Mbante armë sportive pa leje, gjobitet djali i Hysni Milloshit

Apr 8, 2015 | 9:30
SHPËRNDAJE

Renato Milloshi, djali i ish-kryetarit të Partisë Komuniste, të ndjerit Hysni Milloshi, është gjobitur nga Gjykata e Tiranës për mbajtjen pa leje të një arme zjarri sportive. Sipas Gjykatës, kjo armë është mbajtur me vete prej tij më 22 nëntor 2014, kur ai është konfliktuar në rrugë me shtetasin M.A.

Gjykata e Tiranës

Në përfundim të një procesi gjyqësor të zhvilluar me procedurën e gjykimit të shkurtuar, Gjykata shpalli fajtor të pandehurin Renato Milloshi, për akuzën e “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe e dënoi atë me 200 mijë lekë gjobë. Në të njëjtën dosje ishte e pandehur edhe Sesilia E., që sipas Gjykatës ka qenë bashkë me të pandehurin Milloshi në momentin e konfliktit.

Sipas Gjykatës, ajo ka prekur armën pa leje dhe me të ka kanosur personin me të cilin është përballur Milloshi. Ajo është shpallur fajtore për “mbajtje pa leje të armëve sportive” dhe për “kanosje”. Sesilia E. është dënuar me 4 muaj heqje lirie, por ajo nuk do të qëndrojë asnjë ditë në qeli. Dënimi i saj konsiderohet i kryer, pasi është konsumuar me kohën që ajo ka qëndruar në masën e sigurisë “arrest shtëpiak”.

KONFLIKTI
Referuar vendimit të arsyetuar të Gjykatës, i shpallur më 30 mars, ngjarja për të cilën është marrë i pandehur Milloshi ka ndodhur në orët e mesnatës të 22 nëntorit 2014. “Dy të pandehurit kanë qenë në automjetin e të pandehurit Renato Milloshi. Pikërisht, kur janë ndodhur në vendin e quajtur rruga ‘Avdyl Frashëri’ në kryeqytet, në afërsi të Librit Universitar, ata kanë parë shtetasin M.A., i njohur për të dy të pandehurit.

Sipas organit të akuzës, ky shtetas para disa kohësh ka patur një lidhje të afërt me të pandehurën Sesilia E. Rezulton nga aktet se në këtë moment kur shtetasi M.A. ka qenë duke hyrë në automjetin e tij, atij i është afruar i pandehuri Renato Milloshi, i cili ka hapur derën e mjetit dhe me një armë sportive, të cilën ai e mbante pa leje të organeve kompetente, e ka goditur atë në kokë me tytën e saj. Ai ka tentuar të mos lejojë shtetasin M.A. të largohet, duke i marrë çelësat e mjetit të tij.

Pas një përleshje fizike midis të dyve, ndërsa të pandehurit Renato Milloshi i bie pistoleta në tokë, shtetasi M.A. drejtohet për në mjetin e tij, me qëllim që t’i merrte çelësat e tij. Tashmë atje ndodhej e pandehura Sesilia E.

Kjo e fundit ka marrë armën sportive të të pandehurit Renato dhe duke ia drejtuar atë shtetasit M.A. me armën në pozicion qitje e ka kërcënuar atë me shprehjet ‘Largohu, largohu!’”, rrëfehej dinamika e ngjarjes në vendimin e Gjykatës. Pas këtij momenti të pandehurit janë larguar, kurse në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e Policisë, të cilët kanë gjetur dhe sekuestruar pistoletën sportive.
ARMAND BAJRAMI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura