“Mbi 200 forca për të shuar zjarret në Vlorë”, Peleshi pas mbledhjes me Emergjencat Civile: Kemi kërkuar ndihmë nga shtetet fqinje por nuk mund të na përgjigjen

Aug 3, 2021 | 10:48
SHPËRNDAJE

Mbrëmjen e djeshme në Vlorë është zhvilluar mbledhja e Komitetit të Mbrojtjes Civile lidhur me situatën e krijuar nga zjarret në vend. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka deklaruar se situata më e rrezikshme paraqitet në zonën e Karaburunit dhe në Dukat të Vlorës.

Ai thotë se kapacitetet tona janë të kufizuara por ai ka lënë të hapur bashkëpunimin me institucione apo operatorëve privatë në vendet fqinje. Peleshi thotë se ka kërkuar ndihmë nga vendet fqinje si Italia, Greqia, Turqia e Kroacia por të pamundur për t’u përgjigjur për shkak të situatës që po kalojnë ato vetë.

“Nuk po zgjatem sepse sot paradite kam patur një komunikim nga Baza e Pashalimanit me mediat për situatën në të gjithë Shqipërinë, tani që flasim vatra më serioze është ajo e Karaburunit. Kemi arritur të shmangim avancimin e zjarreve drejt bazës së Pashalimanit, dhjetra efektivë të FA kanë punuar aty sot së bashku me forcat nga pushteti vendor por shqetësimi i fundit të cilin e kemi diskutuar edhe në hartë së bashku me komandantin e Forcës Mbështetëse për Mbrojtjen Civile dhe me kolegë të tjerë dhe më Prëfektin është shqetësimi i vatrës së zjarrit mbi Dukat sepse ne jemi akoma rreth dy kilometra larg parkut të Llogarasë por ne duam të shmangim me çdo kusht shtrirjen e zjarrit në këtë park.  Jemi duke parë edhe mundesinë e metodave teknike apo inteligjente për shmangien e përhapjes së zjarrit, kemi konsideruar shtimin e forcave tokësore dhe nesër do të kemi një shumëfishim të efektivëve të Forcave te Armatosura.

Kemi diskutuar dhe marrë vendim, të cilin po e them tani për herë të parë, që t’i japim mundësi strukturave tona dhe konkretisht Agjensisë Kombëtare te Mbrojtjes Civile të përdorë jo vetëm burimet financiare dhe forcat e institucioneve që kanë në varësi por edhe burime financiare shtesë për të marre shërbim nëse do të jetë e nevojshme nga shtetet fqinj, nga operatorët privatë, nga të gjithë kapacitëtet që janë në dispozicion. Lajmi jo shumë i mirë është që nuk është se ka shumë kapacitete në dispozicion nga vendet fqinj sepse janë përfshirë në emergjenca shumë më të rënda se tonat, kam parasysh Turqinë, Greqinë, Italinë, Kroacinë ku sot kam folur me Ministren e Mbrojtjes së Kroacisë para dy orësh, kam kërkuar mbështetjen me hidroplan, nuk kanë patur mundësi të na pergjigjen menjëherë por gjithësesi jemi në rradhë për t’i përdorur sapo të lirohet një kapacitet.

Do të përdorim edhe neser gjatë ditës helikopterë nga operatorë të tjerë veç mjeteve që kemi ne në dispozicion dhe shprësojmë që gjatë ditës së nesërme besoj do të jenë tre helikopterë në përdorim deri pasditen e vonë por nuk është se helikopterët janë zgjidhja përfundimtare. Së pari që në orët e para të mëngjesit, komandanti bashkë me trupat e tij ne 4:00 të mëngjesit do të niset drejt zonës së pyllit mbi Dukat, do të ecin 4-5 orë aty ku është vatra dhe për të parë se cilat metoda janë më të përshtatshme për t’u aplikuar për shmangien e përhapjes së zjarrit drejt Parkut të Llogarasë, që nuk duhet të lëjohet me asnjë mënyrë” – tha Peleshi.

I pyetur për masat e ndërmarra nga institucionet për zjarret në Vlorë, Peleshi tha se vetëm ditën e djeshme janë angazhuar 200 forca në këtë zonë. Ai thotë se ka pasur 93 fluturime helikopterësh për të hedhur ujë nga sipër.

“Gjatë këtyre ditëve që ju përmendni ka patur operacione në të gjithë Shqipërinë me qindra forca të angazhuara se mbi 200 kanë qënë vetëm këtu në Vlorë, 80 kanë qënë në Fier ku aty kemi patur dy situata shumë të rënda vatrash me sipërfaqe shumë të madhe përhapje të zjarrit. Kemi patur dy situata të vështira në Ksamil dhe në Përmet madje do të thoja qe ato janë qënë më të rrezikshme sa i përket afërsisë me zonat e banuara. Forcat tona të Armatosura kanë qënë aty prezente kanë qënë edhe akoma më herët nga fillimet e zjarreve në malin e Tomorrit. Kemi qënë aty jo vetem me forcat por edhe me fluturime ajrore prej dhjetra orësh. Sot në Vlorë ka patur 93 fluturime të helikoptërit të FA, pra nuk kemi qënë në asnjë moment në pritje.

Për momentin ne kemi një numër të kufizuar helikopterësh të përshtatshëm për ndërhyrje. Natyrisht, kur ka situata të tilla edhe Turqisë nuk i mjaftojnë, Greqisë nuk i mjaftojnë, Italisë  nuk i mjaftojnë, kërkojnë mbështetje. Ne kemi 1 helikopter me kapacitet 2000 litra ujë i cili vlen në këtë situatë ndërkohë siç e thashë nesër edhe me procedurën që po bëjmë për të kontraktuar operatorë të tjerë gjatë gjithë ditës do të kemi 3 helikoptërë që do te punojnë” – deklaroi ministri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura