Mbi një skandal në mbledhjen solemne të Kuvendit të Kosovës

Feb 19, 2018 | 9:52
SHPËRNDAJE

Nga Enver Robelli

Sot (dje) protokolli i PDK-së të gjithë presidentët dhe ish-presidentët e Shqipërisë i kishte ulur në krye të vendit, pra në rend të parë në sallën e Kuvendit të Kosovës.

hashim-thaci-640x360

Fatmir Sejdiun, kryetar i Kosovës kur u shpall pavarësia, dhe Jakup Krasniqin, kryetar i Kuvendit të Kosovës po ashtu kur u shpall pavarësia protokolli i kishte përzënë diku lart në tribunë, sa më larg Hashim Thaçit, që të mos i humb shkëlqimi Máximo Líder-it kosovar, viganit që e lë nën hije edhe Skënderbeun.

Para se të fillojë mbledhja, grupi parlamentar i LDK-së kishte kërcënuar se do të largohej nga salla nëse nuk e sjellin poshtë, në krye të vendit, Fatmir Sejdiun. Kërcënimi pati efekt.

Për Jakup Krasniqin protokolli i PDK-së nuk kishte vend. Ai mbeti larg nga aty ku e kishte vendin.

Asnjë president i Shqipërisë nuk ka merita për pavarësinë e Kosovës sa kanë Fatmir Sejdiu dhe Jakup Krasniqi.

Kur ka filluar lufta Fatmir Sejdiu (bashkë me Fehmi Aganin) ka qenë ndër figurat kryesore të LDK-së që kanë vizituar fshatrat e Kosovës, sidomos në Drenicë.

Për Jakup Krasniqin dihet po ashtu: ka qenë zëdhënës i UÇK-së, i burgosur politik, ministër, kryetar Kuvendi, ushtrues detyre i presidentit të Kosovës.

Por protokolli i atyre që shtyhen me bërryla dhe duan ta privatizojnë historinë është i pamëshirshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura