Mbi censurën, lirinë e shprehjes dhe “qeverisjen me ‘Twitter’”

Jan 13, 2021 | 9:27
SHPËRNDAJE

TAULANT DEDJA

taulant-dedjaDebati i ditës në rrjetet so ciale po zhvillohet  mbi të ashtuquajturën censurë apo kufizim të lirisë së shprehjes nga këto të fundit, ndërkohë që në mediat tradicionale, botërore apo shqiptare, vazhdojnë të shprehen opinione pro dhe kundër çështjeve nga më të ndryshmet në botë, që nga sulmi i përkrahësve të Donald Trump mbi Capitol Hill dhe përjashtimi i tij nga rrjeti social “Twitter”, rreziku komunist në USA, pandemia Covid-19 e vaksinat kundër saj, teoritë konspiracioniste gjithfarësh apo ku di unë çfarë tjetër.

Liria e shprehjes dhe censura janë sot të rregulluara me ligj në botën demokratike. Këtyre rregullave u nënshtrohen të gjitha mediat pa përjashtim, sikurse dhe gjithë qytetarët apo njerëzit publikë, ku hyjnë dhe politikanët. Deri më sot, nuk është provuar ndonjë sistem politik më i mirë sesa ky që kemi njohur në botën perëndimore, ku zgjedhjet zhvillohen një herë në 4 vjet, ku maxhorancat alternohen, ku pushtetet klasike (legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori) janë sa të ndara, aq edhe të balancuara.

Ky reflektim nuk ka për qëllim t’i mbajë anën askujt në debatin e sotëm mbi lirinë e shprehjes dhe censurën e rrjeteve sociale (ndërmarrje private që qëllim kryesor, përveç fitimit, kanë dhe komunikimin, besoj unë normal, mes njerëzve). Ky reflektim i referohet marrëdhënies pushtet-media tradicionale në radhë të parë, referuar në 3 modeleve të 4 viteve të fundit. Në kontekstin e këtij reflektimi, media tradicionale unë konsideroj ato që objekt kryesor kanë informimin e publikut.

Për arsye të eksperiencës sime jetësore dhe interesave të mia aktuale në radhë të parë si shtetas shqiptar dhe kanadez, tri janë hapësirat që më tërheqin më shumë vëmendjen. Politika dhe veprimtaria e pushtetit në Kanada. Politika dhe veprimtaria e pushtetit në Shqipëri dhe për shkak të lidhjes, ndërveprimit apo ndikimit të drejtpërdrejtë apo indirekt mbi dy të parat edhe politika e veprimtaria e pushtetit në SHBA.

Në një anë, kam parasysh këtu modelin e marrëdhënies me mediat të tre politikanëve kanadezë që unë ndjek më tepër, Justin Trudeau (Kryeministër i Kanadasë), Doug Ford (Kryeministër i Ontarios) dhe François Legault (Kryeministër i Québec). Në anën tjetër, Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe Presidentin ende në detyrë të SHBA-ve, Donald Trump.

Tre të parët i përdorin sigurisht rrjetet sociale, sepse komunikimi i politikës përmes rrjeteve sociale tani është kthyer në diçka fare normale. Sidoqoftë, komunikimi i tyre me publikun për çdo gjë që lidhet me qeverisjen vazhdon të bëhet përmes formave klasike dhe të mirëprovuara, komunikatave për media, konferencave të shtypit apo përcjelljes dhe mesazheve përmes zëdhënësve dhe zyrave të shtypit. Ajo që tërheq vëmendjen në Kanada, është gjithashtu etika e komunikimit dhe vetëpërmbajtja e politikanëve, jo vetëm në marrëdhënie më njeri-tjetrin, por mbi të gjitha në raport me mediat dhe gazetarët. Këtu, sa herë ka tepri, menjëherë pason ndjesa publike dhe as që bëhet fjalë për sjellje arrogante të politikanëve. Arroganca e politikanit, të paktën në komunikim, është krejt e huaj për shoqërinë kanadeze.

Dy modelet e tjera, që i marr për krahasim, sigurisht janë shumë larg njeritjetrit dhe mbase nuk mund të krahasohen fare (por, siç thashë, janë në fokusin e vëmendjes sime), kanë shfaqur një tendencë tjetër gjatë këtyre 4 viteve, atë që rëndom kemi dëgjuar të cilësohet si “qeverisje me ‘Twitter’” apo “qeverisje me ‘Facebook’”.

Me modelin shqiptar nuk po zgjatem sepse servilizmi i mediave dhe nënshtrimi ndaj pushtetit i tyre, me pak përjashtime, është ndofta sëmundja më e rëndë e shoqërisë shqiptare pas korrupsionit në përmasa të llahtarshme. Nuk po merrem as me arrogancën e pashoqe dhe komunikimin e njohur denigrues të Kryeministrit me gazetarët në dhjetëra e qindra raste. Gjithsesi, për këtë pjesë faji nuk është i gazetarëve, por lidhet me moralin e dyshimtë të pjesës më të madhe të botuesve apo pronarëve të mediave.

Le të ndalemi te modeli i tretë, i përfaqësuar nga Presidenti në detyrë i SHBA, i cili së fundi u përjashtua nga disa rrjete sociale, për arsye të shpjeguara tashmë nga vetë këto rrjete.

Le të pranojmë për një moment që e majta amerikane (nuk e di sa mund të krahasohet ajo me të majtat klasike) apo demokratët janë shkak që mund ta bëjnë të shkasë Amerikën drejt komunizmit (unë personalisht nuk besoj te kjo hipotezë). Le të mendojmë për një çast që CNN apo rrjete të tjera mediatike bëjnë politikën e miliarderit Soros, që sipas disave ka marrë përsipër të denatyrojë shoqërinë njerëzore. Le të pranojmë gjithashtu (dhe kjo më duket më e besueshme) që mediat në SHBA janë të ndara, disa anojnë nga demokratët, disa anojnë nga republikanët.

Pyetja që shtrohet në këtë reflektim është kjo: a ka sot ndonjë media tradicionale amerikane, gazetë apo televizion që e ka censuruar apo deformuar opinionin apo deklaratat e Presidentit në detyrë të SHBA? Pse ai ka preferuar më shumë komunikimin dhe “qeverisjen me ‘Twitter’” në vend të komunikimit tradicional më mediat dhe kur fare mirë mund t’i shprehë opinionet apo bëjë deklaratat edhe përmes tyre?

Sot dëgjova që ai ka rënë në heshtje. A do ta refuzonte sot ndonjë media tradicionale ta transmetonte një konferencë shtypi të tij nëse do vendoste ta bënte? A do ta censuronte ndonjë gazetë opinionin e tij të shprehur në konferencë shtypi përballë gazetarëve? Nëse kjo do të ndodhte, atëherë vërtet liria e shprehjes do të ishte në rrezik, gjë që nuk ka shanse të ndodhë kurrë në SHBA. Unë besoj që më mirë se kushdo këtë e di dhe e kupton vetë Donald Trump. Arsyet pse ai ka “qeverisur” me “Twitter” sigurisht mund të jenë të shumta dhe është ai që e ka bërë zgjedhjen, por nuk janë ato objekt i këtij reflektimi.

Sigurisht, komunikimi i drejtpërdrejtë me median kërkon shumë vetëkontroll, siguri, kulturë komunikimi, përgatitje për të pasur njohuritë e duhura mbi problemin që do flitet, vëmendje, durim, etikë, por edhe kulturë të përgjithshme. Sipas meje, forma më e përshtatshme e komunikimit me publikun në kushtet e një pushteti demokratik (megjithë defektet e tij) mbeten mediat tradicionale. Në këtë aspekt, personalisht nuk kam parë këto vite cenim apo censurë të lirisë së shprehjes ndaj politikanëve nga mediat tradicionale as në Kanada, as në SHBA, madje as në Shqipëri. Mendimet e opinionistëve pro apo kundër njërit apo tjetrit, në mediat tradicionale, qoftë të ashtuquajtura të majta apo të djathta, janë krejt gjë tjetër. Çdo qen leh për të zotin, në fund të fundit. Dhe, madje, kjo “lehje” është shprehje lirie dhe jo censure. Ndalohet me ligj vetëm “kafshimi”, që mund të nxisë urrejtje apo dhunë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura