Mbaheshin në përgjim prej kohësh, policia zbulon grupin kriminal me drogë dhe municione

Feb 6, 2018 | 20:48
SHPËRNDAJE

LEZHË/ ELVIS HILA/ Drogë, municione dhe tritol në makinë, arrestohen në flagrancë katër persona. Policia e Lezhës bën të ditur se në automjet u gjet 131 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, lëndë plasëse dhe fishekë.

Operacioni u zhvillua mbrëmjen e së shtunës në rrugën Bukmir-Kallmet nga Seksioni kundër narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë në Lezhë. Në pranga u vunë shtetasit me iniciale Xh.G., 30 vjeç, A.G., 35 vjeç, N.G.,55 vjeç dhe P.G., 26 vjeç, banues në Lalm të Ri dhe Ishull Lezhë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 131 kg cannabis sativa, 30 fishekë model 56, 53 copë kapsolla detonatorë, 10 copë fitila zjarrpërcjellës me gjatësi 80 cm si dhe një kallëp tritol.

Të ndaluarit u prangosën teksa po lëviznin në orët e mbrëmjes në drejtim të Kallmetit me një automjet tip foristrade. Policia dhe Prokuroria kishin siguruar informacion në rrugë operative për aktivitetin e personave të arrestuar. Telefonat e tyre ishin vënë në përgjim prej të paktën një muaj. Në bazë të bisedave telefonike, Policia ka vepruar menjëherë duke sjellë dhe kapjen në flagrancë të katër të akuzuarve. Policia i zuri pritë foristradës në afërsi të fshatit Kallmet, ndërsa në momentin e ndalimit, të ndaluarit nuk u bënë rezistencë uniformave blu.

policia-lezhe

Policia ka dyshime se të ndaluarit janë pjesë e një grupi të trafikimit të lëndëve, por kjo nuk është faktuar ende. Vetë të arrestuarit nuk kanë pranuar të flasin para oficerëve të Policisë, ndërsa po vijojnë hetimet për të mësuar më tepër detaje rreth aktivitetit të tyre kriminal, destinacionin e lëndës narkotike dhe sendeve të tjera të sekuestruara. Materialet në ngarkim të tyre iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprime të mëtejshme. Katër të arrestuarit pritet të dalin para Gjykatës gjatë ditës së hënë për t’u njohur me masën e sigurisë.

“Më datë 03.02.2018, Policia e Lezhës, gjatë një operacioni në rrugën Bukmir – Kallmet, arrestoi në flagrancë shtetasit Xh.G, A.G., N.G., dhe P.G., 30 vjeç, 35 vjeç, 55 vjeç e 26 vjeç, banues në Lalm i Ri dhe Ishull Lezhë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 131 kg cannabis sativa, 30 fishekë model 56, 53 copë kapsolla detonatorë, 10 copë fitila zjarrpërcjellës me gjatësi 80 cm si dhe një kallëp tritol. Materialet i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë”, bëhet e ditur nga Policia.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura