Mbi 5 orë mbledhje te Interi për merkaton dhe firmat, Inzagi: Keqardhje për titullin

May 25, 2022 | 9:30
SHPËRNDAJE

Interi dorëzoi fronin e kampionit të Serisë A, duke e mbyllur sezonin në vendin e dytë, pasi arriti te fitonte Kupën dhe Superkupën e Italisë dhe në Milano ka ardhur momenti i bilanceve. Duke lënë mënjanë trofetë, gjithë vëmendja e zikaltërve është përqendruar në planet për sezonin e ardhshëm, që pa dyshim kalojnë nga gjendja ekonomike, e cila e detyron klubin të jetë shumë i kujdesshëm me manovrat e tij në merkato.

INZAGI ZHANG

Për këtë, ditën e djeshme në selinë e Interit është mbajtur një takim që ka zgjatur 5 orë mes trajnerit Inzagi, drejtuesve dhe presidentit Zhang.

Mbledhja e kryesisë ka pasur një sërë pikash në rend dite, mes të cilave ndryshimet në organikë me largimet e lojtarëve që janë në skadencë kontrate, emrat në të cilën do të përqendrohet merkatoja hyrëse dhe rinovimet, jo vetëm të lojtarëve, por edhe të trajnerit.

Prania e avokatit zikaltër në seli ka bërë të lindin dyshimet se firmat në kontratën e re të Inzagit janë hedhur dhe së shpejti do të pritet edhe zyrtarizimi. Zgjatja deri në vitin 2024 me opsionin edhe për një tjetër vit, për një rrogë prej 5.5 milionë eurosh nga 4 milionë eurot aktuale ka marrë dakordësinë e të gjitha palëve, që duan të vazhdojnë bashkë pavarësisht se Interi nuk ka arritur të shpallet kampion i Italisë.

“TAPIRI I ARTË” – E ky fakt, duke qenë se zikaltrit niseshin favoritë, ka bërë që për herën e dytë gjatë këtij vitit Simone Inzagi të marrë “Tapirin e Artë”, çmimin satirik të dhënë nga emisioni “Striscia La Notizia”. Inzagi e ka marrë me sportivitet çmimin dhe nuk ka lënë pa komentuar suksesin e munguar në momentin e dorëzimit të “Tapirit të Artë”.

“Për fat të keq gara për titullin shkoi keq, por e kemi provuar deri në fund”, e nisi Inzagi fjalën që pavarësisht ironisë së çmimit, ka dashur t’i japë meritat skuadrës për punën e bërë.

“Të gjithë lojtarëve të mi duhet t’u bëhen komplimentet, pavarësisht përfundimit sepse të gjithë u treguan shumë të zotë në rrugëtimin tonë”, vazhdoi trajneri që në fund i pyetur për të ardhmen u përgjigj shkurt: “Sigurisht që qëndroj”. Kështu, Inzagi pasi la pas sezonin debutues në stolin e zikaltërve, do të tentojë të përmirësojë arritjet e tij ne Serinë A dhe Champions League, duke shkuar më larg se ai që sapo përfundoi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura