Mbi 400 mijë euro fitime për një muaj, si funksionojnë laboratorët e “Bitcoin”! Dy kompani për prodhimin e monedhave virtuale me vlerë 1 milion euro u sekuestruan në zonën e Shijakut

Jan 25, 2022 | 16:10
SHPËRNDAJE

LEONIDHA MUSAJ/ Shpenzuan 1 milion euro për të ngritur laboratorët e prodhimit të kriptomonedhave, por thuajse gjysma e kësaj shume është arritur të sigurohej vetëm në 40-ditëshin e parë të punës.

bitcoin

Burime nga grupi i hetimit thonë se ngritja e laboratorëve ka nisur në muajin nëntor dhe në muajin dhjetor ata kanë qenë në gjendje pune me kapacitet të plotë. Sipas një përllogaritje të ekspertëve (pjesë e grupit të hetimit) vetëm në harkun e 40 ditëve, të dy laboratorët kanë arritur të prodhojnë afro 400 mijë euro fitime.

Personat e implikuar në këtë aktivitet pretendojnë se po zhvillonin një aktivitet të ligjshëm, por autoritetet e zbatimit të ligjit thonë se nuk mund të jetë i ligjshëm një aktivitet vetëm me regjistrimin në (QKB), Qendrën Kombëtare të Biznesit, pa u riregjistruar ndër të tjera edhe në (QKR), Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, çka do të thotë se kemi të bëjmë me një biznes pa licencë.

Sipas burimeve nga grupi i hetimit, kompanitë e prodhimit të kriptomonedhave, “CRYPTO WORLD 1 sh.p.k” dhe “CRYPTO WORLD 2 sh.p.k”, nuk kanë as leje për këmbimin e kriptomonedhave dhe pavarësisht se kanë qenë në prodhim për një periudhë kohe nuk janë të regjistruar në Tatime, duke kryer kështu evazion fiskal. “E para: që të regjistrosh një biznes në QKB është fare e thjeshtë dhe për ta riregjistruar duhen vetëm 1 mijë lekë të vjetër, kjo nuk do të thotë se biznesi është i ligjshëm vetëm se e paske regjistruar në QKB dhe ka një kontratë të objektit me OSHEE. Rasti në fjalë nuk është regjistruar në QKR. Ky biznes nuk ka leje për këmbimin e kriptomonedhave dhe tjetra nuk ka derdhur detyrimet te Tatimet, pavarësisht se ka qenë në prodhim. Pra, ndër të tjera kemi të bëjmë edhe me evazion fiskal”, thanë burime nga grupi i hetimit.

KONSUMI I ENERGJISË

Të njëjtat burime thonë se pavarësisht se ishin instaluar panele diellore për të siguruar energjinë elektrike, ky biznes ka konsumuar afro 15 mijë euro energji elektrike, të cilat i detyrohet OSHEE-së. “Nuk është problem fare energjia elektrike, këtë ata e paguajnë pa problem. Po pjesa tjetër është komplet e jashtëligjshme. Ata justifikohen me faktin se në vendin tonë nuk ka asnjë dispozitë në Kodin Penal ku parashikon ndalimin e prodhimit të BITCOIN apo kriptomonedhave të tjera. Pra, thonë që nuk është e jashtëligjshme, por nuk kemi as një depozitë ligjore që e lejon. Asnjë aspekt i veprimtarisë së këtyre shtetasve nuk është i qartë për sa u përket aseteve të kompanisë, zhvillimit të aktivitetit, deklarimit të fitimit, futjes së të dhënave kompjuterike me qëllim përfitimin monetar etj.”

SEKUESTRIMET

Katër ditë më parë, Policia sekuestroi dy kompanitë e prodhimit të kriptomonedhave, përkatësisht në Pjezë dhe në Fllakë të Shijakut, ndërsa vuri në pranga tre persona, përkatësisht Liserxhio Xhaferaj, Rramush Dumani dhe Ardian Çekiçi, si dhe u shpallën në kërkim E. H., M.Gj., E.H. dhe Th.Z, banues në Tiranë. Ditën e sotme gjykata vendosi që tre të arrestuarit ti lerë me mase dënimi “arrest shtëpie”.

Sakaq, Policia po heton edhe burimin e të ardhurave të shpenzuara për ngritjen e këtyre dy laboratorëve, vlerë e cila arrin në 1 milion euro. Katër janë veprat penale të konsumuara nga personat e përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm: “Mashtrimet kompjuterike”, “Ushtrimi pa licencë i veprimeve financiare”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”

REAGIMI I ADMINISTRATORIT

Lidhur me aksionin e Policisë për sekuestrimin e makinerive për prodhimin e paligjshëm të kriptomonedhave, reagoi të dielën administratori i kompanisë në Pjezë të Shijakut, Enxhi Hasani, i cili i hedh poshtë akuzat se kanë veprimtari ilegale te kompania në fjalë. Ai e konsideroi blof reagimin e Policisë, ndërsa thekson se rastet që janë zbuluar dhe ndjekur penalisht kanë të bëjnë me vjedhjen e energjisë elektrike, evazion fiskal apo futjen kontrabandë të pajisjeve kompjuterike. “Nuk ka asnjë dispozitë në Kodin Penal ku parashikon ndalimin e prodhimit të bitcoin apo kriptomonedhave të tjera. Te ne të paktën nuk është e jashtëligjshme. Biznesi është i deklaruar edhe në QKB, ka kontratë të rregullt me OSHEE, deklarohen të ardhurat dhe të gjitha pajisjet janë importuar dhe zhdoganuar sipas dispozitave ligjore. Përpara se të fillonte si aktivitet i është dërguar shkresë edhe Drejtorisë së Policisë dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare”, citohet në reagimin e tij.

© Panorama.al

Te lidhura