“Mbi 90% e popullit punonte e shkollohej”, Paskal Milo tregon si do rishikohet historia para 1990: ‘Përplasjet’ për Enver Hoxhën

May 15, 2021 | 13:45
SHPËRNDAJE

paskal milo historia

Historiani i njohur, profesor Paskal Milo, shprehet se figura e Enver Hoxhës duhet të trajtohet si pjesë e historisë së shqiptarëve, edhe pse ndaj tij ende ka qëndrime kontradiktore.

Si një prej 20 akademikëve dhe historianëve më të mirë, pjesë e grupit të punës për tekstin “Historia e shqiptarëve”, që financohet nga Akademia e Shkencave, profesor Milo tregon në një intervistë për gazetën “Panorama” këndvështrimin se nga duhet të udhëhiqet çdo historian për të parë me objektivitet personazhet dhe ngjarjet historike për t’i trajtuar ata me kompleksitetin e tyre.

Për një nga figurat më të debatuara pas viteve ‘90, udhëheqësin komunist, Enver Hoxha, Milo shprehet se “një historian që vendos emocionet, bindjet dhe përkatësinë politike në peshoren e analizës e të gjykimit, nuk është në gjendje që të japë produkt objektiv e realist historiografik.

Një historian me bindje të djathta në Shqipëri apo ish-i persekutuar politik nuk do të kishte predispozicion objektiv për të gjykuar figurën e Enver Hoxhës në procesin historik. Produkti i tij do të ishte një karikaturë blozë kriminale fund e krye.

Alternativa tjetër, në rastin e një historiani me bindje ekstra të majta, do të vizatonte për Enver Hoxhën një portret të kundërt, një udhëheqës të madh e të lavdishëm, të pagabueshëm e popullor. Ndaj procesi i vlerësimit apo i rivlerësimit të figurave historike është delikat, i vështirë dhe i komplikuar.

Rrugëzgjidhja është përqendrimi i analizës te procesi historik, te ngjarja e fenomeni historik dhe jo te personalizimi i tyre. Ky, për mendimin tim, duhet të jetë këndvështrimi i analizës historike të periudhës së regjimit komunist”. Por historiani i njohur flet dhe për figura po aq të debatueshme në historinë e Shqipërisë, si Esat Pashë Toptani apo Mbreti Zog.

“Në historinë e personaliteteve politike shqiptare, përfshirë edhe ato dy emra që ju përmendët, ka shumë mbishtresa negative, denigruese, por edhe glorifikuese, të cilat vetëm bisturia e historianëve me integritet mund të jetë në gjendje t’i pastrojë e të nxjerrë në dritë të vërtetën historike”, shprehet profesor Milo.

Profesor Milo, ju jeni pjesë e grupit të punës për një botim enciklopedik “Historia e shqiptarëve”, financuar nga Akademia e Shkencave. Më në fund erdhëm në momentin e rishkrimit të historisë sonë në një variant zyrtar, të pranuar nga Akademia e Shkencave dhe jo të botimeve individuale. Sa shpresë keni që do të kemi një version zyrtar të gjithëpranuar për faktet dhe personazhet që kanë krijuar në këto 30 vjet debate dhe polemika?

Koncepti i vizionit zyrtar të shkrimit së historisë kombëtare ka rënë bashkë me rënien e regjimit komunist. Në demokraci nuk ka vizion zyrtar ose maxhoritar apo vizion opozitar të të shkruarit të historisë. Historishkruarja është një proces dinamik e dialektik në vazhdimësi në kërkim të reflektimit të së vërtetës historike.

Shteti, institucioni i të cilit është edhe qeveria, e ka për detyrë të ndihmojë, të mbështesë e të investojë në kërkimin shkencor e në rishkruarjen e historisë si një pasuri identitare e kombëtare e pazëvendësueshme.

Por nuk dikton, nuk ndikon e nuk duhet t’i shkojë ndërmend të ndërhyjë në proces. Në rastin konkret, qeveria duhet përgëzuar se me paratë publike po mbështet një projekt madhor të Akademisë së Shkencave për të rishkruar historinë e shqiptarëve të destinuar kryesisht për lexuesin e huaj në tri vëllime.

Akademia është organizatore dhe zbatuese e projektit, do të seleksionojë e miratojë autorët që do të angazhohen të rishkruajnë historinë e shqiptarëve, por nuk mund të ndërhyjë e të diktojë përmbajtjen e saj.

Ajo është punë e grupeve akademike që janë ngritur me studiues kompetentë dhe me integritet që do të kryejnë një volum të madh pune kërkimore e historishkruarje. Janë ata që do të diskutojnë e miratojnë punën e bërë me përgjegjësi e integritet profesional.

Si është ndarë puna mes jush në grupin e punës për të përballuar një volum shumë të madh dokumentesh e për t’i vendosur ato në një tekst akademik të historisë së Shqipërisë?

Teksti “Historia e Shqiptarëve” do të hartohet në tri vëllime. Vëllimi i parë do të përfshijë periudhën e historisë antike, ilire dhe arbërore deri në shekullin e VIII-të.

Vëllimi i dytë, periudhën në vijim deri në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, që është kufiri logjik i periodizimit të historisë kombëtare, dhe vëllimi i tretë, historinë e shtetit të pavarur shqiptar deri në rënien e regjimit komunist.

Për hartimin e çdo vëllimi është ngritur nga një grup pune me studiues nga më të njohurit të periudhave të caktuara historike. Puna do të zgjasë dy vjet, do të udhëhiqet e monitorohet nga Akademia e Shkencave.

Ju keni vite që merreni me studimin e historisë, ndërsa dy ditë më parë ndezët përsëri një debat në lidhje me një takim të Mit’hat Frashërit me Napoleon Zervën në maj 1944, kur lufta kishte hyrë në fazën finale të saj. Debati që kjo deklaratë nxiti tregon edhe një herë se sa i vështirë do të jetë pranimi i disa fakteve. Çfarë rezulton nga ky takim dhe mbi cilat dokumente ju e bazoni atë?

Unë nuk kisha asnjë synim për të përmendur posaçërisht këtë fakt. Ka edhe shumë fakte të tjera interesante dhe intriguese të panjohura për opinionin publik që do të dalin jo si një qëllim në vetvete, por në funksion të rishkruarjes me sa më shumë objektivitet të historisë.

Rasti në fjalë, takimi i Mit’hat Frashërit e Napoleon Zervas në Voskop të Korçës, është pjesë e një nënkapitulli që unë kam shkruar për vëllimin e dytë të Historisë së Shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore, që do të botohet pas disa muajsh. Ka shumë fakte të tilla që do të bëhen të njohura edhe për Enver Hoxhën e figura të tjera të kohës së Luftës.

Si do të arrinin ju të konvergoni në një konkluzion lidhur me figura të tilla si Esat Pashë Toptani, që historiografia jonë zyrtare e para viteve ’90 e ka cilësuar si tradhtar, apo dhe Mbreti Ahmet Zogu?

Unë e di se shoqëria shqiptare është ende e ndarë në interpretimin e fakteve e të ngjarjeve historike, veçanërisht të Luftës e jo vetëm të saj. Ende ka shumë politikë e folklor në të shkruarit e historisë, sepse janë ende të gjalla reminishencat e historive konfliktuale ndërshqiptare, të cilat edhe nxitin për të shërbyer si mish për top për politikën e ditës.

Në historinë e personaliteteve politike shqiptare, përfshirë edhe ato dy emra që ju përmendët, ka shumë mbishtresa negative, denigruese, por edhe glorifikuese, të cilat vetëm bisturia e historianëve me integritet mund të jetë në gjendje t’i pastrojë e të nxjerrë në dritë të vërtetën historike.

Si do të trajtohet periudha e pasçlirimit, për të cilën edhe në ditët tona njerëzit janë të ndarë sa u takon anëve pozitive dhe atyre negative të saj, nën drejtimin e PPSH-së dhe Enver Hoxhës?

E mirë apo e keqe, kjo periudhë është pjesë e historisë sonë dhe nuk mund t’i shmangemi edhe sikur të duam interpretim sa më shkencor e korrekt të saj.

Vështirësia e saj qëndron në dy aspekte: në distancën e shkurtër kohore nga ngjarjet e zhvilluara në pikëpamje të maturimit të dokumentacionit arkivor dhe të mundësisë për të reflektuar në mënyrë shkencore mbi të.

E dyta, në përballimin e trysnive që vijnë kryesisht nga politika e nga segmente të ndryshme të shoqërisë për ta parë e gjykuar këtë periudhë me syzet më të errëta të mundshme ose nga një këndvështrim nostalgjik i pajustifikuar.

Është një sfidë për grupin e historianëve që do të merren me të shkruarit e kësaj pjese të historisë sonë. Duhet kërkuar dhe gjetur një ekuilibër në kriteret e vlerësimit të ngjarjeve e fakteve historike.

Brenda kornizës së madhe historike të regjimit komunist, natyrën e të cilit askush nuk besoj se e merr në mbrojtje, të ndërtohet mozaiku i shoqërisë shqiptare të kohës, jo i regjimit, por i arritjeve dhe dështimeve në të gjitha fushat.

Shqipëria ka qenë modeli më i keq i diktaturës komuniste në Europë në të gjithë treguesit kryesorë: mungesa e lirive dhe e të drejtave të njeriut, lufta e egër e klasave, persekutimi për ide e bindje antikomuniste ose fetare, mbyllja hermetike me botën e jashtme, niveli i ulët i zhvillimit ekonomik etj.

Kjo është njëra anë e medaljes që duhet pasqyruar me besnikëri e realizëm. Por ekziston edhe ana tjetër e saj. Shqipëria vërtetë ishte një vend i modelit ourellian, por edhe aty jetonin njerëz që lindnin dhe vdisnin, që kishin gëzime dhe hidhërime, që nuk kishte vetëm burgje e kampe përqendrimi.

Mbi 90 për qind e popullit punonte, shkollohej, martohej e gëzohej, bënte familje, haste në vështirësi për të nxjerrë bukën e gojës, por fëmijët i çonte në shkollë, kishte teatro e kinema, universitete e institucione të tjera të arsimit të lartë, Akademi Shkencash e një rrjet institucionesh shkencore, rrjet spitalor dhe ambulator që ende për nga shtrirja sot na mungon, u ndërtuan hidrocentrale, uzina e fabrika që punësonin njerëzit e zhvillohej vendi. Nuk do të jetë historia e regjimit, por historia e shqiptarëve në të gjitha dimensionet.

Do të ketë një rishikim në vlerësimin e figurës së Enver Hoxhës, nga udhëheqës i LANÇ-it në diktator që eliminoi dhe shokët e tij të luftës përmes grupeve armiqësore të shpallura në periudha të ndryshme?

Figura e Enver Hoxhës për sa kohë që ai ka qenë aktor politik e ushtarak qendror në Luftë dhe udhëheqës fuqiplotë i Shqipërisë komuniste për gati 40 vjet, nuk mund të “përjashtohet” nga historia dhe as nuk mund t’i fshihet asaj. Kështu ndodh me të gjitha figurat historike kudo në botë.

Kështu ka ndodhur edhe në Shqipëri. Me kalimin e kohës, të brezave njerëzorë që kanë jetuar e bërë historinë e vendit të tyre në kohën e tyre, personalitetet dhe ngjarjet historike relativizohen, u bie pluhuri i harresës historike ose gjejnë vlerësim të qëndrueshëm e të pranueshëm për shumicën.

Brezat e rinj që janë lindur pas vitit 1990, si për shumë ngjarje e figura historike shqiptare, nuk e njohin Enver Hoxhën se çfarë ka qenë dhe çfarë roli ka luajtur ose e njohin fare pak.

Unë kam një përvojë të gjatë ligjërimi historik në universitete dhe jam ndeshur në këto 20 vitet e fundit në një analfabetizëm historik, gjeografik e gjuhësor të shumë e shumë studentëve tanë.

Por kur janë një përqindje jo e vogël në këtë gjendje nga një brez që pretendohet të jetë e ardhmja e Shqipërisë, imagjinoni se cila është shkalla e dijes në segmente të tjera të rinisë shqiptare?!

Enver Hoxha duhet të trajtohet në tekstet e historisë jo për t’i bërë atij një nder personal apo njerëzve e pasuesve të tij, por se ai është pjesë e historisë. Si figurë qendrore e saj në dy periudha, të Luftës e pas saj, ai ka zënë vendin në të.

Problemi është te vlerësimi, tek analiza e veprës së tij, te roli që ai ka luajtur. Baza e nisjes për ta bërë këtë vlerësim është sa metodologjik, aq edhe parimor. Parimi bazë duhet të jetë objektiviteti historik.

Një historian që vendos emocionet, bindjet dhe përkatësinë politike në peshoren e analizës e të gjykimit, nuk është në gjendje që të japë produkt objektiv e realist historiografik. Një historian me bindje të djathta në Shqipëri apo ish-i persekutuar politik nuk do të kishte predispozicion objektiv për të gjykuar figurën e Enver Hoxhës në procesin historik.

Produkti i tij do të ishte një karikaturë blozë kriminale fund e krye. Alternativa tjetër, në rastin e një historiani me bindje ekstra të majta, do të vizatonte për Enver Hoxhën një portret të kundërt, një udhëheqës të madh e të lavdishëm, të pagabueshëm e popullor.

Ndaj, procesi i vlerësimit apo i rivlerësimit të figurave historike është delikat, i vështirë dhe i komplikuar. Rrugëzgjidhja është përqendrimi i analizës te procesi historik, te ngjarja e fenomeni historik dhe jo te personalizimi i tyre. Ky, për mendimin tim, duhet të jetë këndvështrimi i analizës historike të periudhës së regjimit komunist.

Cilat do të jenë burimet arkivore që ju do të përdorni për shkrimin e tekstit të ri të “Historisë së Shqipërisë”?

Ka disa grupe pune ku historianët e studiuesit e përfshirë janë me shumë përvojë e kanë material dokumentar e bibliografik shumë të pasur.

Ata gjithnjë janë në një proces gjurmimi të thelluar të të rejave në kulturën materiale, dokumentare e bibliografike dhe jam i bindur që edicioni i ri i “Historisë së Shqiptarëve” do të reflektojë më së miri gjithë pasionin dhe këmbënguljen e tyre në këtë drejtim.

Cili do të jetë mekanizmi që pas debateve, argumenteve dhe kundërargumenteve në grupin tuaj, ju do të arrini në një përcaktim final për personazhin historik apo ngjarjen historike, duke përcaktuar dhe një qëndrim zyrtar të historisë?

Grupet e punës për periudhat historike të veçanta do të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Anëtarët e çdo grupi në fund të hartimit të tekstit do të shikojnë reciprokisht kontributet e njëri-tjetrit, do të diskutojnë së bashku dhe atje ku duhet do të ndërhyjnë për të bërë korrigjimet e duhura. Akademia e Shkencave ka parashikuar në fund një grup që do të punojë për redaktimin përfundimtar të tri vëllimeve, që do të jetë me përgjegjësi për të dhënë variantin përfundimtar. Me siguri do të ketë edhe një diskutim e miratim përfundimtar në seksionin e shkencave shoqërore e në këshillin botues të Akademisë së Shkencave.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura