Mbi debatin për universitetin e së nesërmes dhe një përvojë që duhet njohur

Oct 10, 2017 | 11:00
SHPËRNDAJE

Dritan Egro

DRITAN EGRO

Debati që ka shpërthyer për atë se si duhet të jetë universiteti dhe edukimi i lartë në Shqipëri më së shumti është fokusuar në debatet që arsimi i lartë duhet sponsorizuar nga shteti apo duhet të jetë një shërbim i ofruar nga sipërmarrjet private. Një debat i tillë tregon se sa pak kohë ka kaluar qysh se kemi lënë pas të shkuarën komuniste, ku gjithçka ishte dhe kontrollohej nga shteti.

Debati duket sikur kërkon të justifikojë të sotmen më shumë sesa të projektojë atë se çfarë universiteti duam për të ardhmen. Modeli anglo-sakson i arsimit të lartë është më i suksesshmi sot e kësaj dite. Këtë e dëshmon zhvillimi ekonomik dhe niveli i arritjeve të shkencës dhe teknologjisë i vendeve që e kanë shpikur dhe e kanë aplikuar atë. Për më tepër ai është edhe një model i matshëm përmes rankimeve të agjencive të njohura ndërkombëtare.

Modelin anglo-sakson përqafoi edhe Turqia në vitet ’80 për arsimin e saj të lartë, i cili në atë kohë nuk po u përgjigjej ritmeve të zhvillimit të vendit. Të gjithë sot janë të befasuar nga hopi cilësor ekonomik dhe teknologjik që ka njohur Turqia e dy dekadave të fundit. Pakkush e artikulon faktin se erës Erdoðan i parapriu era e kryeministrit Turgut Özal në vitet ’80. Ishte ky i fundit që me reformat e thella ekonomike u hapi udhën privatizimeve të mëdha dhe politikave shtetërore që mbështetën sipërmarrjet private, që në fakt në atë moment kur u ndërmorën shokuan shoqërinë turke të kohës.

Kryeministri Turgut Özal çuditi gjithë opinionin publik turk kur në debatet elektorale të viteve ’80 deklaroi se do të privatizonte shërbimet për mirëmbajtjen e urave të Bosforit, që deri më atëherë ishin plotësisht shtetërore. Reagimet ishin shumë të forta. Motoja e tij ishte: “Që ekonomia turke të konkurrojë në botë, sipërmarrja private duhet mbështetur me politika shtetërore”.

Turqia e kryeministrit Özal bëri hapin pindarik që nuk mendohej në shoqërinë turke: u bë promotor i hapjes së universitetit të parë privat në Turqi, Universiteti Bilkent (Ankara, 1984). Ky ishte sinjali që po paralajmëronte lindjen e një Turqie, e cila do të matej me botën. Ekonomia turke nga konkurrimi me veten u hap për konkurrim me botën. Sot Universiteti Bilkent është një ndër 100 universitetet më të mira në botë, qendër ekselence edukimi dhe kërkimi shkencor.

Turqia sot ka 5 universitete ndër 500 më të mirat në botë. Kryeministri Özal dhe elita vizionare turke e kohës aplikuan modelin anglo-sakson të edukimit të lartë. Dhe këtë model e adaptuan duke mos i hequr asnjë presje, të vetëdijshëm se po thyenin një mentalitet të fortë etatist që vinte qysh nga koha e Mustafa Kemal Ataturkut dhe pa menduar për sfidat elektorale të momentit. Reagimi më i fortë ndaj kësaj reforme të thellë erdhi pikërisht nga pedagogët e universiteteve shtetërore: “ankesa” e tyre më e parë konsistonte në atë se, pse arsimi i lartë privat në Turqi duhej të zhvillohej në gjuhë të huaj dhe jo në turqisht.

“Vërejtjet” bëheshin në emër të patriotizmit. Duke qenë se modeli anglo-sakson u adaptua pa i hequr apo deformuar asnjë element, në të parin universitet privat në Turqi gjuha e mësimdhënies dhe e kërkimit shkencor u bë anglishtja; 30% e stafit të pedagogëve vinin nga jashtë vendit, duke sjellë në auditore frymën më bashkëkohore të edukimit dhe kërkimit shkencor. Kështu të rinjve turq iu hap rruga për t’u ballafaquar me tregun ndërkombëtar të dijes.

Realiteti i arsimit privat në Turqinë e sotme i ka dhënë tashmë frytet e veta. Presidenti turk Erdogan e gjeti gati infrastrukturën dhe kapitalin njerëzor me të cilin do të realizonte bumin ekonomik dhe teknologjik që vërehet në Turqinë e sotme. Universitetet private në Turqi sot furnizojnë me kuadro si sipërmarrjet më të avancuara private, ashtu edhe administratën shtetërore në të gjitha nivelet e saj, madje deri në më të lartat. Madje, si qendra ekselence edukimi dhe kërkimi ato kanë kthyer në Turqi shumë nga intelektualët turq që punonin në qendra të tilla homologe jashtë vendit.

Niveli se ku ka mbërritur arsimi i lartë universitar në Turqi është një nga krenaritë e Turqisë së sotme. E ndodhur në udhëkryq Shqipëria po e ka të qartë se edhe një ligj i mirë, teknikisht korrekt do ta ketë të vështirë aplikimin në kushtet e një vendi që vjen nga një e shkuar e afërt ku gjithçka administrohej nga shteti. Historia 60-vjeçare e universitetit shtetëror nuk duhet të mbajë peng të ardhmen e edukimit të lartë në vend. Vizioni për një Shqipëri të së ardhmes fillon me vizionin për një treg bashkëkohor universitar.

Është mision dhe detyrë e elitës politike dhe kulturore të vendit që, përtej debatit për të sotmen, ajo të projektojë se ku shoqëria shqiptare synon të arrijë të paktën në 20-30 vitet e ardhshëm dhe cili model universiteti mund ta realizojë këtë. Mendimi filozofik bashkëkohor përçohet nëpër universitete dhe qendra kërkimore dhe janë pikërisht këto institucione të cilat sjellin zhvillimin e madh ekonomik dhe kulturor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura