Mbërritja e vaksinës anti Covid/ Meta: Duhet transparencë, çdo sjellje tjetër hyn në sferën e kontrabandës! Shqetësimi im është…

Jan 16, 2021 | 17:52
SHPËRNDAJE

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka deklaruar se duhet bërë transparencë me vaksinën antiCovid. Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News24, Meta u shpreh se çdo sjellje tjetër hyn në sferën e kontrabandës.

ilir meta

Për Kreun e Shtetit, shqetësimi më i madh është gjendja në spitale, që sipas tij vazhdon të jetë shqetësuese.

“Çdo mbërritje e vaksinave është pozitive, por çdo fshehje e problematikave përmes akteve propagandistik nuk i shërben shërbimit. Kjo është shqetësuese. Në spitalet tona mungojnë pajisjet. Jemi vendi me personelin mjekësor të dëmtuar më të lartin. Është e rëndësishme që këto hapa të ndërmerren duke  ndjekur një strategji të qartë.

Ajo që mua më shqetëson është gjendja e spitaleve tona.

Më shqetëson niveli shumë i lartë i humbjes së jetës për të gjithë ata pacientë, të cilët intubohen.

Duhet të kemi në konsideratë edhe shumë problematika të tjera, që mund të ishin menaxhuar shumë më mirë, përfshi edhe çështjen e vaksinimit, kur dihet, që qeveri të tjera i kanë zgjidhur këto probleme prej kohësh dhe kanë një program shumë më të qartë vaksinimi se sa ne.

Në çdo vend demokratik që i takon shtetit të së drejtës, transparenca është elementi i parë që garanton besueshmërinë dhe seriozitetin e autoriteteve publike dhe shtetërore në raport me qytetarët. Është e domosdoshme dhe e pashmangshme. Çdo vend demokratik duhet të respektojë parimet e shtetit të së drejtës. Çdo sjellje tjetër hyn në sferën e trafikimit apo kontrabandës”, tha Presidenti Meta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura