Mbahet Panairi i parë Mbarëkombëtar i librit akademik e shkencor, do të prezantohen mbi 2000 tituj

Apr 21, 2022 | 19:05
SHPËRNDAJE

panairiDitën e nesërme çelet panairi i parë mbarëkombëtar i librit akademik, ku do të marrin pjesë 33 ente botuese. Po ashtu në këtë panair do të mbahen mbi 50 përurime dhe do të prezantohen mbi 2000 tituj për lexuesit e interesuar. Programi u prezantua nga Akademia e Shkencave dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.

Akademik Vasil Tole, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave dhe kryeorganizator tha se Panairi Mbarëkombëtar i Librit Akademik dhe Shkencor ka për qëllim t’i bëjë të njohura arritjet më cilësore në botimet akademike, shkencore dhe universitare në të gjithë hapësirën shqiptare, duke synuar një prani përfaqësuese sa më të gjerë.

Kjo ngjarje është një mundësi unike për të bërë bashkë autorët, botimet, institucionet e kërkimit që merren me botimet dhe studimet dhe mbi të gjitha është një mundësi për publikun e gjerë që së bashku të çmojmë rëndësinë që kanë studiuesit, autorët, shkenca për një shoqëri moderne.

Panairi i parë kushtuar librit akademik dhe shkencor zhvillohet sivjet, në kuadër të Vitit të Akademizmit Shqiptar, shpallur në nderim të 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si nismë e përbashkët e saj dhe e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. E veçantë e këtij panairi është se vendi i zhvillimit do të alternohet: një vit në Tiranë e një vit në Prishtinë, me periodicitet të rregullt. -tha akad. Tole.

Akad. Shaban Sinani sekretari shkencor i Akademisë së Shkencave tha se nga vetë natyra e tij, libri akademik dhe shkencor e ka më të vështirë rrugën për të mbërritur tek lexuesi.
Një panair i dedikuar për të ka si qëllim që libri shkencor dhe akademik t’i afrohet lexuesit të vet dhe të lehtësojë komunikimin me të. Panairi i librit akademik dhe shkencor do të ketë gjithashtu dhe karakter promovues e manifestues, sepse do të mundësojë pranëvendosjen në sasi dhe cilësi të botimeve shkencore dhe të autorëve të tyre nga gjithë hapësira shqiptare, duke synuar që në një të ardhme të jenë të pranishme edhe botimet nga qendrat albanologjike në botë, ku do të kenë vendin e tyre të merituar edhe botimet cilësore nga ente jopublike.

Panairi do të të ndikojë për të krijuar një rrjet kombëtar të botuesve të librit shkencor, para së gjithash të universiteteve dhe institucioneve të tjera të specializuara që do të lehtësojë marrjen e informacionit dhe më tej shkëmbimet, sidomos të periodikëve shkencorë, që tani për tani kanë funskionuar brenda institucioneve që i botojnë., tha Akad. Sinani duke theksuar se në kohën e sotme synohet që botimet të jenë të arritshme me liri të plotë komunikimi jo vetëm brenda për brenda gjuhës, por edhe në shkallë ndërkombëtare. Ky panair i parë do të jetë një faktor tjetër nxitës për të përuruar arritjet e përvitshme në këtë fushë, tha akad. Sinani.

Alda Bardhyli, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, bashkorganizatore e panairit, tha se për herë të parë në Akademinë e Shkencave do të kemi një histori të shkencës dhe mendimit shqip, përmes botimeve më të mira të botuara në vite nga akademikët, studiuesit, profesorët shqiptarë, pasi duke u mbështetur fort te shkenca, ne do të kemi një shoqëri dhe një komb më të mirë nesër.

I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe z. Skënder Durmishi, ambasadori i Kosovës në Shqipëri. Ai përshëndeti Akademinë e Shkencave për këtë nismë dhe shprehu kënaqësinë e tij për bashkëpunimet me Akademinë e Kosovës e më gjerë në botimet e librit dhe për punën e përbashkët që ka ndërmarrë ASHSH në dobi të botimit të librit shqip dhe që bashkon studiuesit e trevave ku jetojnë shqiptarët.

Panairi i parë do të hapet më 22 prill, që përkon me Ditën Botërore të Librit dhe të së Drejtës së Autorit dhe do të do të zgjasë deri më 24 prill 2022.

Në ditët e panairit do të ketë promovime të botimeve akademike shkencore dhe universitare: monografi dhe periodikë shkencorë të institucioneve dhe qendrave kërkimore etj. Panairi i parë i librit akademik dhe shkencor, përveç ekspozimit të literaturës shkencore e informuese për veprimtarinë kërkimore shkencore në hapësirën shqiptare, përmes promovimeve të arritjeve në nivel akademik; përmes paraqitjes së disa botimeve të kërkuesve shkencorë, studiuesve, trupave pedagogjike, do të krijojë hapësira dhe mundësi diskutimi mbi çështje e tema specifike të dijeve shqiptare.

Libri shkencor për herë të parë në këtë panair sjell pranë e bashkon në një eksperiencë të veçantë akademikët, kërkuesit, studiuesit, pedagogët, lexuesit e specializuar, duke ofruar mundësi më të drejtpërdrejta kontaktesh, duke krijuar hapësira bashkëpunimi dhe ndërveprimi të mendimit dhe kërkimit akademik universitar.
Promovimet do të zhvillohen me pjesëmarrje të hapur, me mundësi diskutimi. Në dispozicion të përfaqësuesve të institucioneve pjesëmarrëse do të jenë tri salla: dy mjedise në Akademinë e Shkencave dhe një mjedis në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura