Mbështetja e Policisë, një detyrë qytetare dhe patriotike

Oct 23, 2018 | 13:19
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJ/ prec-zogajOperacionet policore të dy-tre javëve të fundit, që kulmuan me arrestimet e një rrjeti të gjerë narkotrafikantësh mbrëmjen e së dielës, janë ngjarje të rëndësishme të fazës së re ku po hyn pakthyeshëm dhe lumturisht, mes shumë vështirësish e pengesash, historia jonë e re e ndarjes me sundimin e krimit. Është fryma e Reformës në Drejtësi që fekondon këto zhvillime në dukje të befta, por që janë përgatitur në heshtje, përgjatë shumë muajve, nga agjencitë e vendeve partnere në bashkëpunim me agjencitë tona ligjzbatuese, ku duket qartë se punojnë policë dhe oficerë profesionistë të përkushtuar. Përndryshe, rrjetat e ligjit do të ishin ngritur bosh edhe kësaj radhe, siç ka ndodhur jo rrallë kur operacionet janë dekonspiruar.

Ardi-Veliu-Donika-Prela-operacioni

Agjencitë dhe shërbimet e vendeve partnere kanë një rol të dorës së parë në këtë betejë. Ata ndihmojnë pikësëpari me informacionet që japim e shkëmbejnë me Policinë dhe Prokurorinë shqiptare. Në megaoperacionin e fundit ka funksionuar, sipas njoftimeve të sigurta, një kooperim i shkëlqyer gjermano-amerikan. Informacioni është buka e betejave. Por ndihma më e me madhe që po na japin vendet mike në kontekstin e veçorive që ka lufta kundër krimit me mburojë politike në vendin tonë është inkurajimi si asnjëherë tjetër i Policisë së Shtetit, i Prokurorisë dhe agjencive të tjera ligjzbatuese. Këtë rol, miqtë amerikanë, gjermanë e tjerë nuk po e përmbushin vetëm me fjalë e deklarata siç kanë bërë gjithmonë. Ata janë bashkautorë në hartimin dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi. Ata janë këtu dhe në rajon në një marrëveshje për të ndihmuar Shqipërinë të dalë nga spiralja e së keqes e për të shkuar drejt normalitetit demokratik. Drejtësia e re po troket. Numërimi mbrapsht ka filluar për pandëshkueshmërinë në sferat e larta. Ky është momenti që po inkurajon çdo ditë e më shumë shërbëtorët e ndershëm të ligjit dhe veprimin e shtetit në segmentet e shëndosha të tij. Antikrimi po zhvillohet në një skemë tjetër që ka gjithnjë e më pak lidhje me propagandën, manovrat, interesat e ngushta dhe llogaritë e vjetra të politikës. Dara e ligjit vjen duke u shtrënguar. Askush nuk mund ta ndalojë. As qeveria vetë dhe askush që investohet për ta devijuar këtë kurs.

Vendet partnere dhe faktori i brendshëm janë në këtë betejë si duart që lajnë njëratjetrën e të dyja bashkë lajnë fytyrën. Partnerët nuk dalin e s’kanë përse dalin vetë në operacione. Nuk përballen ata me kriminelët, nuk i formulojnë ata akuzat penale, nuk i shqiptojnë ato vendimet në sallat e gjykatave. Këtë pjesë të betejës e marrin përsipër policët, oficerët, prokurorët dhe gjyqtarët shqiptarë.

Këta janë ushtarët e terrenit, këta venë kokën në rrezik, këta i shoqërojnë në Polici të ndaluarit, këta u hedhin prangat të arrestuarve, këta japin dënimet me burg, këta i dalin zot si individë veprimit të ligjit dhe shtetit. Këto janë akte, nuk janë fjalë. Akte që kanë një vlerë të shtuar në Shqipëri ku kriminelët u mësuan të mbahen dhe të sillen si elitë, si supershefa policie, prokurorie dhe gjykate, falë segmenteve të korruptuara të drejtësisë, por, mbi të gjitha, falë statusit që u dha në pesëvjeçarin e fundit Kryeministri Rama me shokë. Ndaj, them se mbështetja e Policisë së Shtetit, e prokurorëve dhe gjyqtarëve që po përballën me emër dhe mbiemër me eksponentë shumë të njohur të krimit të organizuar, është një detyrë qytetare dhe patriotike e çdo qytetari në Republikën e Shqipërisë. Mbështetje pa bishta dhe spërdredhje, pa propagandë të shpifur, pa paternalizëm politik. Kjo është koha për të themeluar Policinë e ligjit dhe shtetit jashtë politikës. Po ta themelojë çdo qytetar dhe politikan në mendjen e tij, është e sigurt se do të themelohet edhe si një realitet i rendit dhe sigurisë në vend.

Kalvari i të arrestuarve të dy ditëve të fundit dhe i të tjerëve para tyre, në Shkodër, Durrës dhe Tiranë, ka hyrë tashmë në hullinë strikte ligjore. Kush ka bërë faj, do të dënohet sipas ligjit. Politika bën mirë të mos rrëmbehet nga tundimet e vjetra për të bërë prokurorin apo gjyqtarin. Por politika ka me se të merret në këtë zhvillim. Rama, për shembull, mund të bëjë një “mea culpa” për njerëzit që mori në qafë. Nëse mendon se “mea culpa”-n po e bën me akte, atëherë lë të mbajë qëndrim politik ndaj zyrtarëve të tij që janë përfshirë ose kanë mbështetur njerëzit e botës së krimit. Një rast konkret që nuk ka nevojë për përgjime është ai që lidhet me kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Lirimi para kohe nga burgu i shumëkërkuarit Luzim Berisha u bë edhe falë garancive që dha Bashkia e Durrësit. A i mjafton kjo zotit Rama për të mbajtur qëndrim? Në PS ka plot zyrtarë që kanë flirtuar e flirtojnë me njerëz të botës së krimit. Dua ta përsëris një thënie që referon shpesh Adam Mihnik, të cilin zoti Rama besoj se e njeh personalisht. “Faji i një politikani është pikërisht përzierja në situata moralisht të paqarta”. Merret me mend se çfarë do të thoshte i paepuri Mihnik për politikanin që hyn në ortakëri me trafikantë.

Opozita ka një rol shumë të madh në gjithë këtë zhvillim antikrim në vend. Ajo ka mbajtur gjallë mospajtimin me krimin; ajo ka paraprirë me denoncimet e saj. Në kushtet e Shqipërisë, opozita si institucion ka pasur e ka mbrojtjen e nevojshme për të denoncuar me emër kriminelët me të rrezikshëm. Në këtë pikë, ajo krahasohet me ambasadën e SHBA. PD dhe opozita shqiptare e kanë përmbushur dhe vijojnë ta përmbushin me kurajë këtë rol. Tani që Policia po godet grupet kriminale, opozita ka rastin të kapitalizojë më mirë edhe elektoralisht kontributin e saj. Si? Duke i drejtuar një mbështetje të qartë trupës policore që u angazhua në operacionin e Shkodrës e deri te megaoperacioni i parmbrëmshëm; duke inkurajuar me largpamësi prokurorët që kanë dhënë e po japin dënime me burg sipas ligjit ndaj eksponentëve të njohur të botës së krimit në vend. Kjo nuk do të thotë që opozita të mos vijojë me denoncime aty ku sheh fshehje të krimeve apo diferencime politike. Por mbështetja apo përgëzimi për këto që po ndodhin janë edhe një detyrim etik, përderisa opozita i ka kërkuar vetë me forcë këto gjëra. Jo se nuk po e jep mbështetjen. Por shumë belbëzime dhe prononcime për çështje anësore në raport me ngjarjen e ditës përcjellin përshtypjen e kundërt, gjë që edhe elektoralisht është më dëm.

  • *Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura