“Mbështetje të fuqishme nga SHBA”- I dërguari special amerikan takime në Shkup. Vizita edhe në 3 kryeqytete të Ballkanit

SHPËRNDAJE

I dërguari i posaçëm i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer po qëndron për vizitë në Shkup, ku ritheksoi mbështetjen e fuqishme amerikane për Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian. Zoti Palmer pas pak ditësh do të vizitojë Prishtinën, Beogradin dhe Athinën.

289ED472-50D6-499A-BC68-CBEF712EEFF8_cx0_cy1_cw0_w1023_r1_s

Shkupi është ndalesa e parë për zotin Matthew Palmer, i cili do të qëndrojë më pas në Prishtinë, në Beograd dhe në Athinë.

Përfaqësuesi i posaçëm i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor viziton Maqedoninë e Veriut menjëherë pas ratifikimit nga Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës të protokollit për anëtarësimin e këtij vendi ballkanik në Aleancën veriatlantike të NATO-s, një akt ky që është pritur me mjaft entuziazëm nga autoritetet maqedonase.

Zyrtari i lartë amerikan u takua në Shkup me ministrin e jashtëm Nikolla Dimitrov, me ministren e Mbrojtjes Radmilla Sheqerinska dhe me Presidentin Stevo Pendarovski.

Zoti Palmer tha se vjen në një kohë të volitshme, për të konfirmuar mbështetjen e fuqishme amerikane për Maqedoninë e Veriut dhe për rrugën e perspektivën e saj evropiane.

Ndërkaq, Minstri i jashtëm maqedonas Nikolla Dimitrov duke theksuar dëshpërimin nga vendimi i Këshillit Evropian për mosdhënien e datës Maqedonisë së Veriut për hapjen e bisedimeve, tha se vendi i tij “nuk do të ndalet, do të vazhdojë këmbëngulësinë për të dëshmuar realizimin e reformave dhe në këtë kuadër do të bëhen përpkjekje që të hiqet edhe pengesa e fundit, e që është ligji për Prokurorinë publike”. Ministri maqedonas tha se afrimi i Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evroian është edhe në interes të Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë, zyrtari i lartë amerikan pak ditë më parë shprehu zhgënjimin për mos-hapjen e negociatave nga Bashkimi Evropian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe bëri thirrje për rifillimin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Në një seancë të Komisionit të Jashtëm të Senatit, i dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer tha se emërimi i tij dhe i të dërguarit të posaçëm për dialogun Prishtinë-Beograd, Richard Grenell është shenjë e angazhimit amerikan në rajon.

Zoti Matthew Palmer nuk foli më shumë për çështjet e rajonit, ndërsa ai do të qëndrojë edhe dy ditë në Shkup ku do të marrë pjesë në një konferencë mbi çështjet e sigurisë rajonale.

Zoti Palmer të mërkuren do të takohet me kryeministrin Zoran Zaev, i cili ishte për vizitë në Romë.

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.