbijetesa e tyre është e lidhur edhe me një fakt tjetër, me kërkesat e tregut për kuadro të larta. Mbyllja e institucioneve të hapura jo në përputhje me Ligjin do të sjellë edhe ngritjen e nivelit cilësor të IAL, aq shumë e dëshiruar, do të sjellë zhvillimin e ekonomisë, kulturës, arsimit në vend, zvogëlimin e numrit të të diplomuarve të papunë dhe kufizimin e shkollimit të të rinjve jashtë vendit.
Projektligji 2015 është i plotë, ai ka trembëdhjetë krerë, shoqëruar me Dispozitat kalimtare dhe përfundimtare, të gjitha këto të trajtuara në 155 nene dhe në 58 faqe. Projektligji është hartuar duke u mbështetur në Ligjin ekzistues 2007 dhe në përputhje të plotë me parimet themelore të Procesit të Bolonjës, duke reflektuar thelbin e reformave të AL të aplikuara në mbi dyzet shtete europiane. Projektligji 2015 i kushton vëmendje të veçantë menaxhimit të IAL, duke shkëputur plotësisht administrimin nga rektori, nga senati e Bordi Akademik, duke krijuar, përveç atyre ekzistuese, edhe disa organizma të reja menaxhuese, si: QShA (Qendra e Shërbimeve Arsimore),  AKFAL (Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë), KALKSh (Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor), Bordin e Administrimit institucional prej shtatë anëtarësh, pra, më të zgjeruar etj; Ai synon të rrisë cilësinë nëpërmjet kontrollit të jashtëm dhe të brendshëm dhe stimulimit. Projektligji i jep rëndësi të veçantë dokumentimit të veprimtarive në IAL, i kushton vëmendje, kryesisht në aspektin organizativ, financimit të IAL, sugjeron rrugë të njohura të shtimit të burimeve të të ardhurave, e të shpërndarjes së buxhetit, hap rrugën për klasifikimin e IAL. Projektligji 2015 i vështron njëlloj institucionet, duke barazuar institucionet jopublike me ato publike, madje, propozon që të gjitha këto institucione, publike e jopublike, mund të kalojnë, madje që në vitin e ardhshëm akademik, në një tip të ri pak të njohur të quajtur Institucion i pavarur publik! Këto ishin disa nga risitë kryesore të Projektligjit 2015, që në ndonjë rast janë të kritikueshme.
Duke lexuar me vëmendje Projektligjin 2015, lindin disa pyetje që në vetvete shprehin paqartësi; të tilla janë:
Nuk është e qartë nëse Projektligji 2015 përqendrohet vetëm në kërkimin shkencor të IAL, apo edhe në kërkimin shkencor në përgjithësi, përfshirë edhe atë të institucioneve kërkimore jashtë shkollave të larta; për këtë shtrohet pyetja: a do të ketë një ligj të veçantë për shkencën? A do të kryhet më në fund studimi për një plan strategjik të nevojave të tregut shqiptar për kuadro të larta dhe kur? Në ç’përqindje do të rritet mbështetja financiare e shtetit për IAL dhe kërkimin shkencor në planin buxhetor afatmesëm? Kur do të akreditohen IAL, jopublike e publike, filialet e tyre dhe programet mësimore të tyre, për të zbatuar pastaj në kushte të barabarta e në normalitet Ligjin e ri? Ku mbështetet e çfarë do të sjellë krijimi dhe transformimi në Institucion të Pavarur Publik të arsimit të lartë në Shqipëri i propozuar në Projektligj 2015!?
Është thënë se Projektligji 2015 cenon në disa nene autonominë akademike e organizative, duke i dhënë Ministrisë përgjegjëse për arsimin më shumë kompetenca (siç janë: pika 2 e Nenit 3: “Shteti vlerëson cilësinë e veprimtarisë mësimore dhe asaj kërkimore-shkencore në institucionet e arsimit të lartë, si premisë për mbështetjen financiare të tyre”; pika e e Nenit 7/2: “Ministria i propozon Këshillit të Ministrave kriteret për aplikim për vijimin e studimeve të ciklit të parë, apo atyre të integruara të ciklit të dytë që i ofrohen çdo individi në institucionin publik të arsimit të lartë”; pika 3 e Nenit 8: “Emërimi i anëtarëve të KALKSH bëhet nga Kryeministri me propozim të Ministrit përgjegjës për arsimin”; etj. Besoj se këto nene çalojnë në formulim, çka sjell edhe deformim të kuptimit. Por dihet se autonomia e IAL është e lidhur me autonominë financiare. Shteti, për sa kohë që i mbështet financiarisht IAL, kontrollon edhe mbarëvajtjen e tyre dhe shpenzimin e parave. Por kjo nuk duhet të arrijë deri aty sa të cenohet autonomia akademike.
Në një vend të vogël e të varfër si Shqipëria, sipas Projektligjit 2015 do të krijohet një strukturë burokratike institucionale menaxhuese tepër e fryrë për të kontrolluar universitetet nga shteti; shpenzimet për mbajtjen e kësaj strukture do të varfërojnë edhe më shumë buxhetin e universiteteve. Kështu do të fryhet universiteti me një rrjetë burokratike administratorësh: vetëm Bordi i Administrimit do të përfshijë administratorin e institucionit, administratorin e njësisë kryesore (të fakultetit), administratorin e njësisë bazë (departamentit)! Kjo kërkon rritjen e konsiderueshme të numrit të administratorëve për të mbuluar secili prej tyre një a disa departamente!

***
Reformat në arsim, përfshirë arsimin e lartë, kërkojnë para. Shteti duhet të vazhdojë të mbështesë financiarisht universitetet publike, madje në një përqindje edhe më të lartë nga parashikimi i Projektligjit (50%), të paktën edhe për dy a tri dekada, sidomos ato që kanë një profil të veçantë e që përbëjnë prioritet kombëtar, si institucionet e mësuesisë, mjekësisë, bujqësisë, artet, institucionet ushtarake e të policisë. Burimet e tjera të të ardhurave, të sugjeruara në Projektligj, aktualisht në Shqipëri janë jo efikase (siç janë të ardhurat nga Bashkitë, nga donacionet, nga kontratat me një të tretë; edhe nga rritja e tarifave të studentëve nuk mund të pritet shumë, sepse të ardhurat e familjeve janë të pakta dhe se studentët nga shtresat sociale në nevojë nuk janë të paktë etj.). Mbështetja financiare e institucioneve private (jopublike) është e parakohshme dhe as që duhet të mendohet në kushtet e varfërisë së njohur të vendit. Shteti e ka për detyrë të garantojë realizimin e Ligjit të ri duke shtuar mbështetjen financiare për të zgjeruar numrin e pedagogëve në departamente, që do të lehtësojë ngarkesën e tyre mësimore e raportin pedagog/studentë, për të mbështetur realisht kërkimin shkencor, duke siguruar infrastrukturën e nevojshme për veprimtarinë kërkimore, për të pajisur me bazën e nevojshme materiale IAL (e jo të kërkohen donacione për të siguruar qoftë edhe një piano të vetme cilësore në Artet!) etj. Shteti duhet të heqë taksat për librin shkencor, të rihapë një shtëpi botuese të tipit të ish-ShBLU-së, të gjallërojë e të zgjerojë qendrën e studimeve albanologjike për studimin e gjuhës, historisë, letërsisë e kulturës kombëtare.

***
Në klasifikimin e renditjen e institucioneve publike të AL shteti e ka për detyrë të ruajë traditën e secilit prej tyre. Disa prej tyre tashmë e kanë përvijuar gjatë viteve fizionominë e tyre në veprimtarinë mësimore e kërkimore. P.sh. UE “A.Xhuvani”, i ngritur në qytetin e Elbasanit, djepin e arsimit të shkencave gjuhësore dhe shkencave të tjera albanologjike, në qytetin e Kristoforidhit, Xhuvanit, Cipos, Domit, A.Budës, Simon e Dh. Shuteriqit, L.Dodbibës, Q.Haxhihasanit etj., ka përgatitur e përgatit jo vetëm mësues cilësorë në të tre ciklet, por edhe shkencëtarë, akademikë, pedagogë e drejtues të arsimit e shkencës për IAL të gjithë Shqipërisë e më gjerë. Mësuesia, përfshirë ata të gjuhëve të huaja, dhe shkencat albanologjike në UE duhen zgjeruar e zhvilluar më tej, duke licencuar e njohur programe të reja të parashikuara apo jo në Projektligj, si: mësues për shkollat e mesme, drejtues të arsimit parauniversitar, programe të integruara ndërgjuhësore, programe të kualifikimit periodik të mësuesve etj. Këto duhen njohur e mbështetur pa rezervë nga shteti. Për degë të reja si infermieri e ndonjë tjetër unë do të pranoja që UE-ja mund t’i mbante, duke i mbuluar vetë financiarisht dhe jo shteti. Kriteri i ruajtjes e respektimit të traditës të zbatohet për çdo universitet në vend. Kështu vlerësoj edhe traditën në  përgatitjen e specialistëve të bujqësisë në Universitetin “F.Noli” të Korçës, të turizmit e të inxhinierisë navale të Universitetit të Vlorës etj. Tradita është e lidhur jo vetëm me përvojën e pasur, por edhe me shpenzimet e bëra për krijimin e infrastrukturës e të bazës materiale.

***
Dallimi i universiteteve nga kolegjet universitare nuk është shumë i qartë (Neni 22);  për hapjen e Filialeve të IAL, jashtë selisë së tyre, kam mjaft rezerva; për shumë arsye nuk jam dakord me ndarjen në departamente të personelit akademik me orientim mësimor dhe me orientim kërkimor–shkencor (Neni 65); Neni 68/3 duhet formuluar më mirë, në mënyrë që personeli akademik i punësuar me kohë të plotë në një institucion të AL nuk mund të punësohet si personel akademik në një institucion tjetër të AL, publik a privat, as me kohë të plotë, as me kohë të pjesshme (pedagogu mund të punësohet vetëm në një IAL, ose publik ose jopublik); në Projektligj, Neni 76, nuk thuhet qartë destinacioni i punësimit të bacheloristëve; po kështu edhe për ata që kryejnë programet e studimit “Master i Shkencave”(Neni 78); në pikën 5 të Nenit 82 të ndryshojë shifra nga pesë në dy doktorantë që mund të udhëheqë një profesor në të njëjtën kohë (propozimi ynë mbështetet në shumë argumente); data zyrtare e fillimit të vitit akademik të jetë e fiksuar e të mos ndryshojë në asnjë rrethanë (java e parë, e hëna e parë, e shtatorit, ose java e tretë, e hëna e tretë e shtatorit) (Neni 88); transferimin e studentëve nga institucionet jopublike në publike e shoh me rezerva të mëdha dhe me pasoja (Neni 90); Neni 95 për veprimtarinë kërkimore të thuhet qartë se veprimtari të tillë DUHET të kryejnë që të gjitha IAL, publike e jopublike, dhe ky të jetë kriter i rëndësishëm i licencimit të institucionit; në Projektligjin 2015 është e diskutueshme përfshirja e Nenit 99 që flet për Institutet e kërkim-zhvillimit pranë ministrive; Neni 115 (Autonomia e institucioneve financiare) të rishkruhet: së pari, pika 1. Të ndryshojë, sepse aktualisht në Shqipëri nuk ka ardhur ende koha për autonomi të plotë financiare të IAL; së dyti, të hiqen dy rreshtat e fundit të pikës 4. (“Përdorimi i të ardhurave të akorduara nga Buxheti i Shtetit për institucionet  jopublike bëhet në përputhje me përcaktimet e Bordit të Administrimit), sepse institucionet jopublike, për mendimin tonë, për shumë arsye nuk duhet të gëzojnë të ardhura  të akorduara nga Shteti.
Kreu XIII INSTITUCIONI I PAVARUR PUBLIK I ARSIMIT TË LARTË me pesë nenet e tij (126,127,128,129,130)është kreu më i dobët I Projektligjit dhe prandaj të hiqet fare nga Projektligji 2015; të hiqet sepse është krejt I pambështetur, nuk sjell asnjë dobi për arsimin kombëtar,  nenet e tij janë një përsëritje e neneve të mëparshme dhe synon të zyrtarizojë njëjtësimin e IAL publik e jopublik, duke u dhënë të gjitha të drejtat e IAL publike atyre jopublike, ose t’u japë statusin e shkollës së lartë institucioneve jashtë standardeve, që rrezikojnë t’u hiqet licenca, duke bërë që edhe këto të mbijetojnë me pa të drejtë.
Të gjitha propozimet që janë bërë nga rektorate universitetesh, këshilla fakultetesh, nga specialistë e profesorë duhen vlerësuar me kujdes e të merren parasysh në variantin përfundimtar. Aktet nënligjore, statutet dhe rregulloret duhet të plotësojnë Projektligjin. Projektligji ka nevojë të redaktohet, disa nene duhen riformuluar, disa gjëra janë të tepërta, duhet parë ana gjuhësore e terminologjike etj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura