Mbi 14 orë debate, Rama bojkotoi votimin/ Si projekti 2.1 miliardë euro në Durrës bindi në mesnatë 76 deputetët e mazhorancës

Nov 26, 2022 | 9:19
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME

Mbi 14 orë debate nuk ndikuan fare në bindjen e deputetëve socialistë. Investimi “strategjik” 2.1 milionë euro që planifikohet në Durrës bindi 76 ligjvënësit që në orët e vona të së enjtes t’i hapnin rrugë një projekti që u kontestua tepër gjatë një jave nga opozita, por edhe nga ekspertët.

Madje edhe nga Bashkimi Evropian, i cili në përgjigje anuloi një grant prej 28 milionë euro. Por, kjo nuk pati asnjë ndikim te deputetët e PS-së. Ndërkohë, nuk dihet qëndrimi i Kryeministrit Rama. Ky i fundit nuk mori pjesë në votimin e marrëveshjes. Ndërkohë, 35 deputetë të opozitës e kundërshtuan këtë projekt.

Reagimi Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja në fjalën e tij në Parlament për të mbrojtur projektin, iu drejtua ligjvënësve të opozitës, duke u thënë se të gjithë do të kenë pjesën e tyre në atë projekt.

“Flitet për pjesë këtu. Ndoshta ndonjëri në këtë krahun ka ndonjë merak ndonjëri që ka mbetur pa pjesë. Por më besoni kur të realizohet ky investim strategjik në Durrës pjesë do kemi të gjithë. Sepse ata që përfitojnë janë qytetarët shqiptarë. Jemi edhe ne. Do kemi edhe ne pjesë atje kur të zhvillohet Durrësi. Halli juaj është politikë. E thatë këtu se ky investim duhet ndaluar se i jep mandatin e katërt Edi Ramës. Nuk t’i vjedhim zgjedhjet i nderuar koleg. Partinë Socialiste e votojnë qytetarët shqiptarë, sepse kanë sy njerëzit, nuk janë qorra. Halli i këtyre është vetëm politikë. Këta kanë hall se do hapen 12 mijë vende pune dhe këta e shohin me dylbi pushtetin”, deklaroi Manja.

Sipas tij, procedurat për projektin e Portit të Durrësit, rregullohen nga ligji për investimet strategjike.

“Thuhet që marrëveshja shkel MSA-në dhe marrëveshjen që kemi me Bashkimin Europian. Nuk ka asnjë shkelje të MSAsë. Thotë janë të papranueshme marrëveshjet që shtrembërojnë konkurrencën e lirë në treg. Jemi në procedurë të një investimi strategjik që rregullohen nga ligji për investimet strategjike. Kur shteti zbaton ligjet e veta nuk ka cenim të parimit të barazisë dhe konkurrencës së lirë në treg. Asnjë akt i BE-së nuk e ndalon krijimin e një shoqërie të posaçme”, u shpreh Manja.

Ndaj Manjës, reagoi deputetja e PD-së Dhurata Çupi, e cila u distancua nga deklarata e ministrit.

“Zotit Manja do i bëja një pyetje. Tha që është një palë që ka mbetur pa pjesë. Kush janë ata pjesë që kanë marrë pjesë.

Kjo është të vajtosh. Kush ka marrë pjesë. Unë që flas nuk kam pjesë. Këtu kuptohet që ligji do të miratohet, sepse është sjellë me procedura të përshpejtuara. Natyrisht që do të miratohet nga qeveria. Ajo që ne këtu bëjmë debat është për të kuptuar për opinionin publik dhe qytetarët. Ne japim opsionin pro dhe kundër dhe qytetarët e kuptojnë. Ju i jeni nënshtruar interesave tuaja. Këtë e kuptojnë qytetarët. Këtu është një fakt që Durrësi nuk do jetë më me portin dhe qytetin. Do jetë një qytet tjetër. Ju sjell rastin e investimit nga e njëjta kompani dhe marrëveshje në Beograd”, deklaroi ajo.

Sakaq, në një orar ku vëmendja e opinionit publik ishte shumë e ulët, deputetët socialistë e patën edhe më të lehtë të refuzonin me radhë mbi 30 amendamente të bëra nga deputetët e opozitës për të ndryshuar buxhetin e vitit 2023.

Në një grup me opozitën, deputetët e mazhorancës futën edhe kolegun e tyre Erjon Braçe. Në fund, mazhoranca edhe me votën e Braçes miratoi me 77 vota buxhetin për vitin e ardhshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura