Mbi 2400 hektarë nën ujë, kryebashkiakja Ademi: Do të padisim KESH-in

Mar 15, 2018 | 14:41
SHPËRNDAJE

SHKODER/ SENAD NIKSHIQI/ Situata në tri njësitë e Bashkisë Shkodër nga përmbytjet është përkeqësuar. Në total janë 2400 hektarë tokë të përmbytura, raporton Bashkia Shkodër në njësitë Ana e Malit, Dajç, Bërdicë dhe rrethina. Nga niveli i ujit, në shumë fshatra qarkullimi i automjeteve është i pamundur, duke bërë që automjetet e ushtrisë të përdoren për dërgimin e fëmijëve në shkolla.

shkoder permbytje

Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, bëri një inspektim në njësinë Ana e Malit, që është dhe më e prekura nga këto përmbytje. Ademi u shpreh se do të bëjë padi në Prokurori mbi menaxhimin e kaskadës së Drinit, lidhur me kuotat dhe shkarkimet e bëra ndaj Korporatës Energjetike Shqiptare. “Po bëhemi gati për të dërguar në Prokurori një padi për të gjithë menaxhimin e kaskadës së Drinit.

Ky është veprimi i parë dhe në rast se s’do të ketë një vendimmarrje të shpejtë, qoftë nga Ministria e Mbrojtjes, apo nga Qeveria, ne do të bëjmë sërish kërkesë në Prokurori për marrjen në hetim të përgjegjësisë që institucionet qeveritare kanë për situatën. E para për ta vlerësuar dhe e dyta për detyrimin ligjor që nuk mund t’i shmangen për përcaktimin e vlefshmërisë së një situatë të emergjencës civile, që është e vërtetuar jo vetëm nga ne, por edhe nga banorët dhe nuk e di se çfarë faktesh të tjera do të duhet që t’i bashkëngjiten raporteve që Ministria e Mbrojtjes duhet të kishte tashmë, ashtu siç na është premtuar nga sektori i Emergjencave Civile për situatën që ne ndodhemi sot”, u shpreh Ademi.

Kryebashkiakja shkoi edhe në serat dhe tokat e përmbytura të banorëve të Anës së Malit, ku u shpreh se janë rreth 3 hektarë sera të dëmtuara nga përmbytja. “Bëhet fjalë për sera të mbjella me perime rreth 2 dynym e gjysmë, të gjitha janë nën ujë dhe kjo është e vërteta. Në gjithë njësinë Ana e Malit, janë rreth 3 hektarë sera të mbjella që kanë shkuar dëm. E gjithë puna dhe mundi i banorëve që kanë sakrifikuar në tokat që kanë në pronësi dhe me të cilat mbajnë familjet e veta, janë dëmtuar. Nuk është vetëm dëmi momental sepse toka që është nën ujë pasi të tërhiqet uji duhet që të kalojë shumë kohë që të rimbillet për shkak të ujit të lumit që vërshon nga shkarkimet prej hidrocentralit. Të gjitha banesat janë të rrethuara nga uji dhe kanë nisur të shfaqin problem si shkak i pranisë të lagështirës”, përfundoi Ademi.

Ndërkohë, gjatë mbledhjes së Shtabit të Emergjencave Civile, të zhvilluar në prefekturën e Qarkut Shkodër, kreu i Emergjencave Civile në prefekturë, Pëllumb Dani, u shpreh se pritet të ketë një rritje të nivelit të prurjeve në hidrocentrale në ditët në vijim për shkak të reshjeve gjatë ditëve të fundit. Kryebashkiakja Voltana Ademi ka kërkuar informacion nga prefekti i Qarkut Shkodër, Çesk Millja, lidhur me kërkesën që ka dorëzuar prej ditësh Bashkia e Shkodrës për shpalljen e emergjencës civile, por nga ana e tij prefekti tha se akoma nuk ka asnjë informacion për shqyrtimin e kërkesës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura